Komshiu sa herë që të takon të pyet "a u lodhe ? ose të përshëndet me mirsjellje duke të thënë "si i ke nga shpia?". Ndonjëherë këmbeni edhe informata metereologjike për probleme shëndetësore që lidhen me ndërrimin e stinëve, virozat, alergjitë, kockat që kërcasin, muskujt që dhembin. Deri këtu duket mirë. Por nga disa shenja të tjera si; picërrimi i syve, kthimi i beftë dhe i shpeshtë i kokës, kollitja pa shkak, teshtitja pa kriter, veshja me ngjyra provokative, deri te nderja e brekëve në ballkonin e tij që pikojnë mbi kanotjeret e tua në ballkonin tënd, pra nga ca shenja të tilla që ti si skile e vjetër i ke kapur me kohë, ke dalë me kohë në përfundimin se komshiu të urren pafund, të ka gjak në këmishë, mezi pret një rast me të vra. Mblidhe veten.
Merr masat. Sa ti vijë rasti komshiut me të vra ty komshiu, dy duar për një kokë, vrite ti komshiun. Dhe rehatoheni të dy. Ti mbrojte veten. Komshiu asgjësohet. Por po të ishte kaq e thjeshtë vrasja e komshiut s'do kishte mbetur shqiptar më këmbë. Që vrasjen e komshiut ta realizosh pa asnjë pasojë, komshiun para se ta vrasësh duhet ta njohësh. Për ta njohur komshiun, s'ke pse rrezikon ti hysh komshiut në shtëpi dhe të flasësh gjat e gjërë me të për të marrë vesh cilën ka parti të zemrës e cilën gazetë të preferuar, në cilin kanal ndjek lajmet e në cilin banak ka besim se thuhet e vërteta lakuriqe dhe nuk e zë gjumi pa e parë deri në fund. As nuk është e nevojshme të nxjerrësh nga kazani i plehrave qesen që komshiu sapo e hodhi për të parë brenda asaj qeseje preferencat gastronomike të komshiut, dhe në bazë të tyre të nxjerrësh konkluzionet përkatëse për secilën pyetje që të mundon, për secilin dyshim që të gërryen. Këto janë mënyra të vrazhda që u ka kaluar koha. Ka metoda më efikase dhe më të kollajta për ta njohur komshiun.
Nëse komshiun e ke pasunar apo kothere, koprac apo dorlëshuar, zemërgjerë apo shpirtkatran, dhe të tjera cilësi karakteriale që lidhen me qëllimet e tij ogurzeza ndaj teje të cilat të duhet ti dish para se komshiun ta vrasësh, mund të veprosh me nuhatje duke vënë në përdorim atë që prej kohësh e ke nënvlerësuar pa të drejtë, hundën. Nëse nga dritarja e komshiut te dritarja jote vjen çdo mëngjez aroma e trahanasë mos kij asnjë dyshim se komshiun e ke komunist të thekur. Nëse komshiu skuq vazhdimisht peshk, shenjë e sigurtë se është ballist. Po gjerbi pasditeve çaj mali ke të bësh me një anarkist. Po gjerbi çaj kamomili është kundër pluralizmit. Nëse nuk gjerb asnjë çaj është i çmendur, etj. etj. Ama me aromat dhe drejtimin prejnga ato aroma vijnë duhet të bësh shumë kujdes. Se po ngatërrove aromat, e fal ose e vret komshiun kot dhe bëhesh hasëm me ndonjë komshi tjetër që me këtë mesele nuk ka lidhje. Për të evituar të tilla belara respekto parimin e pagabeshëm leninist "Secili viktimën e vet", dhe mos vrit mendjen por vrit komshiun. Përndryshe bëhet lëmsh, bëhet Babiloni. Nuk e merr vesh vrasësi të vrarin. Ajo që nisi si një hakmarrje e domosdoshme ndërperaonale mes komshijsh, vazhdon si kaos, dhe s'dihet si përfundon, si rrebelim, kryengritje, luftë civile, a Zoti e di çfarë tjetër. Ore po deshe edhe mos e vrit komshiun. Halli se gjatë meditimeve të tua nëse komshiun duhet apo s'duhet ta vrasësh, komshiu nuhat çfarë je duke i kurdisur pas shpine dhe vjen të vret komshiu ty.
Që i bie të vrasësh veten me dorën e komshiut. Mund të jetë e vërtetë që pavarsisht trahanave që hani apo çajrave që pini, as ti as komshiu nuk keni arësye ta vrisni njëritjetrin. Kujdes biri im ! Nuk ka arësye më të qartë dhe kurth më të sigurtë se mungesa e arësyes për ta vrarë tjetrin. Çlirohu nga ankthi torturues duke e vrarë ti para se të vrasi ai. Mos u mendo a duhet me e vra, a e meriton ta vrasësh. Të njëjtën gjë do bëj edhe komshiu. Provoni forcat kush do jetë më i forti, më i shpejti, më i shkathti. S'ke pse vuan një vuajtje që nuk e meriton. S'ke pse bashkjeton me një rrezik që nuk të përket. Përderisa i ke dhënë karar që dikush do bëhet viktima jote paderman dhe ai dikush të mos jetë babai yt, vëllai yt, apo ndonjë tjetër nga të vatrës tënde, ik vrite komshiun. Sa i përket momentit më të përshtatshëm, kur komshiu do jetë duke pirë kafe në qef të vet s'do ishte keq. Por më mirë me bukë në gojë. Madje edhe më mirë me mish në gojë. Sa i përket mjetit të vrasjes merr me vete një sqepar, ose sëpatën e mishit, atë turken me bisht të shkurtër dhe teh të mprehtë e të ndritshëm që e bleve një ditë kot, për ta pasur për dit' të zezë. Dhe mos e zgjat. Bjeri shkurt. Shko trokit.
S'ka rëndësi nëse komshiu del te dera i veshur apo i çveshur, me patollona apo me tuta, me pizhama apo me brekë. Rëndësi ka jo ta plagosësh, çka do ishte fatkeqsi për të dy, por ta vrasësh në çast me turken rrëzë qafës, që koka ti përplaset si bostan në dysheme, dhe gjaku vu. Mos u tut nga njerzit e shtëpisë. Do kesh mirkuptimin e tyre të plotë. Rastin për ta hequr qafe llapaqenin budalla që ua ka nxirë jetët ata kanë kohë që e presin. Nuk do i thonë Policisë që e vrave ti. Do ti thonë erdhi e vrau dikush që u largua në drejtim të paditur. Edhe varrosjen do ta bëjnë ata me kënaqësinë më të madhe me shpenzimet e tyre. Kthehu në shtëpi. Për të njëjtat arësye që vrave ti komshiun tënd, do vij të vrasi ty në shtëpinë tënde një komshi tjetër. Për të mos ua lënë në dorë familjarëve paqen tënde të përjetëshme, pa humbur kohë interesohu urgjent për varrimin tënd. S'ka rast më fatlum se ditët e vështira që po kalon Kombi ynë i lavdishëm për të vrarë, jo vetëm komshiun dhe komshinjtë, por edhe nënat, baballarët, vëllezërit, motrat, miqtë, mikeshat, bijtë, bijat, nipat, mbesat, farefisin, fshatin, qytetin, të gjithë njerëzit, derisa nga Konispoli në Vermosh të mbeten vetëm buburrecat.