Xhamia e Et'hem Beut/ Projekti restaurues i vitit ’30, një tarracë në vend të çatisë së hajatit

Xhamia e Et'hem Beut/ Projekti restaurues i vitit ’30, një tarracë në vend të çatisë së hajatit

Xhamia e Et'hem Beut

Në vitin 1930 Komuniteti Mysliman Shqiptar mendoi të bënte disa ndërhyrje ndërtimore në xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë. Mirëpo dokumentacioni zyrtar që vjen nga ajo kohë, e që ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror, nuk përcakton llojin e punimeve që do të kryheshin, ndoshta restaurime, apo përshtatje.

Për të hartuar projektin u ngarkua një inxhinier, me siguri i profesionit të ndërtimit, por që emri i tij nuk përmendet gjëkundi. Dhe inxhinieri hartoi një projekt, në të cilin parashikonte që të kthente çatinë e hajatit në një taracë të shfrytëzueshme nga vizitorët. Me siguri që ai ka qenë i frymëzuar nga ministritë e reja dhe sheshi që thuajse sapo ishin përfunduar, e që ngjallnin kureshtje dhe entuziazëm në një qytet prej qerpiçi. Hapësira e sheshit “Skenderbej” me shatërvanin rrethor në mes, lulishtja e paparë ndonjëherë në Tiranë dhe ndërtesat evropiane të ministrive, do të ishin sa tërheqse, aq edhe frymëzuese dhe besimndjellëse ndaj së ardhmes, në një popull të lënë në mesjetë.

Mirëpo përtej fantazisë së inxhinierit qëndronte kujdesi administartiv i kryetarit të Komuniktetit mysliman, i cili kërkonte përshtashmëri ligjore të veprimeve. Por jo vetëm kaq: Në mendimin dhe veprimet e tij kishte largpamësi kulturore. Duke dyshuar në konceptin e inxhinierit për një ndërhyrje në një objekt me vlera jo vetëm fetare, por edhe arkitektonike, ai iu drejtua Muzeut Kombëtar për të marrë një mendim. Çudia se përse Muzeut Kombëtar dhe jo instiucioneve të specializuara për mbrojtjen e monumenteve të kulturës ka kuptim për të sotmen dhe jo për atë kohë të largët, kur i vetmi institucion që merrej me kulturën materiale ishte Muzeu Kombëtar.

Në shkresën drejtuar muzeut çfaqej shqetësimi në se përshtatja e projektuar do të dëmtonte arkitekturën e vjetër të xhamisë, duke kërkuar edhe një mendim specialisti.

Shkresa e përgjigjes është një model psikologjie, delikat për të mos prekur ndjenjat fetare dhe bindës.

Dihet botërisht se ndërhyrja transformuese në monumente nuk lejohet, por drejtori i Muzeut Kombëtar nuk ngutet për të dhënë një përgjigje mohuese për projektin. Fillimisht ai shtjellon gjendjen e trashëgimisë së varfër arkitekturore në Tiranë, duke përmendur se Tirana nuk ka banesa të vjetra me vlerë arkitektonike, që do të paraqisnin ecurinë e zhvillimit të saj, as ura, madje as edhe kisha, por se të vetmet objekte, apo ndërtesa me arkitekturë të çquar, që përmbanin art dhe me të cilat mund të krenohej Tirana edhe në sy të të huajve që vizitonin qytetin, ishin xhamitë.

Dhe analizon tre xhamitë me vlerë të veçantë që kanë qenë më parë, ajo e Et’hem Beut, xhamija e vjetër, duke nënkuptuar xhaminë që ka qenë pranë varrit të Kapllan Pashës dhe xhaminë e Karapicëve, kjo e fundit jo me një vlerë të spikatur si ato dy të parat, por që formonte një trinitet harmonik, duke nxjerrë më në pah vlerat e xhamisë së Et’hem Beut. Në vazhdim flet edhe për vlerësimin e lartë për xhamitë nga të huajt që vizitonin Tiranën. Pastaj përmend edhe keqardhjen e të huajve që nuk e shikonin më xhaminë e Karapicëve, e cila u prish për të hapur rrugën e Durrësit.

