Xhaçka takohet me ambasadoren e SHBA-ve në OKB: Bashkëpunimi ynë në Këshillin e Sigurimit, kontribut në konsolidimin e partneritetit strategjik

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, është takuar me ambasadoren e SHBA-së në OKB, Linda Thomas Greenfield në kuadër të aktivitetit për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë” të mbajtur në Tiranë.

Xhaçka tha gjatë fjalës së saj se bashkëpunimi i shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ishte një kontribut në konsolidimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik.

Ministrja tha se pavarësisht luftës në Ukrainë, agjendës për “Gratë, Sigurinë dhe Paqen” i ishte dhënë rëndësia e duhur duke përkrahur pjesëmarrjen e plotë dhe të barabartë të grave në përpjekjet për garantimin e paqes dhe sigurisë.

Fjala e plotë e ministres, Olta Xhaçka:

Jam vërtet e nderuar që kemi këtu mes nesh Ambasadoren Thomas-Greenfield. Kjo është një mundësi unike për të folur për agjendën e Women Peace and Security, që është vërtet e rëndësishme për të gjithë ne, me një zonjë që për këtë agjendë ka punuar e punon në forumin më të lartë ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara.

Unë jam vërtet e lumtur që gjatë këtij viti, ne kemi pasur mundësinë të punojmë ngushtë së bashku në Këshillin e Sigurisë dhe gjej rastin ta falënderoj Ambasadoren edhe publikisht për të gjithë bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur dhe për të gjithë mbështetjen që kemi gjetur tek ajo dhe tek ekipi i saj.

Unë besoj fort, që ky bashkëpunim i shkëlqyer në Këshillin e Sigurimit, ka dhënë një kontribut vërtet të qenësishëm në thellimin e konsolidimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik të vendit tonë me Shtetet e Bashkuara, në këtë 100 vjetor të vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike.

Ka një arsye në fakt përse ky bashkëpunim në Këshillin e Sigurimit funksionon kaq mirë e përse mes nesh ka një linjëzim kaq të gjerë në çështjet që trajton Këshilli i Sigurimit dhe OKB në tërësi. Dhe kjo arsye është se partneritet mes nesh bazohet mbi vlera të përbashkëta por edhe interesa të përbashkëta që informojnë pastaj punën tonë.

Siç e dini, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara janë bashkëpenëmbajtës në dosjen e Ukrainës në Këshillin e Sigurimit, por pavarësisht se kjo dosje për arsye të kuptueshme ka marrë vëmendjen më të madhe, bashkëpunimi mes nesh në Këshill ka qenë i shkëlqyer edhe në një sërë fushash e situatash të tjera, njëra prej të cilave është edhe agjenda "Gratë, Paqja dhe Siguria", e cila padyshim përbën një nga temat më dinamike dhe më tërheqëse brenda dhe jashtë OKB-së.

Miratimi i Rezolutës 1325 mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë në tetor 2000 shënoi një moment vërtet historik sepse i hapi rrugë njohjes së çështjeve "jo tradicionale" si të lidhura me paqen dhe sigurinë. Është shumë domethënëse që u desh të kalonte kaq shumë kohë përpara se bota të pranonte domosdoshmërinë e përfshirjes së grave në mënyrë të plotë, të barabartë dhe kuptimplotë në vendimmarrjet e rëndësishme që lidhen me paqen e sigurinë. Dhe është akoma më domethënëse që ky rol e kjo përfshirje ende vihet në pikëpyetje edhe në nivelet më të larta të OKB.  

Për Shqipërinë zbatimi i plotë i agjendës për "Gratë, Paqen dhe Sigurinë" është në krye të prioriteteve që ne kemi vendosur për mandatin tonë në Këshillin e Sigurimit dhe fakti që lufta në Ukrainë, si kriza më madhore e kohës sonë, ka marrë kaq shumë vëmendje e energji, nuk do të thotë që e kemi lënë pas dore këtë agjendë.

