TIRANE- Gjykata e Tiranës ka vendosur të mbyllë përjetë në burg Aldo Hoxhën, 20-vjeçarin që akuzohet se ka vrarë me thikë Fatbardha Tafën. Vendimi është marrë dje nga gjykata e cila vendosi të pranojë kërkesën e prokurorit Endrit Bimi, i cili kërkoi disa seanca më parë shpalljen fajtor të Hoxhës dhe dënimin e tij me burg përjetë. Ndërkohë që nga ana tjetër, avokati mbrojtës kërkoi shpalljen të pafajshëm për mungesë të provava.

Mirëpo, trupi gjykues i kryesor nga avokati Albert Meçe pasi është konsultuar, ka vendosur rreth orës 13:00 të deklarojë fajtor Aldo Hoxhën duke e dënuar me burg përjetë. Në vendimin e shpallur nga gjykata vendoset pushimi i gjykimit në lidhjen me akuzën e plagosjes së lehtë me dashje në dëm të shtetases Lumturie Gjana parashikuar nga neni 89 i Kodit penal. Ndërkohë që në zbatim të nenit 190 të K.pr.penale prova materiale dy bluza, një aparat celular dhe një kapele t'i kthehet të pandehurit Aldo Hoxha, ndërsa provat e tjera t'i kthehen familjarëve të viktimës Fatbardha Tafa.

Apelimi i vendimit
Vendimi i gjykatës së Tiranës, nuk ka sjellë iritimin e familjarëve të Aldo Hoxhës. Një pjesë e tyre kanë qënë brenda në sallë, ndërsa një pjesë tjetër janë lënë jashtë, kjo për shkak edhe të forcave të shumta të sigurisë që policia kishte marrë në lidhje me këtë çështje, pasi në seancën e kaluar motra e të pandehurit Hoxha, sulmoi prokurorin Endrit Bimi, duke e qëlluar me çantë. Menjëherë pas dhënies së vendimit gjyqësor, nga ana e avokatit mbrojtës u deklarua se shumë shpejt do e apelonin vendimin e shkallës së parë, pasi e konsiderojnë si të padrejtë. Pritet që një veprim i tillë të kryhet brenda 10 ditëve.

Vrasja e Tafës
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 19:00 të datës 7 gusht të vitit 2012, kur Fatbardha Tafa dhe motra e saj Lumturi Gjana, të shoqëruar nga fëmijët e tyre, kanë qenë duke ecur në rrugën “Babë Rexha”, për të shkuar në lulishten tek ish-Fusha e Aviacionit. Drejt tyre ka ardhur një motor i zi, në të cilin udhëtonin dy të rinj. Drejtuesi i motorit mbante në kokë skafandër, ndërsa pasagjeri kishte në kokë kapele. Ky i fundit, ka zbritur nga motori dhe i është afruar shtetases Fatbardha Tafa, e ka sulmuar për t’i shkëputur varësen që mbante në qafë. Fatbardha ka reaguar, është përleshur me të dhe është munduar të mos e lëshojë, por është goditur me thikë.

Motra e Fatbardhës, Lumturi Gjana, ka ndërhyrë për ta ndihmuar, por gjatë përleshjes është plagosur edhe ajo. Fatbardha Tafa ka humbur jetën, ndërsa Lumturi Gjana është plagosur. Sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, është konstatuar se Fatbardha Tafa, është qëlluar me thikë në zemër, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në rrugën “Babë Rexha”. Krimi i rëndë është parë nga disa persona, banorë të zonës. Ndërkohë që vetë autori i krimit është larguar me motor dhe se më pas është arrestuar nga policia e Tiranës, poshte krevatit, në një dhomë të shtëpisë së xhaxhait të tij. Në vendgjarje policia sekuestro një kapele, ndërkohë që provat më bindëse të akuzës kanë qënë analizat e AND dhe disa prova të tjera që lidhnin njëra-tjetrën sipas prokurorisë.

Shkrimi u publikua sot (05.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)