Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka lënë në burg Muhamet Rreshkën, 76-vjeçarin që akuzohet se vrau me thikë vëllain e tij, Eqerem Rreshkën, në fshatin Agonas të Kavajës.

Në seancën e zhvilluar më 28 qershor, gjykata vlerësoi të ligjshëm arrestin në flagrancë dhe caktoi ndaj tij masën e sigurisë "arrest në burg". Ai po hetohet për veprat penale "Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare" dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta".

Ngjarja ndodhi më 25 qershor. Sipas raportimeve, Eqerem Rreshka ishte kthyer me zetor pasi kishte marrë dengje bari në arë, kur u përball me vëllain e tij. Mes tyre nisi një debat, pasi 76-vjeçari nuk donte që ai të kalonte në atë rrugë. Konflikti u përshkallëzua dhe, sipas të dhënave, pasi ishte shtyrë me zetor, Muhamet Rreshka nxori një thikë dhe e goditi disa herë vëllain, i cili humbi jetën.

Pas krimit, policia arrestoi autorin dhe sekuestroi thikën e përdorur. Sipas raportimeve, 76-vjeçari, i cili ushtronte edhe detyrën e kryeplakut të fshatit, ka shprehur pendesë pas ngjarjes.

"Ndjehem shumë i penduar për ate që bëra. Më pushkatoni për vrasjen që kreva. Kisha vite që nuk flisja me vëllanë.Ate natë që vëllai po transportonte bar me zetor më sulmoi i pari.Unë u mbrojta" ka deklaruar ai në polici. 
 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë