/ATSH-TANJUG/ - Ambasadori gjerman në Serbi, Heinz Wilhelm beson se kancelarja gjermane Angela Merkel nuk do ta vizitojë Beogradin për t'i vendosur kushte të reja Serbisë.
"Normalizimi I marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës është thelbësor dhe pa realizimin e kësaj nuk ka hapje apo mbyllje të kapitullit 35, që do të thotë se nuk ka progres. Unë jam shumë i sigurtë se nuk do ketë kushte të reja", u shpreh Wilhelm për televizionin B92.

Ai shtoi se vizita e kancelares ishte një shenjë e mirë, pasi ajo nuk do të shkonte në Serbi nëse vendi nuk do të kishte bërë progres.

Kur iu kërkua të komentonte mbi spekulimet se Gjermania ka në plan të rikthejë sistemin e vizave me Serbinë, Wilhelm tha se është e pamundur pasi një shtet nuk mund të përfshihet në negociata parapranuese me një vend tjetër dhe në të njëjtën kohë t'i rivendosë sistemin e vizave qytetarëve të tij.

"Gjendja aktuale është shumë më e mirë krahasuar me atë të tre viteve më parë, kur unë kam ardhur këtu. Ndryshimet pozitive janë të dukshme. Mendoj se Serbia tashmë është një anëtar konstruktiv në rajon", u shpreh Wilhelm./