Vrau kreun e FNSH, RENEA
ekzekuton pas 12 orëve autorin
Ngushëllimet

SHKODËR -  Pas rreth 12 orëve “luftë”, forcat RENEA kanë qëlluar për vdekje autorin e vrasjes së komandantit të njësisë së Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës Simon Gjeta. 56-vjeçari Ruzhdi Arishta u ekzekutua rreth orës 07:10 të mëngjesit të së dielës në banesën e tij në kodër të fshatit Obot i Ri në kushtet e mosdorëzimit dhe kundërpërgjigjeve me armë që i bënte thirrjeve të policisë. Thuajse gjatë gjithë natës autori i krimit ka hapur zjarr në mënyrë të vazhdueshme në drejtim të RENEA-s duke mos ju bindur thirrjeve për dorëzim. Efektivët kanë pritur të zbardhë dhe në orën 07:10 minuta në kushtet e ndriçimit të plotë RENEA i ka bërë thirrjen e fundit për vetëdorëzim Ruzhdi Arishtës, por 56-vjeçari nuk është përgjigjur. Në këto kushte forcat e policisë kanë ndërhyrë  në banesë. Autori ishte fshehur në aneks të shtëpisë ku jetonte i vetmuar dhe në befasi ka hapur sërish zjarr me breshëri ndaj forcave RENEA. Efektivët i janë kundërpërgjigjur duke e lënë të pajetë 56-vjeçarin Ruzhdi Arishta pas plot 12 orëve shkëmbim zjarri.
 
Televizioni i lajmeve Report TV ka sjellë ekskluzivisht momentet e ekzekutimit të Ruzhdi Arishtës. Tymi në cepin e banesës një katëshe i përket pikërisht dhomës ku Arishta qëndronte i fshehur, ndërsa në banesë uniformat blu kanë mundur të gjejnë një sasi të konsiderueshme municioni një automatik dhe një pistoletë.

Video ekskluzive Report TV - Momenti i ekzekutimit te Ruzhdi Arishtes



vrasesi shkoder ruzhdi
Ruzhdi Arishta autori i vrasjes së efektivit të FNSH-së )


aksioni shkoder
(Forcat RENEA gjatë operacionit në shtëpinë e Ruzhdi Aishtës)

Por si përfundoi një operacion për kapjen e një personi me precedent penal në një përplasje me armë kundër uniformave blu me pasojë një efektiv të vdekur?
 
Prej orës 19:00 të së shtunës Arishta, i cili dyshohet se vuante nga probleme të shëndetit mendor, ishte nën rrethimin e efektivëve të Shkodrës, FNSH dhe RENEA në një banesë në fshatin Obot i Ri. Kjo pasi pasditen e së shtunës 56-vjeçari plagosi me armë të afërmin e tij 21-vjeçar Besar Sherbela pas një konflikti për gardhin. I riu mori një plumb në kraharor dhe tashmë ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha në Spitalin e Shkodrës. Ishin vetë familjarët e të riut që bënë denoncimin në polici e nga ky moment efektivët rrethuan banesën e Arishtës. Me të kuptuar se është nën rrethimin e policisë autori ka qëlluar me armë ku për fat të keq një plumb kapi në kokë kreun e FNSH-së Shkodër Simon Gjeta i cili ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.
 
Gjatë aksionit policia ka kontaktuar edhe më familjarët e Ruzhdi Arishtës, për të mësuar më shumë për gjendjen e tij, nga ku rezultoi se 56-vjeçari ka qenë jo në parametrat normal të psikikës.
 
“Shpreh mirëkuptimin e familjarëve sepse kanë ndihmuar në zbatimin e ligjit, por edhe të gjithë banorët e Oblikut kanë qenë të ndërgjegjshëm për këtë ngjarje të jashtëzakonshme. Shfrytëzoj rastin të ngushëlloj familjarët e Simon Gjetës për këtë humbje. Bashkë me uniformën që ne veshim marrin dhe riskun e humbjes së jetës”, - tha në një komunikim për mediat kreu i Policisë së Shtetit Haki Çako.
 
