Burimet që janë përdorur më së shumti nga diplomatët amerikanë për të “depërtuar” prapa “perdes së hekurt”, që e ndante Shqipërinë me botën, kanë qenë kryesisht delegacione tregtare perëndimore që vizitonin Tiranën.
Por, më tepër, ata u besonin informacioneve të atyre që ishin me mision në Shqipëri, duke përfaqësuar shtetet e tyre. Këtu përfshiheshin italianët, francezët, grekët, jugosllavët, etj. Kabllogramet e mëposhtëm janë pikërisht analiza shumë të hollësishme të situatës në Shqipëri, parë me sytë e diplomatëve perëndimorë. (Foto: Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu në vitet 1970 )
4 SHKURT 1976
Shqipëria
Sekret
Ambasada Romë
Gjatë një bisede me një zyrtar të ministrisë së Jashtme, ambasadori italian në Tiranë e ka përshkruar situatën në Shqipëri si të tillë, që po shkon keq e më keq dhe ka thënë se vendi po i ngjan një kampi përqendrimi. Sipas tij, atmosfera është acaruar aq shumë sa shqiptarët e kanë të rrezikshme të takohen me një të huaj, thjesht për ta përshëndetur.
Sipas ambasadorit, si rezultat i spastrimeve, elita drejtuese është reduktuar në numër në mënyrë të ndjeshme dhe është trembur. Nga ana tjetër, Enver Hoxha është duke rënë nga shëndeti dhe ambasadori dyshon se do të mund të mbajë edhe për shumë kohë.
Ai raporton se ka parë një dosje mjekësore të Hoxhës, të përgatitur nga një ekip mjekësh francezë, që e kanë vizituar në Tiranë, ku del se vuan nga diabet i avancuar dhe probleme të dobësimit të sistemit të qarkullimit të gjakut. Po kështu, thotë ambasadori, edhe kryeministri Mehmet Shehu nuk është në ditët më të mira të shëndetit të tij, por gjendja e tij nuk është aq serioze sa e Hoxhës.
Një tjetër anëtar i udhëheqjes i sëmurë, gjithnjë sipas ambasadorit, është edhe ideologu i partisë Hysni Kapo, i cili ka qenë në Francë për trajtim mjekësor.
Ambasadori ve në dukje se në Shqipëri zotëron një situatë paranojake, me strehime dhe bunkerë që po shtohen në kufijtë me Jugosllavinë, përgjatë bregdetit Adriatik, por edhe në zona urbane dhe buzë rrugëve. Ammasadave të huaja, përfshirë asaj italiane, u është kërkuar që të ndërtojnë strehime në territoret e tyre, gjë që ambasadori italian e ka refuzuar.
Ndoshta duke pasqyruar nja aktivitet në rritje të ndërtimeve ushtarake, thekson ambasadori, Shqipëria nuk po eksporton më çimento drejt Polinisë, në të kundërt, ka nisur importin.
Një shenjë tjetër se Shqipëria i trembet një agresioni nga jashtë është edhe fakti që zv.ministri i Jashtëm [ Ksenofon ] Nushi e ka pyetur në dhjetor ambasadorin në se NATO do të ndërhynte në rast se Jugosllavia do të sulmohej nga vende të Traktatit të Varshavës. (Një javë më pas, ambasadori jugosllav e pyeti në se NATO do të ndërhynte në Shqipëri në rast se ajo sulmohej?)
Lidhur me të ardhurit rishtaz në burokraci, ambasadori tha se të gjithë duken të ardhur nga aparati i partisë dhe janë zgjedhur në bazë të besnikërisë ndaj klikës Hoxha-Shehu. Ambasadori ka përmendur si të tillë Pali Miskën dhe Llambi Gegpriftin midis atyre që janë në moshë 40-50 vjeç.
Sipas ambasadorit, marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare janë duke u përkeqësuar. Ndërkohë, nuk shihte probleme madhore në marrëdhëniet e Tiranës me Kinën, veç faktit që shqiptarët duket se u kërkojnë kinezëve më shumë se sa u japin këta të fundit, në fushën ushtarake dhe të ndihmës ekonomike.
Si një shenjë të thellimit të vijës izolacioniste të regjimit, ambasadori ka përmendur mospërtëritjen e marrëveshjeve 5-vjeçare të vendit me Poloninë, Çekosllovakinë, Gjermaninë Lindore dhe Bullgarinë. Një delegacion tregtar kishte qenë në Romë, por u shquan përpjekje për zgjerim serioz të marrëdhënieve në këtë fushë.
3 PRILL 1975
Zhvillime shqiptare
Konfidencial
Ambasada Romë
Një zyrtar i ministrisë së Jashtme i ngarkuar me çështjet shqiptare na ka informuar lidhur me përmbajtjen e një kabllogrami të ambasadorit italian në Tiranë Renato Ferrara. Sipas ambasadorit duket se problemet në udhëheqje gjatë vitit të kaluar janë zgjidhur, por ai konstaton shenja tensioni dhe pastabiliteti në parti.
Tanimë kriza është zgjidhur nga Enver Hoxha, i cili vendosi një kontroll të rreptë mbi ushtrinë. Duke qenë se kontrollin mbi sigurinë e ka Kadri Hazbiu, që është i afërt me Mehmet Shehun, lidershipi i Hoxhës aktualisht ka nën kontroll të plotë të gjitha mjetet e pushtetit në Shqipëri.
Sipas Ferrarës, është vënë re se ka pasur një përplasje në udhëheqje midis partizanëve të vijës së ashpër në politikën e jashtme me ata që kërkojnë një politikë të jashtme më të moderuar.
Viktima, përveç ministrit Balluku, janë edhe : Petrit Dume, zv.ministër i Mbrojtjes; dy zv.ministra të paidentifikuar dhe shefi i Shtabit Merkollari, ndërkohë që gazeta Zëri i Popullit ka dhënë dy emra të rinj si zv.ministra: Veli Llakaj dhe Llambi Gegprifti. Ndërkohë, nuk duket prej një kohe të gjatë zyrtari i ministrisë së jashtme Skënder Konica apo edhe drejtori i Albimportit.
Në një artikull të shkruar për revistën teorike Rruga e Partisë nga Hysni Kapo, anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i KQ, tema qendrore ishte ajo se çdo zbutje e luftës për të forcuar rolin udhëheqës të partisë mund sjellë rreziqe, gjë, që e dinë mirë armiqtë e brendshëm e të jashtëm.
Sipas Kapos, partia duhet të ruajë vigjilencën ndaj rreziqeve të mundshme nga armiqtë e përmbysur e të shpronësuar, nga ata që degjenerojnë në armiq të klasës, nga mbeturinat e së kaluarës dhe njerëzve të ndikuar nga jashtë.
Sipas ambasadorit, kjo tregon një gjendje tensioni dhe pastabiliteti që karakterizon situatën aktuale në jetën e brendshme të partisë.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)