TIRANE – Ish-ambasadori i SHBA në Tiranë, John Withers, e ka cilësuar tragjedinë e Gërdecit një “akt kriminal” e verteta për të cilën është sabotuar nga qeveria shqiptare. Deklaratat bombë ish-ambasadori amerikan në Shqipëri i ka bërë në një intervistë për revistën “Java” e cila do të publikohet nesër.

Qeveria shqiptare “ka ushtruar në maksimum pushtetin e saj për të mos lejuar që e vërteta të dalë në shesh”, tha ish-ambasadori në intervistën disa pjesë të së cilës janë bërë publike.

“Reagimi i qeverisë ndaj tragjedisë së Gërdecit mbetet një prej dështimeve të saj më të mëdha. Nuk duhet harruar kurrë se në radhë të parë Gërdeci është një tragjedi njerëzore. Njerëzit humbën të dashurit e tyre, përfshirë fëmijët, në një ngjarje që mund të përshkruhet vetëm si një akt kriminal. Është një përgjegjësi themelore e qeverisë që të garantojë që drejtësia të vihet ne vend dhe që viktimat e kësaj bëme të tmerrshme të shohin, që ata që mbajnë përgjegjësinë ligjore e morale për këtë krim, të japin llogari për veprimet e tyre. Por, qeveria shqiptare jo vetëm që ka neglizhuar zbardhjen e të vërtetës së Gërdecit, por në fakt, ka ushtruar në maksimum pushtetin e saj, për të mos lejuar që e vërteta të dalë në shesh”, ka deklaruar Withers.

“Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës janë ngritur pikëpyetje të tjera - shpjegoi - Askush nuk e ka mbrojtur më fuqimisht sesa unë pavarësinë e gjyqësorit shqiptar. Por edhe për ata që besojnë fort në autonominë e gjykatave, këto vendime janë të çuditshme, e madje zhgënjyese. Rast pas rasti, gjykata dha vendime për “dhunimin e rregullave të sigurisë në punë” dhe “shkatërrimin e pronës për shkak të neglizhencës”. Por si ka mundësi që ajo iu shmang me kaq përpikmëri elementit kyç, faktit qendror të tragjedisë së Gërdecit: që 26 njerëz të pafajshëm u vranë nga ato shpërthime dhe që dikush është përgjegjës për ato jetë?”, ka nënvizuar Withers.

Veprat e Qeverisë kundër demokracisë
I pyetur se çfarë duhet të ndryshojë në sjelljen e politikanëve shqiptarë, ai tha se “ajo që duhet të ndryshojë më shumë se çdo gjë tek elita politike shqiptare është mentaliteti. Sot, klasa qeverisëse shqiptare i përmbahet një koncepti të vjetër, e madje regresiv, se gëzon privilegje në raport me njerëzit e zakonshëm, se ka imunitet nga sundimi i ligjit, se nuk i nënshtrohet vullnetit të popullit. Asgjë nuk ka influencuar për të minuar progresin drejt demokracisë që i duhet vendit, më shumë sesa këto qëndrime arkaike të njerëzve me pushtet. Shqipëria është një demokraci e re. Gjatë më shumë se njëzet vjetëve që kanë kaluar që prej rënies së komunizmit, nevoja e saj më e madhe ka qenë ndërtimi i institucioneve kyçe të një demokracie: një gjyqësor të pavarur dhe të besueshëm, një media të çliruar, një sistem elektoral që është realisht i lirë dhe i ndershëm, një shtet ligjor që e lufton realisht korrupsionin. Asgjë prej këtyre nuk është arritur”, ka nënvizuar Withers.

“Shikoni qeverinë aktuale. Vepra që ka lënë pas shkon tërësisht kundër konceptit të ndërtimit të demokracisë. Ajo ka kanosur gjykatat në mënyrë rutinë, madje edhe nën fasadën e një ligji antikushtetues lustracioni. Ka sulmuar në mënyrë poshtëruese zyrën e Prokurores së Përgjithshme, teksa ajo përpiqej të gjente përgjigje për tragjeditë që ndodhën në Gërdec dhe në 21 Janar 2011. Është përpjekur të kufizojë liritë e medias, përmes ligjeve shtrënguese dhe jodemokratike dhe përmes presionit ndaj ambienteve në të cilat funksionon media. Dhe rast pas rasti, ajo ka manipuluar dhe të drejtën demokratike më themelore, proçesin elektoral”, ka theksuar ai.

Sipas ambasadorit Shqipërisë i duhet një mentalitet i ri që gjërat të ndryshojnë. “Ajo që i nevojitet Shqipërisë nuk janë thjesht politikanë më rinorë, por një mentalitet i ri. Burrat e vërtetë të shtetit, si Nelson Mandela në Afrikën e Jugut apo i ndjeri Vaclav Havel i Republikës Çeke, ishin burra në moshë mjaft të madhe, por besimi tek idealet demokratike ishte thelbi i karakterit dhe qenies së tyre. Për fat të keq, sot udhëheqësve shqiptarë, qoftë kur janë në moshën e kryeministrit Berisha apo të Lulzim Bashës, ky besim iu mungon. Është me rëndësi jetike për Shqipërinë që të gjejë të tjerë udhëheqës, burra dhe gra, të vjetër apo të rinj, të çfarëdo feje apo etnie, tek të cilët flaka e demokracisë vazhdon të shndrijë”, ka shtuar Withers.

(im/shqiptarja.com)