Kështu, ne i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë situatës së grave dhe vajzave të prekura nga lufta dhe konflikti, duke nënvizuar rëndësinë e forcimit të mbrojtjes së  tyre nga dhuna seksuale dhe gjinore, nga ngacmimi e nga trafikimi, por kemi punuar edhe për të siguruar që autorët e këtyre krimeve të vihen përpara drejtësisë dhe të ndëshkohen. Kjo është diçka për të cilën ne po punojmë në Grupin e Miqve për Llogaridhënie për Ukrainën, por kjo është një temë të cilën ne jemi duke e adresuar edhe në raste të tjera ku grave e vajzave ju duhet që të luftojnë për të drejtat e tyre. Jo më larg se javën e kaluar, unë jam krenare që misionet tona bashkëorganizuan një veprimtari të suksesshme dedikuar situatës së grave e vajzave në Iran, të cilat janë në krye të protestave të guximshme që kanë shpërthyer në atë vend pas vdekjes tragjike të Mahsa Amin në duart e të ashtuquajturës “Policia e moralit”.  

Po kështu, gjatë këtyre 10 muajve të parë në Këshillin e Sigurimit ne kemi përkrahur pjesëmarrjen e plotë, të barabartë dhe kuptimplotë të grave në të gjitha përpjekjet për garantimin e paqes dhe sigurisë dhe përfshirjen e tyre aktive në çdo proces paqe-ndërtues e paqeruajtës të mbështetur nga OKB por kemi këmbëngulur po ashtu edhe për të përfshirë Agjendën për “Gratë, Paqen e Sigurinë” në të gjithë spektrin e punës së Këshillit, duke i kushtuar rëndësi të veçantë luftës kundër dhunës seksuale në konflikte dhe rritjes së pjesëmarrjes së grave aktiviste dhe të shoqërisë civile në debatet e hapura të Këshillit mbi këtë çështje.

E preka pak më lart, që për shumë kohë, por ende sot nga disa, pjesëmarrja e grave në vendimmarrje për çështjet e paqes e sigurisë, konsiderohet si diçka periferike, si jo e domosdoshme, gati gati si një çështje luksi që thjesht shpërqendron nga thelbi i problemit që është pushimi i luftimeve apo arritja e paqes me burrave të armatosur ku gratë s’kanë ç’të kontribuojnë.

Ky është një argument që në fakt e kemi dëgjuar edhe në Shqipëri veçanërisht në vitet e errëta 1990 por edhe në vitet që pasuan kur ideja e përfshirjes së grave në vendimmarrje shihej si një çështje që duhet të priste për zbatimin e saj derisa vendi të zgjidhte çështjet e tij etike, pra stabilitetin, sigurinë, ekonominë, etj.

Ishte një mendësi që i ka kushtuar shumë këtij vendi sepse minimumi minimumi për disa dekada rrjesht politika, qeverisja, administrata u privua nga 50% e talentit të këtij vendi që janë gratë dhe vajzat. Zonjat në këtë sallë, që kanë bërë shumë për ta përmbysur atë realitet mund të flasin më mirë sesa unë për luftën që ju është dashur e ju duhet të bëjnë kundër një mentaliteti mjaft patriarkal që e ka të vështirë ta pranojë gruan në krye, në poste drejtuese.

Sigurisht, që kemi ende shumë punë për të bërë për të garantuar të drejtat e vajzave e grave në Shqipëri, por e vërteta është që veçanërisht gjatë dekadës së fundit, është shënuar një progres i konsiderueshëm. Për shembull, një dekadë më parë ishte e vështirë të imagjinohej që sot Shqipëria do të renditej ndër 5 vendet e para në botë sa i takon balancës gjinore në qeveri, me 70% të ministrive të drejtuara nga gra. Ose që thuajse 60% e niveleve drejtuese në administratë janë gra, që 50% e Këshillave Bashkiakë janë gra, që 30% e deputetëve janë gra apo që tashmë ka filluar të shtohet ndjeshëm përfshirja e grave edhe në disa dikasteve që tradicionalisht janë konsideruar si domein ekskluziv i burrave si ushtria apo policia.

