Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se nuk është optimist se mund të gjendet një zgjidhje kompromisi për tejkalimin e krizës në veri të Kosovës. Ai ka theksuar se Albin Kurti mund të bëjë çfarë të dojë sepse ka mbështetjen e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe dhe sipas tij, Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, nuk mund të bëjë asgjë për këtë.
Presidenti serb tha se shpallja e zgjedhjeve në veri të Kosovës "paraqet dëshirën për të shkaktuar rrëmujë dhe kaos, në të cilin përkrahje ka edhe Prishtina".
Vuçiç tha se në këtë moment nuk sheh kompromis sepse “Prishtina refuzon të sillet në mënyrë racionale dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”. Këto deklarata, presidenti serb i ka bërë para gazetarëve, pas takimit që pati me Borrell në Paris.
Sipas tij, përfaqësuesit evropianë nëse dëshirojnë mund t'i japin kushte Prishtinës, por shton se nuk do ta bëjnë këtë gjë.
“Është foshnja dhe fëmija i tyre që po kujdesen. Është e qartë se gjermanët janë ata që u ofrojnë mbështetje për të gjitha aktet ilegale si dhe Britania e Madhe që është jashtë Bashkimit Evropian”, tha Vuçiç.
Vuçiç tha se Borrelli dhe i Dërguari i BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Mirosllav Lajçak i kanë treguar se çfarë kanë biseduar më herët sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti , dhe ka shtuar se ata nuk kanë qenë optimistë pas asaj bisede.
“Çfarëdo që të bëjë Kurti, ai do të ketë mbështetjen e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe... Serbia nuk do të heqë dorë nga Kosova, por ne duhet të gjejmë një zgjidhje kompromisi”. A dëshiron Britania të heqë dorë nga Skocia, nuk do ta bëjë”, tha Vuçiç, raporton Nova.rs.
I pyetur lidhur me shpalljen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, ai tha se qëllimi ishte dëbimi i popullit serb nga veriu i Kosovës dhe shkaktimi i trazirave dhe kaosit, Vuçiç u përgjigj:
“Ju e keni të qartë se ata po përgatiten për këtë dhe se dikush po i mbështet në këto afera të pista dhe luftarake”.
Marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit janë ende të tensionuara për shkak të vendimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për fillimin e zbatimit të planit në tri faza për ri regjistrimin e makinave me targa serbe brenda territorit të Kosovës.
Veriu i Kosovës pati tensione, protesta, dorëheqje të kreut të Listës Serbe e deputetëve dhe largim të serbëve nga institucionet shtetërore. I nxitur nga këto tensione, kreu i qeverisë së Kosovës u shpreh se nuk do tërhiqet nga ky vendim dhe çdo provokim nga ana e Serbisë bëhet me qëllim prishjen e marrëveshjeve të 2013 madje dhe tentativë për t’iu shmangur negociatave për propozimin franko-gjerman.