ELBASAN - Rreth 9 muaj nga vrasja e 40-vjeçarit Përparim Duzha (ne foto), në fshatin Tërvol të Gramshit policia ka gjetur armën e krimit, duke bërë kështu dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje që vë me shpatulla pas murit Dritan Duzhën, fqinjin e të ndjerit. 41-vjeçari nga fshati Tërvol, i cili pavarësisht mbiemrit të njëjtë nuk është i afërm me viktimën, u arrestua si autor i dyshuar i krimit në 6 maj të këtij viti. Pushka u gjet të mërkurën me një krehër me 18 fishekë (1 fishekë në folenë e armës) në një shkëmb në malin e Vinës-Gramsh, në një zgavër afër një terreni të thepisur. Nga eksperimenti balistik rezulton se bëhet fjalë pikërisht për armën me të cilën është qëlluar për vdekje 40-vjecari 14 nëntorin e vitit 2014.
 
Më herët për këtë ngjarje ishin ndaluar si të dyshuar Selman Hoxha dhe dy djemtë e tij Fiqiri Hoxha e Edmond Hoxha, të cilët pavarësisht se është vërtetuar që nuk kanë lidhje me vrasjen e Përparim Duzhës, do të qëndrojnë në burg për armëmbatje pa leje. Policia zbuloi arsenal armësh në banesën e tyre gjatë kontrollit të një viti më parë, kur ishin të dyshuar për krimin.

Përparim Duzha kishte vetëm pak kohë pasi ishte riatdhesuar nga Belgjika, ku kishte jetuar për disa vite si emigrant. 40-vjeçari u vra gjatë një darke familjare dhe u qëllua me pistoletë në momentin kur kish dalë në verandë për të pirë një cigare, ndërsa burime nga policia e Gramshit thanë në atë kohë se Duzha ishte telefonuar para se të dilte jashtë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)