Ushtria amerikane ka rritur ndjeshëm praninë e saj pranë Iranit, duke zhvendosur mbi 150 avionë në baza ajrore në Evropë dhe Lindjen e Mesme, sipas të dhënave të gjurmimit të fluturimeve dhe imazheve satelitore të analizuara nga The Washington Post.

Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se ky mobilizim tejkalon përmasat e forcave të vërejtura para sulmeve të SHBA-së ndaj programit bërthamor iranian në qershor të vitit të kaluar. Sipas tyre, burimet e grumbulluara tregojnë një fushatë ajrore shumëditore, pa pushtim tokësor.

Dhjetëra avionë shtesë ndodhen në aeroplanmbajtësen USS Gerald R. Ford, e cila u pa pranë brigjeve të Kretës më 23 shkurt, ndërsa avionët luftarakë amerikanë F-22 Stealth janë vendosur në një bazë ajrore në jug të Izraelit, sipas The Times of Israel. Gerald Ford është aeroplanmbajtësja e dytë e dërguar në rajon, duke bërë që rreth një e treta e flotës aktive amerikane të jetë e përqendruar në Lindjen e Mesme.

Prania aktuale e forcave amerikane në rajon është ndër më të mëdhatë në mbi dy dekada, që nga Lufta e Irakut në vitin 2003. Mobilizimi vjen pas paralajmërimeve të Presidentit Donald Trump, i cili ka kërcënuar se do të sulmojë Iranin nëse nuk arrihet një marrëveshje për frenimin e programit bërthamor. Zyrtarët iranianë kanë lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje, por kanë theksuar se procesi kërkon kohë.

“Niveli i jashtëzakonshëm i fuqisë së akumuluar do të thotë që ushtria amerikane mund të ekzekutojë çfarëdo që vendos Trump – nga një fushatë e qëndrueshme e lëvizshme deri te sulme më të synuara dhe të kufizuara,” – tha Dana Struhl, ish-zëvendësndihmëssekretare e mbrojtjes për Lindjen e Mesme.

Sipas Mark Kansian, këshilltar i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, një fushatë ajrore e gjerë njëjavore do të kërkonte edhe më shumë mjete ushtarake.

Shumica e avionëve të evidentuar në gjurmimet e fluturimeve janë avionë transporti dhe furnizimi me karburant, ndërsa avionët luftarakë shpesh i kanë të çaktivizuara të dhënat e vendndodhjes, duke i bërë më të vështirë për t’u identifikuar pa imazhe satelitore.

Një destinacion kyç për avionët amerikanë është Baza Ajrore Muwafaq Salti në Jordani, ku imazhet satelitore të premten treguan mbi 60 avionë luftarakë, përfshirë më shumë se një duzinë F-35 të rreshtuar në pistë. Këta avionë përdoren për të neutralizuar mbrojtjen ajrore të armikut dhe kanë aftësi të avancuara të luftës elektronike.

“Çfarëdo që qeveria amerikane dëshiron të bëjë me Iranin, synimi është ta realizojë me intensitet të lartë, por shpejt dhe me rrezik minimal për pasoja negative,” – përfundoi eksperti Bru.