Aleksandër Vuçiç ka vizituar sot Luginën e Preshevë. Vizita e kryeministrit serb vjen 6 javë pas vizitës në Tiranë. Për garantimin e sigurisë së Vuçiç u angazhuan mbi 500 policë dhe 27 snajperistë.  
 
Pas takimit me kreun e bashkisë së Preshevës, Ragmi Mustafen,  Vuçiç iu drejtua me fjalët: “Mos më thuaj që jam kryeministri i parë që vizitoj Preshevën?”.

Mediet lokale duke krahasuar këto dy vizita, shkruajnë se ato dallojnë shumë nga njëra-tjetra. Veç atmosferës së zbehtë për kryeministrin serb, pasi nuk u prit nga mijëra qytetarë siç ndodhi me Ramën gjithashtu për Vuçiçi nuk pati tapet të kuq.

Vuçiç në një salle të improvizuar në këmbë, mbajti një konferencë të shkurtër për mediet, i cili iu përgjigj 2-3 pyetje të gazetarëve serbë edhe lokale. Njëra nga pyetjet ishte për përshtypjet e tij në Preshevë, ku kryeministri serb Vuçiç pohoi se “unë, sigurisht jam kryeministri i parë që vizitoj Preshevën”.
 
Në vazhdim ai tha se “në fakt kjo është vizita e parë e një kryeministri serb dhe pas 18 vitesh rihapet materniteti këtu tek ju në Preshevë, për këtë falënderoj padyshim komunitetin ndërkombëtar, në veçanti BE, qeverinë dhe natyrisht edhe ata tuajt.”

Më tej ai tha me shaka: “Ragmi këta të tutë mund të kishin dhënë më shumë se 50 mijë euro, këtë do t’ia them Edi Ramës kur të dëgjohem me të pasdite por i falënderohem edhe atyre që i kanë dhënë 50 mijë euro për këtë maternitet”. 

Më pas Vuçiç u pyet edhe për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ku kryeministri serb anashkaloi këtë pyetje duke pohuar se “qëndrimet e Serbisë në këtë drejtim janë të qarta.”
 
Në fund të kësaj konference shtypi, Vuçiç po ashtu premtoi se do të avancojë zhvillimin ekonomik të rajonit me investime të larmishme.
 
Kryetari i komunës së Preshevës ka thënë se disa ministra nga qeveria e shkuar nuk e kanë “ditur fare që Presheva gjendet në Serbi” dhe se shqiptarët dinë të vlerësojnë vizitën e tij.