Vrau Mirin e Xhikes, Lavdërim Tufa
drejt lirimit nga burgu

Vrau Mirin e Xhikes, Lavdërim Tufa<br />drejt lirimit nga burgu
TIRANE- I dënuari për vrasjen e Mirit të Xhikes, Lavdërim Tufa ka kërkuar për të dytën herë brenda tre muajsh ulje dënimi, duke tentuar të rifitojë lirinë sa më shpejt të jetë e mundur. Aktualisht, atij i kanë mbetur 5 vite burg
Lavdërim Tufa, njeriu i dënuar për vrasjen e Mirit të Xhikes, brenda tre muajve ka kërkuar dy herë ulje dënimi, duke tentuar që të përfitojë sa më shumë nga ato vite burgu që i kanë mbetur dhe të rifitojë lirinë. Kërkesa e fundit e tij është bërë në Gjykatën e Tiranës vetëm dy ditë më parë, ndërkohë që në muajin Korrik të këtij viti, Tufa përfitoi një vit ulje dënimi. Aktualisht, atij i kanë mbetur rreth 5 vite burg për të përfunduar dënimin dhe nëse i pranohet kërkesa e fundit, shumë shpejt ai mund të fitojë lirinë.

Kërkesat
Lavdërim Tufa, i dënuar më 30 nëntor të vitit 2011 me 20 vite burg për vrasjen e Fatmir Ramës, i njohur si Miri i Xhikes, pikërisht ditën e enjte ka regjistruar një kërkesë në sekretarinë e Gjykatës së Tiranës për ulje dënimi. Kërkesa e tij është regjistruar me numrin 1592, ndërkohë që pritet vendimi i Gjykatës nëse do pranojë këtë kërkesë të Tufës. Kjo është kërkesa e dytë e të dënuarit për vrasje, e cila vjen në harkun kohor prej tre muajsh, pasi në Korrik, gjykata i uli një vit burg nga dënimi i dhënë në vitin 2011. I dënuari Lavdërim Tufa, sipas dinamikës së vuajtjes së dënimit, deri më datën 09 korrik 2013 kishte kryer 9 vjet 5 muaj e 17 ditë burg, fituar me paraburgim 4 vjet 2 muaj e 1 ditë, ndërkohë që kishte përfituar edhe një ulje dënimi me 3 muaj.

Meqë Tufa kishte përfituar një ulje dënimi në vitin 2012 dhe nuk kishte kaluar një vit nga ky vendim, në vendimin e muajit korrik, gjykata arsyetoi se kërkesa e tij duhej të pranohej pjesërisht, duke vendosur që ky i dënuar të mos përfitojë 15 muaj burgim, por të përfitojë ulje dënimi 12 muaj burgim. Me këtë përllogaritje, Lavdërim Tufa rezulton se ka vuajtur rreth 15 vjet burg, kështu që atij i kanë mbetur edhe pesë vite burg. Tashmë, gjithçka do të varet nga kërkesa e fundit që ai ka bërë dhe nëse kjo kërkesë pranohet, specialistët shpjegojnë se shumë shpejt ai mund të fitojë lirinë, duke përfituar nëpërmjet dënimeve alternative.

Dosja
Nga dosja penale në ngarkim të Tufës rezulton se ai është në burg që nga viti 2004. Deri në vitin 2012, çështja në ngarkim të tij është gjykuar dhe rigjykuar në të gjitha shkallët e gjykimit, duke qëndruar në paraburgim dhe burgim për një periudhë kohore prej tetë vitesh. Sipas dosjes, me vendimin nr. 1723 , datë 30 nëntor 2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është deklaruar fajtor i pandehuri Lavdërim Xhevdet Tufa, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe është dënuar përfundimisht me 20 vjet burgim. Vuajtja e dënimit i ka filluar nga data e arrestimit, pikërisht më 22 janar 2004 dhe ai vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme. Kundër këtij vendimi është bërë ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë, e cila me vendimin nr. 540, datë 23 maj 2013 ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë.

Gjykata
Sipas vendimit të gjykatës, Lavdërim Tufa ka marrë pjesë në vrasjen e Fatmir Ramës, Julian Durishtit dhe Kristaq Camit si edhe plagosjen e Flamur Rrapajt. Megjithatë, duke marrë parasysh se së pari në armët e përdorura nga autorët nuk janë gjetur gjurmë të të pandehurit Lavdërim Tufa; së dyti dëshmitari i vetëm okular Ylli Kelmendi, që jep të dhëna për ngjarjen, deklaron se e njeh të pandehurin Lavdërim Tufa dhe se ai nuk ka qenë njëri nga personat që ka qëlluar mbi viktimat dhe së treti gjurma e gjakut në armët e përdoruara dhe në kapuçin provë materiale nuk është e të pandehurit Lavdërim Tufa, Gjykata krijon shumë dyshime për rolin e të pandehurit në këtë vepër dhe faktin nëse i pandehuri Lavdërim Tufa ka qenë njëri nga ekzekutorët apo vetëm një bashkëpunëtor, që ka ndihmuar ekzekutorët e kësaj vepre. Duke qenë se Tufa është njëri nga bashkëpunëtorët në kryerjen e kësaj vepre, por se roli i tij mbetet i dyshimtë, Gjykata nuk e dënoi Tufën me maksimumin e dënimit. 

Historia
Vrasja e Mirit të Xhikes në Mars 2003
Në mbrëmjen e datës 29 mars 2003 Fatmir Rama, së bashku me të njohurit e tij Ylli Kelmendi, Nazmi Çela, Kristaq Cami dhe Flamur Rrapaj, kanë qenë të ulur në një nga tavolinat e restorantit të katit të parë të kompleksit “Kartodrom 2000”, të ndodhur në periferi të qytetit të Tiranës dhe në afërsi të fshatit Lundër. Personat e mësipërm për shkak të njohjeve që kishin me njëri-tjetrin dhe të faktit që po zhvillohej ndeshja e futbollit e përfaqësueseve Shqipëri-Rusi, kanë qëndruar së bashku ditën e ngjarjes.

Rreth orës 20:00, dy persona të maskuar janë afruar me shpejtësi dhe pa rënë në sy në pjesën e jashtme të lokalit kanë filluar të qëllojnë me armë në drejtim të tavolinës ku ishin ulur personat e mësipërm. Në këtë moment, dëshmitari Ylli Kelmendi ka qenë në këmbë i distancuar nga tavolina, ndërsa Julian Durishti, si punonjës i lokalit, ka qenë në afërsi të tavolinës ku ndodheshin viktimat. Si rezultat i breshërisë së plumbave kanë gjetur vdekjen e menjëhershme Fatmir Rama dhe Julian Durishti dhe pak çaste më pas edhe Kristaq Cami, ndërsa Flamur Rrapaj është plagosur dhe ka humbur ndjenjat.

Shkrimi u publikua sot (13.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Konjufca ngre alarmin: Qindra njerëz në Serbi po stërviten për një sulm në Kosovë

Konjufca ngre alarmin: Qindra njerëz në Serbi po stërviten për një sulm në Kosovë