Xhafaj në Kuvend: Hiqni dorë nga presioni, ka ardhur koha që të ndëshkohet ndikimi në drejtësi

Për të tretin vit radhazi, Kuvendi kryen këtë proces informimi e llogaridhënieje publike me institucionet e reja të drejtësisë. Një ushtrim kushtetues ky që megjithë zhvillimet pozitive të këtij viti, do duhej të ishte shumë më i dobishëm, më me interes për qytetarët, për ecurinë e reformës në drejtësi dhe veçanërisht si një kontribut me rëndësi në forcimin e pavarësisë, përgjegjshmërisë, llogaridhënies dhe transparencës së tyre.   

Seancat dëgjimore në komision dhe projektrezolutat e sjella në seancë, të cilat dukshëm janë përgjithësisht shumë më pozitive krahasimisht me vitet e mëparshme, janë dëshmi e faktit se reformimi i drejtësisë është tashmë një proces pa kthim, një realitet i prekshëm me zhvillime shumë pozitive që rrugëtojnë paralelisht me vështirësi dhe problematika të rritjes, të cilat janë sigurisht rrjedhojë edhe e pengesave të shumta dhe mungesës së një orientimi dhe koordinimi të qartë në zbatimin e tij.

Institucionet e reja të drejtësisë gjenden para sfidave të vështira, por plotësisht të arritshme - në vlerësimin tim - nëse ato dëshmojnë një ritëm më të mirë në punën e tyre, më shumë përgjegjshmëri e llogaridhënie dhe padyshim, edhe një bashkërendim e koordinim shumë më të mirë midis tyre.

1.Para së gjithash mbetet prioritet të dëshmojnë se ndryshimi thelbësor që ka sjellë kjo reformë, PAVARËSIA e sanksionuar më kushtetutë e ligj është duke u jetësuar në funksionimin e tyre institucional, në vendimmarrjet e tyre dhe kryesorja në pavarësinë reale të çdo prokurori e gjyqtari. Një realitet ligjor, por ende jo një realitet i prekshëm dhe i dëshmuar në praktikë kur sheh që ende prokurorët orientohen apo edhe ndikohen në vendimmarrjet e tyre nga drejtuesit e tyre, vendimmarrje të këshillave të ndikuara nga përpjekjet e individëve që kërkojnë të kthejnë frymën koorporatiste e klienteliste në vendimmarrjet e tyre, raste kur promovimi i prokurorëve apo gjyqtarëve nuk orientohet nga integriteti e vlerat individuale profesionale, por nga kredencialet e lidhjeve të tyre politike apo shoqërore, kur disa emërime në stafet e këshilltarëve, oficerëve të policisë gjyqësore dhe administratës nuk marrin transparencën e nevojshme. Shembuj të tillë, për fat të mirë ende të pakët, janë arsye për të qenë të vëmendshëm dhe të angazhuar për pavarësinë dhe përgjegjshmërinë ndaj proceseve të tilla.

Teksa flasim për pavarësinë dhe përgjegjshmërinë, mbetet prioritet ndalimi i çdo përpjekje, të jashtme apo të brendshme qofshin, për të ndikuar në çdo lloj forme në pavarësinë vendimmarrëse të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në procesin e hetimit dhe gjykimit. Precedenti Sarkozi në drejtësinë franceze s’ka pse të duket i largët dhe i pamundur për drejtësinë tonë. Mekanizmat ligjorë e administrativë në këtë aspekt duhet të monitorohen më mirë nga ILD, por edhe të forcohen nëse duhet. Ndikimi i paligjshëm në drejtësi ka ardhur koha të ndëshkohet fort politikisht, administrativisht dhe penalisht.

Ashtu sikundër duhet të shohim me shumë përgjegjësi shkallën e angazhimit dhe përgjegjshmërisë së anëtarëve të këshillave, kryesisht atyre jogjyqtarë dhe joprokurorë duke identifikuar, parandaluar dhe ndëshkuar, përmes monitorimit dhe ndalimeve ligjore, përpjekjet e disa prej tyre, për të krijuar benefite personale për rrethin e tyre familjar e shoqëror, brenda ose jashtë sistemit apo duke e lidhur shërbimin në institucion me promovimet e mëtejshme me mbarimin e këtij funksioni çka e bën të ndikueshme vendimmarrjen e tyre në këshilla gjatë ushtrimit të mandatit.

