ELBASAN - Një 41-vjeçar nga Elbasani që punonte si efektiv sigurie ne një kompani privatë është vrarë me thikë nga ish-kolegu i tij, i cili e akuzonte se kishte ndikuar për ta larguar nga puna.

Agron Lleshanaku baba i dy fëmijëve ka qenë duke shkuar në punë rreth orës 7:00 të mëngjesit të sotëm kur është përballur me ish-kolegun e tij 27-vjeçarin Mariglen Brahja. Ky i fundit pas një debati e ka qëlluar me thikë në kraharor dhe në fyt duke i shkaktuar plagë të rënda. 41-vjecari ka ndërruar jetë rrugës për në spital si pasojë e gjakderdhjes. 

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Kryqëzimit Cërrikut në zonën e njohur si “Thertorja”. 

Shërbimet e policisë, në një hark kohor të shkurtër bënë të mundur identifikimin në kohë të autorit të dyshuar të kësaj ngjarje të rende.

Vetëm pak orë pas krimit 27-vjeçari, Mariglen Brahja është prangosur nga forcat e policisë së Tepelenës, ndërsa paraprakisht dyshohet se ai ishte nisur drejt Greqisë për t’iu larguar drejtësisë shqiptare. 

Mësohet se autori i krimit fajësonte 41-vjeçarin për largimin e tij nga puna, ndërsa burime pranë policisë thanë se viktima dhe autori kishin edhe konflikt për zonat ku mblidhnin skrap dhe hekurishte të tjera.