Heshtja ka pllakosur në familje Kuqo në fshatin Rëmënj të Pogradecit. Sot ata kanë mësuar se djali i tyre, Dorian Kuqo dyshohet se është vrarë në Siri. Vdekja e tij mbetet ende e pakonfirmuar, por dyshimet u hodhën pas lajmit se një luftëtar kosovar u vra në Siri e të njëjtin fat kishte edhe një i ri nga Pogradeci. 

“Kam hall në kokë, nuk kam çfarë të them. Nuk dua të shikoj polici e gazetarë”,-kështu e ka shprehur dëshpërimin dhe dhimbjen babai i të riut, Meleq Kuqo teksa kërkon me insistim largimin e mediave. Banesa e varfër duket e heshtur, por dëshmitarët thonë se nëna e 25 vjeçarit, është parë e mbuluar me rroba të zeza për humbjen djalit të vogël. 

25 vjeçari prej dy vitesh luftonte përkrah ISIS, ndërsa vetëm pak kohë më parë kishte shkëputur komunikimin me familjarët. Banorët e fshatit teksa kanë mësuar ngjarjen nga mediat shprehen se ata e njihnin Dorian Kuqon si një besimtar të devotshëm, por nuk dinë të thonë se cfare e shtynë të nisej drejt Sirisë. Për ta është anormale që të rinjtë ta shohin të ardhmen e tyre duke luftuar për xhihad. 

Edhe këtë herë ashtu si me luftatrët e tjerë shqiptarë në Siri, lajmi për vdekjen e tyre mbetet i pakonfirmuar zyrtarisht. Lajmë të tilla as autoritet e Drejtorisë së Antiterrorit nuk mund ta konfirmojnë, pasi gjithçka ndodh në shtetin islam. 

Ndërkaq nga burime konfidenciale për shqiptarja.com mësohet se kanë qënë familjarët ata të cilët kanë mësuar lajmin e hidhur dhe kjo iu është bërë e ditur nga një i ri tjetër i këtij fshati i cili ndodhet në Siri.

Redaksia online
(S.m/shqiptarja.com)