Një gjykatë në qarkun Nara të Japonisë, ka dënuar me burgim të përjetshëm 45 vjeçarin Tetsuya Yamagami, autor i vrasjes së ish-kryeministrit Shinzo Abe mbi 3 vjet më parë. Vendimi u dha më shumë se tre vjet pas atentatit që tronditi Japoninë dhe opinionin ndërkombëtar, në një vend ku krimet me armë zjarri janë jashtëzakonisht të rralla.
Yamagami, i cili pranoi fajësinë që në hapjen e gjyqit, e qëlloi Abe-n për vdekje më 8 korrik 2022 gjatë një aktiviteti zgjedhor në qytetin Nara, duke përdorur një armë artizanale të ndërtuar prej tij. Sipas vlerësimit të gjykatës, akti ishte “i qëllimshëm, i planifikuar dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm”
Gjatë procesit gjyqësor, mbrojtja kërkoi lehtësim dënimi, duke argumentuar se Yamagami ishte viktimë e abuzimit fetar dhe e problemeve familjare të lidhura me Kishën e Unifikimit. Sipas dëshmive në gjykatë, nëna e tij kishte dhuruar shuma të mëdha parash për kishën, duke e çuar familjen në faliment. Megjithatë, gjykata nuk e konsideroi këtë si arsye për uljen e përgjegjësisë penale të 45 vjeçarit, duke theksuar se nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë mes veprimtarisë së kishës dhe vendimit për të kryer vrasjen.
Vrasja e Shinzo Abe, ish-kryeministri më jetëgjatë në historinë e Japonisë, çoi në hetime të gjera mbi lidhjet mes politikës japoneze dhe organizatave fetare, si dhe në dorëheqjen e disa zyrtarëve të lartë qeveritarë.
Kisha e Unifikimit e themelua në Korenë e Jugut dhe më pas në Japoni në vitin 1960, duke kultivuar lidhje të forta me politikanë të ndryshëm në vend.
Abe nuk ishte anëtar i saj, e megjithatë kjo nuk e pengonte të shfaqej herë pas here në evenimente të organizuara prej Kishës. Gjyshi i tij, gjithashtu ish kryeministër, besohet të ketë qenë shumë i afërt me Kishën për shkak të qëndrimit të saj kundër komunizmit.
Në Mars të vitit 2025, një gjykatë në Tokio anulloi statusin e Kishës si një korporatë fetare, duke thënë se i detyronte besimtarët të blinin sende të shtrenjta, duke shfrytëzuar frikërat e tyre dhe dëshirën për mirëqenie shpirtërore.
Komente








