Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u ka bërë thirrje partive shqiptare në Serbi që të unifikohen në një listë të përbashkët, për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit që do të mbahen në Serbi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shkruan se zgjedhjet e reja në Serbi janë një mundësi e madhe për shqiptarët në Preshëvë, Medvegjë e Bujanoc, që të forcojnë përfaqësimin e tyre në Kuvendin e Serbisë.

Meta ka theksuar gjithashtu se është momenti që partitë politike shqiptare të vendosin interesin e përfaqësimit kombëtar mbi dallimet politike.

Reagimi i Metës (i cili ndodhet në paraburgim prej tetorit të vitit 2024) vjen pasi sot, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nënshkroi dekretet për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 25 tetor.

Reagimi i Metës:

Zgjedhjet e reja në Serbi më 25 tetor janë një mundësi e madhe për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë që të forcojnë përfaqësimin e tyre në Kuvendin e Serbisë.

Ky është një moment i rëndësishëm për unifikimin e të gjitha partive shqiptare në një listë të përbashkët, duke vendosur interesin e përfaqësimit kombëtar mbi dallimet politike.

Vetëm të bashkuar shqiptarët mund të sigurojnë një përfaqësim shumë më domethënës dhe zë më të fuqishëm në Kuvendin e ardhshëm të Serbisë.