Kryetari i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, nuk tërhiqet nga tentativa për kontroll parlamentar mbi institucionet e pavarura të drejtësisë.

Në konferencën e kryetarëve është miratuar draft-kalendari vjetor 2026 për mbikëqyrjen parlamentare ndaj disa institucioneve, ku në qendër të kontrollit nga Kuvendi janë vendosur edhe institucionet e pavarura, si SPAK, KLGJ dhe KLP.

Kalendari parashikon kërkesa për informacion, vizita monitoruese apo seanca dëgjimore llogaridhënëse me drejtuesit e tyre. Në qendër të këtyre vizitave kryesisht mbipopullimi në burgje dhe paraburgime, por edhe politika penale, masat e sigurisë dhe dënimet alternative.

Më herët, Xhafaj ka deklaruar se vizitat monitoruese janë praktikë parlamentare, brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor, duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe nuk kanë karakter ndërhyrës në pavarësisë institucionale.

Kujtojmë se pak javë më parë, Fatmir Xhafaj tentoi të zhvillonte një vizitë monitoruese në SPAK, i nxitur nga një raport i ardhur në Kuvend nga Agjencia për Inteligjencën Financiare.

Agjencia ngrinte shqetësim për përdorimin e parave të pista dhe kërkonte nga Kuvendi të merreshin masa për luftimin e këtij fenomeni me kërkesë të BE-së. Por SPAK refuzoi t’i hapte dyert komisionit “Xhafaj” me argumentin se kjo do të shkelte pavarësinë e institucionit, në axhendën hetimore të këtyre veprave.

Më poshtë është Draft Kalendari i Mbikëqyrjes Parlamentare për vitin 2026, i miratuar në mbledhjen e Komisionit të datës 12 shkurt.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë