Një vëzhgim i Report TV nxjerr në pah se tragjedia e fëmijës që u përplas për vdekje nga dy makina teksa lypte, qartazi ka trembur shumë të tjerë. Në rrugët e Tiranës nuk sheh më grupe fëmijësh që kërkojnë lëmoshë. Gjatës vitit 2025, vetëm në kryeqytet, janë evidentuar 128 raste të shfrytëzimit të fëmijëve për të lypur, por identifikimi i tyre sipas autoriteteve është i vështirë pasi shumica vijnë nga rrethet. Policia ka nisur një aksion për të arrestuar grupet që i nxjerrin në rrugë, megjithatë, shumë pak është bërë për rehabilitimin e tyre dhe integrimin në shoqëri
***
Pas aksidentit ku humbi jetën 7-vjeçari duke lypur, situata sot, është ndryshe. Banorët pranë Kthesës së Kamzës në Tiranë thonë se nuk kanë parë më fëmijë në trotuare apo mes makinave.

Rruga te kthesa e Kamzes ku vdiq 7-vjeçari. Nuk shihet asnjë lypës
I vogli 7-vjeçar ndërroi jetë tragjikisht më 24 shkurt pranë kthesës së Kamzës. Një shofer që i dha lëmoshë, nuk e pa kur fëmija ishte përkulur para makinës së tij, dhe e shtypi sapo semafori u hap jeshil. Mbi trup i kaloi edhe një makinë e dytë. Të dy shoferët janë të arrestuar dhe do të përballen me drejtësinë.
Por ajo që shqetëson dhe mbetet një fenomen ende i pa luftuar në gjenezë, është shfrytëzimi i fëmijëve nga grupe apo edhe familjarë të tyre, për të lypur, kryesisht fëmijë të komunitetit romë, siç ishte dhe 7-vjeçari që u përplas për vdekje.
“Është një familje e cila nuk ishte e regjistruar në Gjendjen Civile të Bashkisë së Tiranës, por në Gjendjen Civile të Bashkisë Bulqizë. Familja e tij jeton me qira në njësinë numër 11. Nuk kishim asnjë indicie që kjo familje lypte”, thotë Dritan Dango, drejtor i përgjithshëm i mbrojtjes civile dhe shërbimeve ndaj qytetarit në bashkinë e Tiranës.
Kjo tragjedi ka ndikuar që sot, në kryqëzimet kryesore të rrugëve në Tiranë, në zonat ku ata shpesh dilnin, të mos shihen fëmijë që lypin. Nuk sheh as në rrugën pranë QSUT-së, as në zonën e ish-bllokut, dhe as sa kalon Laprakën.
Dritan Dango, drejtor i përgjithshëm i mbrojtjes civile dhe shërbimeve ndaj qytetarit në bashkinë e Tiranës, tha në një intervistë për Report Tv, se gjatë vitit 2025, janë zbuluar 128 raste të shfrytëzimit të fëmijëve për të lypur në kryeqytet.
“Në qendrën strehëza që ne e kemi 48 orëshe, është e ndaluar të strehohen fëmijë në moshën 18 vjeç, për shkak të abuzimeve që mund të kenë atje nga personat që qëndrojnë atje. Në hapin e parë ne bëjmë integrimin duke e çuar familjen në qendrën sociale, ku nga ora 08:00 deri në 16:00 ata marrin një shërbim, ku edhe mund të konsumojnë edhe drekën. Bashkia Tiranë mundohet që edhe fëmijën ta integrojë në shkollë. Prindi tërhiqet, shkon 1 muaj në qendrën sociale, dërgon fëmijën 2 javë në shkollë dhe pastaj del prapë në rrugë dhe lyp. Në këtë rast bashkia çon prindin për denoncim në policinë e Tiranës”, thekson Dango.
Por më shumë se fati i keq i të miturit, që jeta e tij u ndërpre në mes duke kërkuar lëmoshën e qytetarëve, ata që ekspertë të fushës thonë se janë grupe të organizuara për shfrytëzimin e fëmijëve për të lypur, i ka trembur edhe policia.
Një aksion ka nisur në Tiranë, që së fundi çoi në pranga 8 persona, që i nxjerrin me detyrim fëmijët nga Elbasani në kryeqytet, për të shitur lule e për të lypur tek këmbësoret dhe tek shoferët gjatë kohës që makinat ndalen në semafor.
Megjithë çfarë ndodh, aksionet e policisë, por edhe vëmendjen jo të duhur të shërbimeve sociale për të trajtuar rast pas rasti, shfrytëzimet ndaj fëmijëve shtohen kur të tjerët festojnë.
“Janë fëmijë që vijnë nga rrethet jashtë Tiranës, Elbasani, fieri, Mallakastra, Durrësi dhe shumë qytete të tjera. Në muajin e Ramazanit dhe periudhën e festave patjetër që këta shtohen. Ne kemi për detyrë vetëm t’i drejtohemi bashkisë në të cilën ata fëmijë janë të regjistruar”, vijon Dango.
E tillë është dhe një grua që shihet me fëmijët e saj, teksa i kërkojnë para shoferëve pranë xhamisë së Namazgjasë.

Nje grua me femijet duke lypur pranë xhamisë së Namazgjasë
Apo një zonjë në rrugë me foshnjën në krah.

Një grua me foshnjen duke kërkuar lëmoshë
Brenda komunitetit, lypja justifikohet.
“Gjynah, del për bukën e gojës, romët nuk kanë mbështetje”, thotë një banor i komunitetit rom.
Por apeli për ndërhyrjen e shtetit për t’i shpëtuar përfundimisht fëmijët nga situata e rrugës, nuk mungon.
“Gjynah, krim është. Nuk është krim për atë fëmijë. Ku ka masa sot”, thotë një qytetare tjetër.
Report Tv kërkoi edhe një reagim nga Shërbimi Social Shtetëror, që drejtohet nga Reme Lala, por nuk ka marrë ende asnjë përgjigje.
Komente