Ajo që është po aq e rëndësishme është që tashmë barazia gjinore është bërë pjesë e parimeve të qeverisë shqiptare në procesin e planifikimit dhe buxhetimit, çka reflektohet në rritjen e shpërndarjes buxhetore për përmirësimin e barazisë gjinore ndër vite. Vitin e kaluar, buxheti për cështjet gjinore përbënte 9% të totalit të buxhetit të planifikuar vjetor, krahasuar me vetëm 1% në 2015.

Ndërkohë, që në maj të këtij viti, qeveria shqiptare ka nisur përgatitjen e Planit të dytë Kombëtar të Veprimit për zbatimin e Rezolutës 1325 nëpërmjet të cilit Shqipëria do të kërkojë të zgjerojë më tej pjesëmarrjen e grave në çështjet e politikës së jashtme, paqes dhe sigurisë globale. duke vazhduar zbatimin e masave për fuqizimin ekonomik të grave në përputhje me Planin e BE-së për Barazi Gjinore GAP III.

Si rezultat i këtyre politikave, renditja e Shqipërisë në Indeksin Global të Hendekut Gjinor është përmirësuar vazhdimisht dhe ndjeshëm. Kështu, raporti Global i Hendekut Gjinor i Forumit Ekonomik Botëror 2022 e renditi Shqipërinë në vendin e 18-të nga 146 vende.

I përmenda këto shifra jo si ndonjë medalje për qeverinë. Përveç që jam vetë grua, unë jam dhe nënë e dy vajzave, çka padyshim që më bën veçanërisht të vëmendshme ndaj situatës së grave e vajzave në vend. Dhe jam shumë e vetëdijshme që kemi ende shumë e shumë punë për të bërë për të garantuar zbatimin e plotë të të drejtave të grave e vajzave e për t’ju dhënë atyre realisht shance të barabarta në shoqërinë tonë.

I përmenda për të ilustruar së pari sa shumë është arritur, sepse çdonjë nga ato shifra përfaqëson një arritje, por mbi të gjitha për të ilustruar që garantimi i të drejtave të grave, i përfshirjes së tyre si të barabarta në çdo proces vendimmarrës me rëndësi për komunitetin apo shoqërinë është i mundur.

Dhe unë besoj që angazhimi ynë në OKB e në Këshillin e Sigurimit për avancimin e agjendës për Gratë Paqen dhe Sigurinë është jo vetëm një kontribut i rëndësishëm që vendi ynë jep për këtë agjendë ndërkombëtare por edhe një impuls i vlefshëm për kauzën e grave dhe vajzave në vendin tonë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:11
Ambasadorja e SHBA-ve në OKB mesazh simbolik nga Tirana: Gratë po çojnë përpara proceset e paqes

1667830385_ambasadorja.GIF

Gjatë takimit me ministren e Punëve të Jashtme për Evropën, Xhaçka ka dhënë një mesazh të fortë për rolin e grave në botë për ruajten e paqes dhe stabilitetit.

'Në Ukrainë kemi parë tmerret e forcave ruse kundër vajzave dhe grave. OKB ka evidentuar qindra raste të përdhunimit. Mos u gaboni, kjo është strategji ushtarake, forcat ruse po përdorin këtë armë si mjet lufte. Do ketë llogaridhënie. Çdo paqe e qëndrueshme kërkon drejtësi, përpiqem t’ju kujtojë kolegëve të mi se gratë nuk janë viktima pasive, por ato kanë identitet. Gratë në Iran po përballen me guxim përballë një regjimi për të drejtat e tyre. Gratë iraniane kanë frymëzuar botën me guximin dhe forcën e tyre. Gratë po çmontojnë status-quo-n dhe po çojnë para proceset e paqes. Paqja është sinonim i parandalimit të agresioni. Ndaj duhet të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë, për të çuar para agjendën e paqes dhe sigurisë. Ne i nxisim të gjitha kombet të ndjekin këtë shembull, siç po bën Shqipëria. Në mënyrë që gratë të çojnë para vendimmarrjen për paqen dhe sigurinë.'- tha ambasadorja. 

K.T./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Të shtëna me armë zjarri në lagjen ’24 Maji’, 1 i plagosur (EMRI)

Vlorë/ Të shtëna me armë zjarri në lagjen ’24 Maji’, 1 i plagosur (EMRI)