Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Aleksander Vulin, sot dhe nesër viziton Kosovën. 

Autoritetet e Kosovës e konfirmojnë për shqiptarja.com se për këtë vizitë Vulin ka marrë leje nga Qeveria e Kosovës.

Duke konfirmuar vizitën, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, bën të ditur se vizita po bëhet me leje të Qeverisë. 
Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të ofruar siguri gjatë kësaj vizite e cila ka karakter religjioz, tha Kelani. 

Ndërkohë, zyra e Bashkimit Evropian, e cila për vizita dhe dhënien e lejeve paraprake vepron si lehtësuese në komunikim, nëpërmjet postës elektronike, thotë se BE inkurajon të gjitha palët që t`i respektojnë parimet, për të cilat është arritur pajtim dhe t`i shfrytëzojnë mundësitë për vendosjen e raporteve të mira fqinjësore në linjë me perspektivën evropiane të rajonit. 
Bazuar në këtë rol diplomatik, Zyra e BE-së në Kosovë nuk ka komentuar asgjë rreth kësaj vizite. Ndërkohë mediat serbe thonë se Vulin gjatë vizitës dyditore dhe të parë që nga marrja e postit të ri, do t`i vizitojë Prizrenin, Shtërpcën, Rahovecin dhe Hoçën e Madhe. 

/rg/shqiptarja.com/