Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj nga Shkodra ku ishte i pranishëm në prezantimin e drejtorit të ri, kërkoi nga policia që të godasë bosët e krimit dhe jo të merret me hallexhinjtë. Xhafaj ishte i prerë në porositë, ndërsa theksoi se lufta sapo ka nisur dhe kriminelët nuk mund të lëvizin të lirë, por të dërgohen para ligjit. Në nivel lokal, ministri u shpreh se në Shkodër përveç dy grupeve që janë goditur, në Shkodër janë edhe 4-5 grupe të tjera.

Janë 4-5 grupe të rëndësishme kriminale që duhen goditur. Mos u merrni me hallexhinjtë që vendosin një çati. Bosët e krimit janë vërdallë dhe ata duhen goditur. Bosët e krimit nuk duhen falur për asnjë arsye. Ai që përmend emrin tim të goditet i pari. Dua një integritet nga të gjithë policët, nga shefat deri tek polici me i thjeshtë, të mos ketë një sjellje harbute me qytetaret. Nëse marr vesh se ka tolerime për ndërtime të mëdha pa leje, përfshirje në lejimin e trafiqeve të drogës të policisë do jem unë i pari që s’do lejoj dhe do përballeni me ligjin. Fytyra e policisë së shtetit duhet të ndryshoje totalisht” deklaroi Xhafaj në prezantimin e drejtorit të ri në Shkodër Vehbi Bushati. 

Xhafaj: Jam i shqetësuar për abuzimet me pronat në bregdet në Lezhë
Pas Shkodrës, ministri udhëtoi për në Lezhë ku ishte i pranishëm në prezantimin e drejtorit të ri Ferdinand Mara. Xhafaj përveç grupeve kriminale paralajmëroi arrestime për shkaktarët e abuzimeve me pronat në bregdet. Ai tha se shumë shpejt përgjegjësit do të vendosen para ligjit. Fatmir Xhafaj deklaroi gjithashtu se Policia e Shtetit është duke u riorganizuar për t’i shërbyer parandalimit të krimit dhe një kontroll të mirë të territorit.

Treguesit e kriminalitetit në Lezhë nuk e rendisin me tregues pozitiv, por i njoh disa merita trupës së policisë për goditjen e disa grupeve, por pritshmëria është më e lartë. Do të godasim asetet kriminale në Lezhë dhe jashtë vendit, jo vetëm bashkinë Lezhë, por edhe Kurbinin dhe Mirditën të këtyre grupeve. Fokusi do të jetë goditja e këtyre grupeve kriminale, por njëkohësisht edhe për t’u prerë lidhje ekonomike që i kanë. Shpresoj që të kemi lajme dhe rezultate të mira në muaj në vijim në Lezhë.

Një tjetër prioritet do të jetë fakti që jemi duke bërë një riorganizim të ri policor, që synon një kontroll më të mirë dhe marrëdhënie të mirë me qytetarët. Strukturat tona policore duhet t’u shërbejnë më mirë njerëzve në komunitet për të parandaluar krimin sidomos në moshat e reja, por edhe krimet në mjedis. Nuk paralajmëroj arrestime, jam ministër, drejtoj dhe orientoj, i takon policisë dhe prokurorisë për hetimet për grupet kriminale, por edhe për abuzimin me pronën publike. Jam i shqetësuar për abuzimet me tokat me vijën bregdetar në Lezhë. Besoj që hetimet që janë duke u zhvilluar do të jenë eficente, janë hetime që po bëhen me prokurorinë, besoj që shkaktarët do të vendosen para ligjit
’ deklaroi ai.

Përsa i përket vrasjeve në këtë qark, e fundit e vëllait të ish-deputetit Ndoka, Aleksandër Ndoka, ministri tha se po punohet për të identifikuar autorët. “Janë dy ngjarje, për të cilat është duke u hetuar dhe shpresoj që të ketë rezultate konkrete për identifikimin e autorëve. Është një proces hetimi dhe u mbetet njerëzve në polici dhe prokurori që të thonë fjalën e tyre” përfundoi ai.

Ardi Veliu: Objektivi i 2018, goditja e grupeve e Vettingu
I pranishëm në prezantimit e drejtuesve të Policisë së Shtetit në Shkodër dhe në Lezhë ishte edhe Ardi Veliu. Ai u shpreh për mediat se lufta kundër bandave dhe Vettingu janë prioritetet për vitin 2018. “Vendosëm prioritetet që do të ketë drejtoria e Shkodrës për këtë vit, janë objektiva që i ka policia e shtetit. Fokusi është të goditja e grupeve kriminale, prioriteti i dytë do të jetë goditja e personave që janë evidentuar si persona që kanë ushtruar aktivitetin e kultivimit të bimëve narkotike dhe minimizimin e sipërfaqes së kultivimit të bimëve narkotike.

Në Shkodër kemi persona që ushtrojnë aktivitet kriminal, policia është duke i goditur. Nga drejtori vendore janë goditur dy grupe, ndërkohë që është duke u punuar për goditjen e të tjerave. Për të goditur një grup kërkohet kohë, maturim dhe gjetja e provave
”. Përsa i përket Vettingut në polici, ai deklaroi se do të largohen të gjithë ata që kanë treguar shkallë të ulët profesionalizimi dhe që janë të implikuar. “Qëllimi është që struktura policore të jetë me integritet. Vettingu është ndërtuar mbi profesionalizimin, integritetin dhe mbi pjesën e pasurive dhe atë që përfaqësojnë.

Patjetër që në Vetting do të kalojnë të gjithë, duke filluar nga unë dhe qëllimi është që punonjësit që kanë qenë të implikuar dhe kanë treguar shkallë të ulët profesionalizimi të largohen. Toleranca do të jetë zero” tha ai. Vehbi Bushati është emëruar drejtori i ri i Policisë së Shkodrës. Bushati zëvendëson në këtë detyrë Gjovalin Lokën, i cili dy ditë më parë u emërua Drejtor i Departamentit të Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit.

Me ndryshimin e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit, ministri Fatmir Xhafaj kërkoi një ritëm të ri, i cili duket se ka filluar me lëvizjen e drejtorëve të policive vendore. Pas ndryshimeve në Korçë, Tiranë, Shkodër dhe Lezhë, pritet që lëvizje të ketë në Durrës, Gjirokastër, Fier dhe Dibër, ndërsa konfirmohet se nuk lëviz drejtori i Vlorës, Gentian Shehaj. Përpos drejtorëve, do të ketë lëvizje edhe në nivel shefash komisariatesh dhe departamenteve në qendër dhe në bazë.

d.b/shqiptarja.com