Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar mbrëmjen e sotme se në takimin me emisarët specialë të dërguar nga SHBA dhe BE, i është bërë me dije se nëse Serbia nuk pranon propozimin e tyre për planin franko-gjerman mbi Kosovën, do të ndërpritet procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Vuçiç shtoi se të dërguarit specialë i kanë thënë se Serbia do të përballet me ndalimin dhe tërheqjen e investimeve që do të sillte probleme ekonomike për vendin.
“Po t’i kisha përzënë dhe të thosha që nuk do të negocioja, regjimi ynë pa viza do të ishte hequr. Gjëja e dytë që do të na ndodhte është se nuk do të kishim më investime dhe investitorët do të tërhiqeshin”, shpjegoi ai.
Mirëpo, siç shtoi ai, i ka bërë të qartë atyre se çfarë është e papranueshme për Serbinë. Në fillim ai theksoi se të gjithë e kanë parë në media versionin e parë të planit franko-gjerman në ditët e kaluara, i cili nuk ka asnjë ndryshim nga versioni i dytë.
“Kam frikë se askush nuk donte të fliste për kontekstin. Kur shikon një letër, nuk është e lehtë të gjesh diçka për të cilën të emocionohesh. Përkundrazi”, tha presidenti serb.
Sipas tij, rrethanat gjeopolitike kanë ndryshuar, Evropa është në luftë dhe lind pyetja se çfarë ka kontribuar tjetër për një qasje kaq të ashpër ndaj Serbisë.
“Konteksti i plotë rajonal evropian është i tillë që pas shpërthimit të konfliktit ukrainas-rus, ai u bë një nga problemet më të mëdha për Serbinë, sepse jemi në radarin e të gjithëve, sepse nuk vendosëm sanksione ndaj Rusisë dhe për shkak të provokimeve të vazhdueshme të Kurtit”, tha Vuçiç.
Vuçiç gjithashtu bëri të ditur se ka qenë gjithmonë kundër konfliktit të ngrirë, të cilin e konsideron si zgjidhjen më të keqe të mundshme.
“Jam i shqetësuar se nuk ka qasje racionale për zgjidhjen e problemit. Çfarëdo që thashë, bazuar në fakte dhe letra, kuptova se koha e arsyes kishte mbaruar. Ata kanë axhendën e tyre – disfata e Rusisë dhe gjithçka në rrugën e tyre do të fshihet. Kur them se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të bëhet fillimisht, ata thonë se nuk është realiste dhe se duhet të përfshihet në një marrëveshje tjetër. Asnjë argument objektiv dhe racional nuk do të kalojë. Ne duam kompromis dhe bisedime. Të dyja palët duhet të bëjnë lëshime. Edhe ne e kemi kuptuar këtë, por problemi është kur njëra palë mund të bëjë çfarë të dojë dhe të shpërblehet me një regjim pa viza”, u shpreh presidenti serb.
Plani franko-gjerman ndahet në 9 pika si më poshtë:
- 1.Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën bazuar në të drejta të barabarta.
- 2.Kosova dhe Serbia do të udhëhiqen nga aspiratat e tyre reciproke për anëtarësim në BE.
- 3.Në përputhje me MSA-në [Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit] të nënshkruara nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.
- Ata riafirmojnë paprekshmërinë tani dhe në të ardhmen e kufirit/kufirit që ekziston mes tyre dhe marrin përsipër të respektojnë plotësisht integritetin territorial të njëri-tjetrit.
- 4.Kosova dhe Serbia vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga dy palët nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare dhe as të veprojë në emër të saj.
- 5.Kosova dhe Serbia do të promovojnë marrëdhënie paqësore në Ballkanin Perëndimor dhe do të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal në Evropë.
- 6.Kosova dhe Serbia vazhdojnë me respektimin reciprok të juridiksionit të secilës palë.
- Kosova dhe Serbia deklarojnë gatishmërinë e tyre për të rregulluar çështjet praktike dhe humanitare në procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Ata do të lidhin marrëveshje me synimin për të zhvilluar dhe promovuar në bazë të këtij Traktati dhe për përfitimin e tyre të ndërsjellë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit, marrëdhënieve gjyqësore, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, sportit, mjedisit. mbrojtjes dhe në fusha të tjera. Detajet janë rënë dakord në Protokollin Suplementar.
- 7.Kosova dhe Serbia do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverisë përkatëse.
- 8.Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.
- 9.Kosova dhe Serbia pajtohen që ky Traktat nuk do të ndikojë në traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe të lidhura tashmë prej tyre ose që kanë të bëjnë me to.
Kujtojmë se fillimisht dritë mbi planin franko-gjerman hodhi presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Rishtazi, marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit janë ende me tensione për shkak të vendimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për targat brenda territorit të Kosovës. Veriu i Kosovës pati tensione, protesta, dorëheqje të kreut të listës serbe dhe deputetëve në veri madje edhe mungesë përkrahjeje nga ndërkombëtarët. I nxitur nga këto tensione, kreu i qeverisë së Kosovës u shpreh se nuk do tërhiqet nga ky vendim dhe çdo provokim nga ana e Serbisë bëhet me qëllim prishjen e marrëveshjeve të 2013 madje dhe tentativë për t’iu shmangur negociatave për propozimin franko-gjerman.