Xhaçka uron 2020 me një përgëzim për FA: Kurrë nuk jam kaq krenare... Tragjedia është ende e freskët, por e bindur që do ia dalim (VIDEO)

TIRANE- Një urim për vitin e ri 2020, me dëshirën për të lënë pas tërmetin e 26 nëntorit dhe me sytë nga një e ardhme më e bukur.

Ky është mesazhi që përcjell mes rreshtash ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka në ditën e parë të vitit, teksa përgëzon Forcat e Armatosura për punën dhe gatishmërinë e treguar mëngjesin që shënoi tragjedinë më të madhe të dekadave të fundit në Shqipëri.

 Xhaçka thotë se pavarësisht asaj që kaluam sot kemi një arsye për t'u ndjerë mirë dhe për të qenë optimistë, ndërsa bën thirrje për më shumë punë besim dhe solidaritet në këtë vit.

"Ju uroj të gjithëve gëzuar vitin e ri 2020! Ju uroj të gjithëve që viti që vjen të jetë më i mirë, më i begatë, më i suksesshëm për ju, për familjet e të dashurit tuaj!

E di që ky  fundvit është shumë ndryshe. Tragjedia që goditi vendin në 26 nëntor është ende e freskët. Është ende e freskët dhimbja për jetët e humbura. Është ende e freskët trauma dhe frika. Janë ende mes nesh pasojat e asaj ngjarje, sepse sot mijëra qytetarë, burra, gra, fëmijë e të moshuar janë të detyruar ta kalojnë festën e Vitit të Ri larg shtëpive të tyre.

Urimet e mia shkojnë mbi të gjitha për ta. Nuk jeni vetëm. Nuk do t’ju lëmë kurrë vetëm dhe do të bëjmë gjithçka që së shpejti jetët tuaja t’i rikthehen normalitetit.

Është e lehtë të humbasësh kurajën e optimizmin kur përballesh me një fatkeqësi të tillë. Por është kjo arsyeja përse ne sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të besojmë tek e ardhmja, të kemi shpresë.

Unë besoj që pavarësisht tragjedisë që kaluam, ne kemi sot shumë arsye për t’u ndjerë mirë e për të qenë optimistë.

I gjej këto arsye tek shfaqja solidariteti mbresëlënës që treguan shqiptarët pas tragjedisë.

I gjej këto arsye tek fakti, që ne s’jemi vetëm, por kemi miq e partnerë në mbarë botën që na u gjendën e do të na gjenden për ta kaluar këtë fatkeqësi së bashku!

Por një arsye e gjej edhe mes mijëra burrave grave që punojnë në Forcat e Armatosura e që mëngjesin e 26 Nëntorit u ngritën në lartësinë e detyrës.

Vetëm 1 orë pas goditjes së tërmetit, ata lanë familjet e tyre dhe ishin në terren, duke ndihmuar qytetarët, duke shpëtuar jetë!

Kurrë nuk jam ndjerë krenare për Forcat e Armatosura sesa atë mëngjes. 

Dhe sot, në këtë pragfillim viti kam bindjen, që të gjithë së bashku do t’ia dalim ta kapërcejmë këtë situatë të vështirë dhe t’i hapim rrugë një të ardhmeje më të mirë, më të bukur për të gjithë.

Me shumë punë, shumë besim, shumë solidaritet dhe duke punuar së bashku!

Gëzuar vitin e ri! Gëzuar 2020!", thotë Xhaçka.


Lajmi kryesor:

Politika uron 2020-ën/ Basha: 26 nëntori gjunjëzoi vendin! Mos e humbisni shpresën, bashkë sjellim Shqipërinë e mundësive


/b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/Pak minuta pas atentatit në Vlorë, momenti kur qytetarët nxjerrin nga makina Kevin Hajrullën

VIDEO/Pak minuta pas atentatit në Vlorë, momenti kur qytetarët nxjerrin nga makina Kevin Hajrullën