Shtypi Amerikan njofton sot për vendimin e Bordit ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për t'i dhënë "njohjen e përkohshme" Komitetit Olimpik të Kosovës.

Sipas KosovaPress, e përditshmja amerikane "The Washington Post" thekson se "nëse gjithçka shkon sipas planit, kjo do të thotë se në Lojërat e ardhshme Olimpike në Rio më 2016, sportistët nga Kosova do të garojnë nën flamurin e tyre".

"Ky veprim u kundërshtua nga zyrtarët Olimpik serbë, të cilët kanë punuar për të bllokuar pranimin ndërkombëtar të Kosovës," shkruan gazeta tjetër, Miami Herald dhe citon zyrtarët serbë që deklarojnë se "kjo ishte një precedent, sepse asnjë komitet kombëtar olimpik nuk është bërë anëtar i KON-it para se vendi të bëhet anëtar i Kombeve të Bashkuara.' Miami Herld citon edhe kryeministrin në detyrë, Hashim Thaçi i cili thotë se "hapi i ardhshëm do të jetë Olimpiada në Rio". Sportistja më e njohur e Kosovës, Majlinda Kelmendi, kampione botërore e xhudos, kishte shpresuar ta përfaqësonte Kosovën në Olimpiadën e Londrës më 2012, mirëpo në vend të saj garoi për Shqipërinë.

"Anëtarësimi i Kosovës në KON do të hapë dyert e mundësive për sportistët tanë të rinj," citohet të ketë deklaruar Majlinda për BBC-në më 2012, sipas kanalit NBC Sports. Ndërkaq programi në anglisht i Zërit të Amerikës thoshte se 'KON-i e mori vendimin në interes të sportistëve të Kosovës për të hequr çdo paqartësi në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në eliminatoret për Lojërat Olimpike më 2016 në Rio.

ATSH