Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë vizitës së saj në SHBA ka zhvilluar një takim me gjeneral brigade Jemal J. Beale, ndihmësgjeneralin e Nju-Xhersit dhe Gardën Kombëtare të Nju-Xhersit në kampusin e Departamentit të Çështjeve të Ushtrisë dhe Veteranëve të Nju-Xhersit në Lawrenceville.
Ambasada e SHBA në Tiranë bën me dije se: “Nju-Xhersi dhe Shqipëria janë anëtare të programit të Partneritetit ndërmjet Vendeve. Prej 25 vjetësh, ky program ka pasur sukses në ndërtimin e marrëdhënieve dhe tashmë përfshin 75 partneritete me 81 vende në mbarë botën”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë partnerët dhe përkrahësit kryesorë të Forcave të Armatosura Shqiptare, shkruan atsh. Së fundmi ato kanë dhuruar 37 mjete të blinduara dhe rezistente ndaj pritave dhe kurtheve të minuara, si dhe një sërë mjetesh të tjera.
Gjatë vizitës, Xhaçka do të nënshkruajë gjithashtu një marrëveshje për modernizimin e Forcës Ajrore. Marrëveshja e cila do të nënshkruhet me Departamentin e Mbrojtjes parashikon marrjen e disa helikopterëve “Black Hawk”, mirëmbajtjen e tyre dhe trajnimin e personelit.