Jemi në vitin e 10-të të krijimit të drejtësisë së re. Kjo përfshin organin më të fortë të saj, SPAK-un, për të vijuar me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe GJKKO-në. Në sytë e publikut, SPAK-u mbetet kryesori, por në realitet shtylla e këtij sistemi është GJKKO-ja dhe jo organi i akuzës. Megjithatë, te drejtësia e re nuk janë vetëm elementet e mësipërme, janë edhe prokuroritë e gjykatat e tjera që ndodhen në një situatë katastrofale.

Ato përballen me një stok dosjesh që i kalon 200 mijë dhe me një mesatare prej 12 vitesh për të zgjidhur një proces gjyqësor, ndërkohë që para reformës mesatarja nuk kalonte 1 vit në të gjitha shkallët.

Në këtë situatë lind domosdoshmëria që mazhoranca të kërkojë dhe punoj, për korrigjime dhe ndërhyrje të plota për përmirësimin e eficencës së sistemit, dhe jo mbrojtjen prej tij.

Që të quhet interes kombëtar, ndryshimet e lidhura me pezullimin e zyrtarëve duhet të bëhen si një domosdoshmëri për drejtësi në kohë. Kjo do të thotë se ndërhyrja duhet të bëhet përtej nenit për pezullimin, nëse mbetet vetëm aty, është një element gjysmak që nuk ndikon fare në jetën e qytetarëve. Madje, tregon efektin e kundërt, atë të frikës sidomos nga Partia Socialiste!

​Mazhoranca është në momentin e duhur për një qasje të re edhe ndaj të gjithë të akuzuarve nga drejtësia në radhët e saj. Kjo do të thotë se, në momentin që ndaj tyre fillon procesi gjyqësor, nuk duhet t'u ofrohet më koperturë politike. Vendi nuk ka nevojë për një parti që në krye të dikastereve të ndryshme të ketë drejtues që përballen në mënyrë direkte me drejtësinë.

Nëse ky anormalitet vijon, do të sillte ndikim negativ në imazhin e vendit, aq më tepër në këtë situatë kritike të negociatave me BE-në. Prandaj, ky është pikërisht momenti për një ndryshim qasjeje nga Partia Socialiste përballë drejtësisë dhe opinionit publik.