Arsen Muskurti, autori i vrasjes së dyfishtë në Tiranë është lënë në burg. Gjykata Penale pranoi kërkesën e Prokurorisë për arrest me burg për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Vrasje në rrethana familjare të 2 personave”. Gjyqtari i seancës ishte Artan Gjermeni. Sapo mbërriti brenda sallës, Arsen Muskurti përshëndeti me dorë mediat. Ashtu siç kreu krimin, me gjakftohtësi, edhe gjatë seancës gjyqësore, ka pranuar se ka vrarë vëllanë dhe kunatën. 

Ndërsa avokati u shpreh se armën e kishte me leje dhe u vetëdorëzua në komisariat duke hedhur kështu poshtë deklaratën e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi se policia në bashkëpunim me forcat RENEA vunë në pranga në kohë rekord autorin. Burime bëjnë me dije se kishte leje për të mbajtur armën brenda në banesë. Sipas avokatit, Muskurti ishte në gjendje të rëndë psikologjike dhe merrte mjekime ndërsa kishte bërë disa kallëzime ndaj viktimave, por pretendon se nuk ishin marrë parasysh nga policia. Duket e çuditshme se si është lejuar që të mbajë armë me leje kur ishte person me probleme të shëndetit mendor.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 30 gusht, ku autori qëlloi vëllanë dhe motrën brenda në agjencinë turistike që ishte në pronësi të viktimave.

Familjarë të viktimave Dritan dhe Nora Muskurti kanë folur jashtë kamerave dhe hedhin akuza ndaj policisë se nuk e ka parandaluar krimin. Sipas tyre, viktimat u kërcënuan me armë 4 ditë para vrasjes dhe dërguan pamjet në polici, por nuk u mor asnjë masë. Ditën e sotme janë hapur dyert e mortit në banesën ku jetonin viktimat. Ndërsa dera e shtëpisë së autorit që ndodhet ngjitur është e kyçur dhe gratë me fëmijët e tij janë larguar. Miqtë dhe familjarët e Dritanit deklarojnë se Arseni ishte i dhunshëm dhe më herët kishte rrahur edhe një tjetër person nga Kukësi me mbiemrin Shehu.

Si ndodhi ngjarja?

Report Tv mëson se Arsen Muskurti ka debatuar fillimisht me vëllanë, Dritan dhe gruan e tij Nora në biznesin e këtyre të fundit. Autori ka nxjerrë armën para se të hynte në agjencinë turistike, por pas debatit i ka qëlluar me 5 plumba, të cilat kanë rezultuar fatale duke  marrë jetën në vend. Pas arrestimit rreth dy orë pas ngjarjes, 38-vjeçari çoi hetuesit në rrugë të gabuar për të gjetur armën e krimit. Ishte njëra prej dy grave të tij, e cila rrëfeu para hetuesve vendin ku ai fshehu pistoletën. Ajo u dha kodin e kasafortën, vetëm disa metra larg biznesit të agjencisë së udhëtimeve ku vrasja ndodhi. Mësohet se autori i kishte viktimës një borxh prej 150 mijë eurosh, për të cilin Albani Muskurti kishte hapur edhe një proces gjyqësor, për të cilin Arseni kishte kërcënuar edhe avokaten e të vëllait.

Sherret e vazhdueshme mes dy vëllezërve u tensionuan pasditen e së martën, pasi Arsen Muskurti kishte marrë një fletëthirrja gjyqi. Kallëzimi ishte bërë katër ditë më parë nga Albani, i vëllai, i cili kërkonte urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje bashkë me të shoqen Norën. Menjëherë pasi ka marrë fletëthirrjen, Arseni ka shkuar në agjencinë e vëllait dhe e ka vrarë bashkë me gruan. 

Kush është autori, Arsen Muskurti?

Arsen Muskurti, i njohur edhe me emrin Hamza Muskurti, është një biznesmen i dyqaneve të ‘Natyral Vita’, gjithashtu edhe predikues i fesë islame, që mendohet të jetë një shkak i vrasjes së sotme. Burime thonë se Muskurti në biznesin e tij ka patur probleme financiare, teksa ndaj tij ka pasur edhe një denoncim se ka ngacmuar punonjëset dhe i ka keqtrajtuar ato. Pikërisht për këtë denoncim, ai ka paraqitur edhe një dëshmi noteriale, të cilën Report Tv e disponon, ku punonjëset deklarojnë se janë larguar nga puna për arsye personale.  