56-vjeçari jetonte i vetëm në banesën e tij, ishte beqar dhe prindërit ishin ndarë nga jeta para disa vitesh.
 
Gjeta u qëllua me plumb në kokë
Kreu i grupit të FNSH-së në Shkodër Simon Gjeta rezulton se është qëlluar me plumb në kokë. Kreu i FNSH-së është qëlluar për vdekje në momentin që ata kanë thyer derën e banesës për ta arrestuar.
 
simon gjeta
(Në foto efekti i vrarë Simon Gjeta )

Gazi lotsjellës e granata
Për të neutralizuar autorin e krimit, Policia e Shtetit është detyruar që të përdorë gazin lotsjellës. Ky i fundit është hedhur nga forcat RENEA brenda në banesë, me qëllim që të detyronte Ruzhdi Arishtën që të dilte jashtë nga shtëpi. Ndërkohë dy snajperë kanë ndjekur në distancë, duke monitoruar lëvizjet e Arishtës, pasi kishte mundësi që ai të dilte në dritare dhe të qëllonte. Kjo pasi, gazi lotsjellës ka efekt të menjëhershëm në frymëmarrje dhe lotimin e syve. Në aksion, RENEA ka përdorur dhe granata, të cilat mendohet se i kanë shkaktuar dëmtime 56-vjeçarit Ruzhdi Arishta.
 
fnsh shkoder

Video ekskluzive e televizioni informativ Report TV - Aksioni i policise gjate nates



autoblindi

Gazetarët 2 km larg vendngjarjes
E gjithë vëmendja e krerëve të Policisë së Shtetit ka qenë e përqendruar në fshatin Obot i Ri, ku shumë forca policie kanë shkëmbyer zjarr herë pas here me shtetasin Ruzhdi Arishta. Ky i fundit ka refuzuar shumë thirrje për tu dorëzuar. Puna e efektivëve të policisë për neutralizimin e 56-vjeçarit vështirësohej akoma dhe më tepër nga errësira e natës. Përpara se policia të hidhej në sulm, kryepolici Çako ka urdhëruar që të gjithë gazetarët dhe operatorët e televizioneve të largoheshin në një distancë rreth 2 km, kjo për shkak të shmangies të çdo incidenti të papritur, pasi nga banesa, Arishta herë pas herë qëllonte në mënyrë të çrregullt. Çako ka urdhëruar që operatorët të mbyllin blicet e kamerave, pasi ato mund të shërbenin si pika shënjestre për autorin e krimit.

Çako në krye të operacionit, 250 forca policie
Mbi 250 efektiv policie nga FNSH e Reparti Renea, 5 autoblinda si dhe qeni gjurmues ishin pjesë e 12 orëce operacion me shkëmbim zjarri midis policisë së shtetit dhe Ruzhdi Aishtës tashmë të ekzekutuar.

Operacioni u drejtua nga kreu i policisë së Shtetit Haki Çako dhe zv/drejtori Altin Qato. Mësohet se Çako, ka tentuar disa herë të negociojë me Ruzhdi Arishtën, duke përdorur dhe kryeplakun e fshatin, por sërish 56-vjeçari nuk është bindur për tu dorëzuar. Herë pas here, Arishta ka qëlluar me breshëri, duke treguar shenja agresiviteti dhe mos i dhënë mundësi policisë të përparojë në drejtim të banesës, për të kapur hyrjen e shtëpisë.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarin?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ I dashuri i vajzës dhe 4 djem në kërkim për alarmin tek 'Astiri', policia: Dyshohet se mbajtën të mbyllur 21-vjeçaren

Tiranë/ I dashuri i vajzës dhe 4 djem në kërkim për alarmin tek 'Astiri', policia: Dyshohet se mbajtën të mbyllur 21-vjeçaren