Ka rënë në prangat e Policisë autori i dyshuar i vrasjes së Egli Pashollarit në zonën e ish-Parkut në Tiranë. Gazment Buçpapaj u arrestua në Tropojë teksa ishte i fshehur në një banesë në Tropojë, ku po mbahej nën mbikëqyrje nga policia.
40-vjeçari është në akuzë për vrasje me dashje dhe armëmbajtje të ftohtë pa leje. Pashollari u vra në konflikt e sipër pas një goditjeje me thikë pas shpine.
Siç dëshmoi gruaja e autorit të dyshuar në Polici, konflikti mes Buçpapajt dhe Pashollarit ndodhi për shkak të bllokimit me makinë të rrugës, në zonën e njohur si ish-Parku në kryeqytet.
Gruaja e autorit në dëshminë e saj tha se konflikti erdhi pasi 31-vjeçari i ofendoi kur bashkëshorti i ra borisë për të hapur rrugën. Gruaja e tij shtoi se Buçpapaj kishte shkuar në atë zonë që ta merrte atë nga puna, por konflikti ndryshoi rrjedhën e gjithçkaje.
Njoftimi i Policisë:
DVP Tiranë/Finalizohet nga Policia dhe Prokuroria e Tiranës, operacioni i koduar “Distanca”.
Si rezultat i ndjekjes intensive dhe punës së miroganizuar operacionale, lokalizohet dhe ndalohet autori i vrasjes me thikë, të shtetasit E. P.
Autori, shtetasi G. B. u mbajt në mbikëqyrje, teksa fshihej në një banesë në Tropojë.
Si rezultat i veprimeve operacionale profesionale, të kryera në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, për lokalizimin dhe ndalimin e autorit të vrasjes së shtetasit E. P., kryer më datë 20.02.2026, gjatë një konflikti në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë finalizuan operacionin e koduar “Distanca”.
Në kuadër të këtij operacioni, pasi u lokalizua dhe u mbajt në mbikëqyrje në banesën ku fshihej në vendlindjen e tij, në Tropojë, u bë ndalimi i shtetasit G. B., 40 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente









