JEMEN - Një shtetas nga Jemeni i cili punonte në stafin e sigurisë në ambasadën amerikane në kryeqytetin Sanaa është vrarë paraditen e së enjtes. Nga të dhënat e para prej zyrtarëve të ambasadës, mësohet se Qassem Aqlani ishte rrugës për në punë në momentin kur një person me motorr e qëlloi për vdekje.

Sipas agjencisë Asoçiated Press, Aqlani kishte gati 20 vite që punonte për ambasadën amerikane në Jemen. Ndërkohe, sipas një tjetër burimi, ai ishte ngarkuar të koordinonte një hetim për atë çka ndodhi në ambasadën amerikane muajin e kaluar. Në shenjë proteste ndaj filmit anti-islam të realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, demonstruesit sulmuan ambasadën, dogjën flamurin amerikan por fatmirësisht u zbrapsën nga forcat e sigurisë.

BBC shkruan se autori e kishte fytyrën të mbuluar dhe është larguar menjëherë nga vendngjarja pasi qëlloi për vdekje viktimën. Deri më tani asnjë grup nuk ka marrë përsipër vrasjen por zyrtarët lokale thonë se mënyra e sulmit ishte e stilit të militantëve të organizatës al-Qaeda.

Vëzhguesit deklaruan se këto sulme po vënë në shënjestër shërbimet ushtarake dhe inteligjente të Jemenit që po kryejnë bashkëpunime me Shtetet e Bashkuara në luftën ndaj al-Qaedas.

(dm/Shqiptarja.com)