2.Së dyti gjykoj se është momenti të kërkojmë më shumë Përgjegjshmëri dhe llogaridhënie në funksionimin dhe vendimmarrjen e institucioneve të reja të drejtësisë. Para së gjithash lidhur me ritmin e punës së tyre i cili ende lë për të dëshiruar. Nuk është pozitive për dy këshillat dhe veçanërisht për KLP fakti që edhe 3 vjet mbas funksionimit të tyre nuk kanë miratuar disa nga rregulloret e domosdoshme që e bëjnë veprimtarinë e tyre shumë më të përgjegjshme, më transparente dhe të monitorueshme, që ritmi dhe cilësia e vlerësimeve profesionale periodike për prokurorët e gjyqtarët është ende larg kërkesave ligjore, që ka shumë pak kontrolle mbi funksionimin, menaxhimin dhe shërbimin e kryer për qytetarët në gjykatat dhe prokuroritë e rretheve gjyqësore  etj.

Raportimet e institucioneve janë përgjithësisht pozitive, por statistikat nuk duhet të shihen si qëllim në vetvete, por si bazë e domodoshme për më shumë studime, analiza dhe rekomandime prej tyre, për të kuptuar, vlerësuar dhe reflektuar më mirë ndaj dukurive të kriminalitetit në vend dhe sidomos për të miturit dhe të rinjtë, për aksesin e qytetarëve në drejtësi, për shpejtësinë e cilësinë në dhënien e drejtësisë, për ecurinë e reformës në drejtësi dhe zgjidhjen e ngërçeve të krijuara përfshi dhe vakancat në sistem. Nëse do të kishte më shumë analiza dhe përgjegjshmëri në vlerësimin e situatës, sot do të kishim disa zgjidhje konkrete pozitive edhe brenda vetë kuadrit ligjor në fuqi në vend të disa shifrave dhe përfundimeve tërësisht demotivuese të prezantuara në raportet vjetore të paraqitura.

3.E tek flasim për pavarësi, përgjegjshmëri e besueshmëri, ne s’mund të mos kërkojmë më shumë llogaridhënie e transparencë në veprimtarinë e institucioneve të reja. Është fakt se ky mbetet  komponent i dobët i fokusuar në raportimin vjetor në Kuvend, faqet web dhe në disa tregues statistikorë për përgjigjet ndaj kërkesave dhe ankesave. Një përgjegjësi kryesisht e drejtuesve të institucioneve, veçanërisht dy këshillave. E papranueshme mungesa e komunikimit dhe informimit periodik të publikut. E pafalshme paaftësia apo mungesa e kurajos për mbajtjen e qëndrimeve të duhura publike për çështje të lidhura me punën e tyre, reagimin institucional ndaj presioneve të politikës dhe akuzave publike apo edhe për çështje konkrete në hetim apo gjykim nga disa segmente të medias në interes të bizneseve apo edhe grupeve kriminale të caktuara, çka është edhe një ndër shkaqet e perceptimit të ulët të publikut për reformën.

4. Bashkohem me të gjithë ata që kanë pritshmëri për më shumë rezultate domethënëse në punën e institucioneve të reja të drejtësisë dhe veçanërisht të SPAK. Padyshim në punën e tyre ka shumë tregues pozitiv, të pakrahasueshëm me pak vite më parë përsa i përket goditjes së grupeve kriminale por edhe korrupsionit. Personalisht jam dakord edhe me kritikat që adresohen ndaj strukturave të reja të drejtësisë penale, që të mos rendin mbas statistikave, por të fokusohen dhe të harxhojnë energjitë kryesore për disa çështje madhore korrupsioni që qytetarët pyesin çdo ditë se deri ku është drejtësia me to. Janë çështje të “vjetra” në kohë dhe të reja, por të gjitha me ndjeshmëri të mëdha publike ndëshkimi i të cilave do t’i jepnin realisht goditje fenomenit të pandëshkueshmërisë, do t’i jepnin ligjit forcën e duhur, do fuqizonin institucionet e drejtësisë, çka do të konsolidonte edhe besueshmërinë e qytetarëve.

Ne nuk mund të pranojmë  të kemi drejtësi të re me dy standard hetimi e gjykimi. S’mund të jetë ndryshe teksa sheh një ish-gjyqtar të GjK-së, çështja e të cilit shkon për gjykim në Gjykatën e Posaçme për një shtëpi 60 m2, ndërsa për disa të tjerë të flakur nga sistemi për shkak të pasurive marramendëse, deri miliona euro me letra, çështjet transferohen për efekt juridiksioni në gjykatat e rretheve gjyqësore të Durrësit, Elbasanit e Tiranës me shpresën se mund të gjendet ndonjë prokurorë që të shërbej si lavatriçe e pastrimit të dosjeve të tilla. E kjo është çështje prokurorësh, por ca më shumë përgjegjësi e drejtuesve të lartë të sistemit që mekanizmat ligjorë e institucionalë duhet t’i përdorin fort për të parandaluar këto dukuri që vënë shumë në pikëpyetje integritetin dhe përgjegjshmërinë e tyre.

