Vuçiç takim me Olaf Scholz, presidenti dhe kancelari gjerman do të bisedojnë për Kosovën

Vuçiç takim me Olaf Scholz, presidenti dhe kancelari gjerman do të bisedojnë për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se gjatë Samitit të Bashkësisë Politike Evropiane, që mbahet në Mbretërinë e Bashkuar më 18 korrik, Ukraina do të jetë tema kryesore. Ai tha po ashtu se një ditë më vonë në Beograd do të takohet me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, me të cilin do të bisedojë për Kosovën.

“Tema kryesore për ta në samit do të jetë Ukraina. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të vijë, prandaj ata do të tregojnë unitet”, tha Vuçiq për televizionin Pink.

Takimi i katërt i Bashkësisë Politike Evropiane do të mbahet të enjten dhe do të mbledhë krerët e shteteve apo qeverive të afër 50 shteteve në Pallatin Blenheim, afër Londrës. Në mesin e tyre do të jetë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Serbia është një prej shteteve të pakta evropiane, që pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian dhe partnerëve perëndimorë, deri më tani ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Zyrtarët nga NATO-ja, OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës do të jenë pjesëmarrës në samit.

Sipas njoftimit, pjesëmarrësit në samit do të diskutojnë për përmirësimin e raporteve dypalëshe dhe shumëpalëshe me qëllim të forcimit të sigurisë dhe stabilitetit, por edhe për energjinë dhe migrimin në kontinentin evropian.

Vuçiq foli edhe për vizitën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në Serbi më 19 korrik. Ai tha se gjatë kësaj vizite do të zhvillojë “një takim privat dhe shumë të gjatë” me udhëheqësin gjerman. Ky takim do të mbahet pas nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi sa i përket mineraleve.

“Ne do të bisedojmë për rrugën evropiane të Serbisë, për raportet tona politike, pra edhe në lidhje me ‘Kosovën dhe Metohinë’. Do të bisedojmë për situatën në rajon, por po ashtu edhe për zhvillimin ekonomik, për reformat dhe anëtarësimin në tregun e përbashkët evropian”, tha Vuçiç.

Vizita e Scholzit në Beograd u bë e ditur nga një zëdhënës i Qeverisë gjermane më 17 korrik. Së bashku me të, në Serbi do të udhëtojë edhe zëvendëspresdienti i Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviq.

Ata do të marrin pjesë në samitin për lëndët e para. Gjatë këtij samiti, Serbia do të nënshkruajë një memorandum mirëkuptimi me BE-në për partneritet strategjik sa i përket lëndëve të para, furnizimet me bateri dhe makinat elektrike.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë gjermane, kjo ka të bëjë me projektin e minierës së litiumit në Serbi./REL

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?



×

Lajmi i fundit

Eksperti i PD-së: Rënia e Euros rrit çmimet, qeveria të jetë më e kujdesshme me kursi

Eksperti i PD-së: Rënia e Euros rrit çmimet, qeveria të jetë më e kujdesshme me kursi