Për Shqiptarja.com dhe Report Tv raportojnë gazetarët Arsen Rusta dhe Sokol Dema

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:37
Miqtë zbulojnë të shkuarën e Arsen Muskurtit: Ishte i dhunshëm, ka rrahur një person nga Kukësi

1661879313_Muskurti.jpg

Miqtë dhe familjarët e Dritanit deklarojnë se Arsen Muskurti, i cili vrau vëllanë dhe kunatën para 2 ditësh ishte i dhunshëm dhe më herët kishte rrahur edhe një tjetër person nga Kukësi me mbiemrin Shehu.

Ora 11:21
Familjarët e viktimave: Arsen Muskurti i kërcënoi me armë 4 ditë para krimit! Çuan menjëherë në komisariat pamjet e kamerave të biznesit

 

Familjarë të viktimave Dritan dhe Nora Muskurti jashtë kamerave e konsiderojnë vrasjen e dyfishtë si të paralajmëruar dhe nuk është parandaluar nga policia. Ata thanë se ditën e premte, katër ditë para vrasjes autori Arsen Muskurti ka shkuar brenda agjencisë të udhëtimit dhe ka kërcënuar me armë të cilën e kishte me leje kunatën Nora Muskurti.

Pasi ka dal nga ambientet e biznesit, çifti i bashkëshorteve janë paraqitur në polici dhe kanë kallëzuar kërcënimin e marrë prej 38-vjeçarit. Familjarët e viktimave pohuan se paraqitën si prova kamerat e biznesit ku është filmuar e gjithë skena e kërcënimit. Po ashtu familjarët shprehen se pavarësisht kallëzimit, policia nuk reagoi për të arrestuar Arsen Muskurtin, i cili pasditen e së martës kreu vrasjen e dyfishtë. Banesat e dy vëllezërve në rrugën "Luçie Miloti" janë ngjitur me njëra-tjetrën. Në njërën prej tyre është e hapur dera e mortit, ndërsa shtëpia e autorit është e kyçur, gratë e tij dhe fëmijët nuk janë aty. 

Ora 10:25
Avokati i Arsen Muskurtit: U dorëzua vetë në komisariat, nuk e arrestoi policia! Ishte në gjendje të rënduar psikologjike, armën e kishte me leje

 

Avokati i Arsen Muskurtit foli për mediat sapo u dha masa e sigurisë duke thënë se autori nuk u arrestua nga policia, por u vetëdorëzua në komisariat. Sipas tij, autori ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike, ka bërë 7 kallëzime penale ndaj viktimave por pretendon se Policia e Shtetit nuk ka marrë masa.

Kështu avokati kërkon të hedhë poshtë deklaratën e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, i cili tha se autori u prangos vetëm pak orë pas ngjarjes nga policia dhe forcat RENEA.

“Është dorëzuar vetë, kam parë shumë trillime nga mediat, më ka dërguar mua personalisht që ta dorëzoj, kemi shkuar vetë në ambientet e komisariatit që ta bëjmë dorëzimin. Ka qenë në gjendje shumë të rënduar psikologjike. Merrte dhe mjekime. Ai ka kryer 7 kallëzime penale ndaj të ndjerit dhe ndjerës, ndërsa Policia e Shtetit nuk ka marrë asnjë masë. Kallëzimet janë sekret hetimor, nuk mund t’i nxjerrim. Por nuk është arratisur, jua bëj me dije. Që në vitin 2018, ka pasur probleme e merrte mjekime. Armën e ka pasur me leje dhe kemi paraqitur çdo lloj dokumentacioni të nevojshëm”, tha avokati.

Ora 09:59
Vrau vëllanë dhe kunatën në Tiranë, Arsen Muskurti përshëndet mediat në sallën e gjyqit (VIDEO)

 

Arsen Muskurti ka përshëndetur mediat nga salla e gjyqit ku do të njihet me masën e sigurisë për vrasjen e vëllasë dhe kunatës në Tiranë, ngjarje që tronditi opinionin publik 2 ditë më parë.