Ne këtu dhe gjerësisht qytetarët jashtë kësaj salle, me shumë të drejtë kërkojmë rezultate nga njerëzit e drejtësisë. Padyshim kjo është gjëja e duhur, po çështja shtrohet sa të drejtë e të ndershëm jemi ne me drejtësinë e re? Kërkojmë të kemi një drejtësi ndryshe, por duke qenë ne vetë të njëjtët në mentalitet, në sjellje, në qasjen dhe raportin me të. Ne s’mund të pretendojmë drejtësinë që duhet brenda kësaj salle kur disa nuk rreshtin duke e qarë dhe kërkuar ta rikthejnë a riciklojnë atë që e përdornin deri dje si çiflig.  S’mund të pretendosh qasje të re, mbështetje apo udhëheqje të reformimit të drejtësisë së re me retorika foltoresh e tribunash partiake. Sistemi ka nevojë për mbështetje financiare dhe burime njerëzore dhe në këto vite është e vetmja gjë që s’ka munguar, por ka edhe më shumë nevojë për inkurajim e motivim, për analiza, një proces llogaridhënës bindës, për koordinim të të gjithë faktorëve e aktorëve veprues dhe mbi të gjitha duke hequr dorë nga gjuha denigruese, demotivuese dhe presionit publik mbi të, si kjo që ndoqëm pak më parë këtu, pasi kjo ka veç një qëllim, të  intimidoj dhe deligjitimoj besueshmërinë e vendimmarrjeve të institucioneve të pavarura të drejtësisë.

Roli i Kuvendit mbetet thelbësor në procesin e zbatimit të reformës në drejtësi. Ai duhet të përmbushë shumë më mirë se deri më sot përgjegjësitë e tij për inkurajimin, monitorimin dhe koordinimin e mbështetjes ndaj institucioneve të reja të drejtësisë. Kuvendi ka hapësirat e duhura kushtetuese e ligjore për ta ushtruar këtë përgjegjësi për të gjithë ata që kanë shqetësim real dhe duan të artikulojnë kritikat dhe propozojnë zgjidhje të dobishme.

Në mbyllje s’mund të rri pa thënë dy fjalë për miqtë e Shqipërisë, partnerët e nderuar ndërkombëtarë pasi ju pëlqen apo s’ju pëlqen disave në këtë sallë, pa mbështetjen e tyre, pa luftën e tyre intensive me “demonët” e politikës së vjetër, pa asistencën dhe monitorimin e tyre ne s’do të kishim reformim të drejtësisë. Kontributi i BE dhe veçanërisht roli i SHBA-së ka qenë e mbetet jetik për këtë proces sidomos duke u bërë barrikadë e pakapërcyeshme për ata që drejtësinë e kanë parë si instrument të pushtetit të radhës. Mos harrojmë se SHBA e BE mbeten garantët dhe mbështetësit kryesorë në çdo kuptim, në anëtarësimin tonë në strukturat euroatlantike. Sigurisht edhe nga kjo buron përgjegjësia, shqetësimi apo angazhimi i tyre në këtë proces, përfshirje të cilën e duam shumë dhe e kërkojmë ta kemi kur na duhet, por e konsiderojmë si ndërhyrje në punët e brendshme a bezdisëse kur gjërat duam t’i bëjmë si duam dhe jo si duhet në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Përkrahja është dashamirësi e tyre, ne duhet t’ju mbetemi mirënjohës atyre, por demokracia dhe shteti i si drejtës janë përgjegjësi e jona, detyrim ndaj së ardhmes së fëmijëve tanë. Ndaj, me shumë respekt për shumicën e kolegëve në këtë sallë pavarësisht kaheve politik, dëshiroj të apeloj për një aleancë të shëndetshme të njerëzve progresistë në këtë sallë e jashtë saj, me shoqërinë civile, me njerëzit e medias së vërtetë, me grupet e biznesit të ndershëm dhe gjithë ata që e shohin drejtësinë si pushtet partner me rol kyç në proceset tona shtetformuese, si domosdoshmëri për t’a mbrojtur, për t’a mbështetur dhe për t’a ndihmuar të rritet e forcohet drejtësia e re dhe institucionet e saj përgjegjëse që sot janë më mirë se dje dhe nesër padyshim me kontributin e të gjithëve ne do të jenë shumë më mirë se sot! 

*Fjala e deputetit Fatmir Xhafaj në Kuvend

M.Q./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Elsa: 15/07/2022 07:59

    Nga fitorja ne fitore drejtesia si lulebore

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite