NATO ka reaguar pas letrës që presidenti serb Aleksandër Vuçiç i dërgoi sekretarit të përgjithshëm të Aleancës, Mark Rutte, ku kërkonte ndërhyrjen e KFOR-it për të ndaluar, sipas tij, hapjen e urës mbi lumin Ibër dhe veprimet e autoriteteve të Kosovës ndaj serbëve.
Në një përgjigje për Telegrafin, një zyrtar i NATO-s tha se Mark Rutte është në kontakt të rregullt me Vuçiçin. Ai sqaroi gjithashtu se KFOR-i ka nisur një proces gradual të ripozicionimit të forcave të tij në urën kryesore të Mitrovicës, si pasojë e përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.
Sipas NATO-s, ky është një proces i bazuar në vlerësimin e situatës në terren dhe mund të ndryshojë nëse zhvillimet e sigurisë e kërkojnë. Aleanca theksoi se gjithçka po zhvillohet në koordinim me institucionet e Kosovës, Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.
Zyrtari bëri të ditur gjithashtu se edhe përfaqësuesit lokalë janë informuar për këtë proces, përfshirë Listën Serbe. Sipas tij, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ulutaş, është takuar më 11 gusht me përfaqësues të kësaj force politike, me kërkesën e tyre, dhe vijon të mbajë kontakte të rregullta me institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë.
Vuçiç njoftoi një ditë më parë se i kishte dërguar një letër Mark Rutte-s, ku kërkonte që KFOR-i të ndalonte, sipas tij, "terrorin" ndaj serbëve, arrestimet, prishjen e shtëpive të tyre dhe hapjen e urës mbi lumin Ibër. U kry.











Komente
Komento