TIRANE - Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së, i mbledhur më 14 shkurt 2013 për shqyrtimin e ankesave të paraqitura, pasi u njoh me relacionin e sekretariatit teknik, shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur, i diskutoi çështjet në tërësi, në përfundim mori vendimet e mëposhtme: futbollisti i Laçit Erjon Vucaj, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit dënohet me 1 ndeshje pezullim nga aktiviteti. Për hedhje të fishek zjarreve në fushën lojës, Skënderbeu dhe Vllaznia paralajmërohen me masa ndëshkimore në rast përsëritjeje të gjesteve të tilla në stadiumet përkatëse.

Luftëtari për hedhje të mjeteve ndezëse në fushën e lojës pa shkaktuar akte të dhunës dënohet me zhvillimin e 1 ndeshjeje pa spektatorë. Naftëtari për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të ndeshjes si dhe duke patur parasysh se janë përsëritës në shkelje të tilla disiplinore dënohet me zhvillimin e 6 ndeshjeve jashtë stadiumit përkatës. Lojtari i Lushnjes, Grizeld Dervishi, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit dënohet me 1 ndeshje pezullim nga aktiviteti. Zv. trajneri i Himarës, Shpëtim Imeraj, për protesta të vazhdueshme në fushën e lojës ndaj vendimeve të gjyqtarit dënohet me 2 ndeshje pezullim nga aktiviteti. Dënimi më i rëndë është dhënë për Vucaj dhe ekipin e Naftëtarit.