Dhe vetëm mbas kësaj paraqitjeje të kujdesshme analizohet ndërhyrja e projektuar, e cila do ta tjetërsonte objektin nga ai origjinali i lënë trashëgim nga të parët, duke u humbur vlerat arkitektonike, e duke kaluar më vonë në harresë trajta e saj fillestare. Në mbyllje shprehet se ishte detyra e tyre, që ta ruanin xhaminë ashtu siç ishte, pa tjetërsuar pamjen e saj.

Dhe kështu, xhamija e Et’hem Beut shpëtoi nga tjetërsimi dhe vjen edhe sot e kësaj dite në origjinalin e saj të parë.

Më poshtë është dokumentacioni që lidhet me këtë episod dhe që ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror.

Shkresa e parë është ajo që Kryesija e Komunitetit Mysliman Shqiptar i dërgonte Muzeut Kombëtar.

A.Q.SH. Fondi 195. Viti 1930. Dosja 122. Fl 183.

KRYESIJA

Komunitetit Mysliman Shqiptar

-------------------

Tiranë, me 24/XI/1930

 P. T.

Drejtoriës së muzeumit Kombtar

T I R A N E.  

Kemi nderin me ju lajmue se, Komuniteti Myslima, tue dasht me ba nji miratim në xhamiën e Haxhi Etëhem Beut, i a referoi çashtjen nji ingjineri, i cili në hartimin e nji plani parashef transformimin e çatis në taraco përveç kubes.

Pra, lutemi me na tregue se nji ndryshim i tillë i xhamis në fjalë a efekton në prishjen e arqitekturës së vjetër qi ajo mban sod a jo?

Lutemi të na përgjigji me shpejti për të krye veprimet e duhuna.

KRYETAR’ I KOMUNITETIT

(Firma, vula)

Më poshtë është shkresa e përgjigjes e Muzeut Kombëtar.

A.Q. SH. Fondi 195. Viti 1930. Dosja 122. Fl184-185.

29 Vjesht’ e tretq 1930

No 347

----------

Hirësijës së Tijë

Kryetarit, të Komunitetit’ Mysliman

Q y t e t

----------

Hirësijë,

 

Me shkresë Ni 598/II dhe ditë 24 të këtij’ na ubë nderi të kërkohet’ mejtimi i kësaj’ drejtorije mbi ndërtimet’ që jan’ qënë shortitur’ për t’ ubërë ndë Xhamijën e Haxhi Et-hem Beutë.

Mejtimi i kësaj’ Drejtorije mbi këtë pikë është ky:

Tirana, ndonëse qytet i disa qint-vjetëmë, nuk’ ka të tregonjë shumë ndërtesa të herëshme të për-të-qënë. Përveç Xhamijavet’ të kryekrejëme, as Kisha, as puse, as kroje, as varre, as godina t’jera të vjetëra të hijëshme shef kundi syr’ i njeriut, ndë lëmë të qytetitë.

Gjith’ atyre që vinin’ ndo nga rrug’ e Durrësit’ dhe të Kavajësë, ndo nga rrug’ e vjetër’ e Shkodrësë, ndë të hyrët’ të Tiranësë u rrëmbenin’ vrejën’ dhe u gëzonin’ syrinë, gjer aty moti, tri Xhamija, të ngrejtura ndë mënurë të hejëshme dhe të xbukuruara së jashtëmi me shkrojëla dhe lajëla bujare. Me të shemburit’, për shkak të çeluri dhe rangësimi rruge, të Xhamijës’ së Karapicitë, mbeten tashti vetëm’ dy monumenta për t’ushënuarë: Xhamija e haxhi Et-hem Beut’ dhe Xhamija e vjetërë.

Po dhe përveç se si një kujtim i gjallë i kohëvet’ të shkuara këto dy Xhamija kanë dhe një vlejë të përvehtëtë ndë punë bukurije trajte dhe ndërtimi.

Xhamija e Haxhi Et-hem Beut’, sidomos, është si një stolijë, si një kutijë e hijëshme, gjith’ an’-e pjesat’ të së cilësë, qëë nga kikël’ e minaresë gjer ndë rrëzë të nurevet’ thërresin’ syrinë me harmonijën’ dhe sëmetrijën e tyre.

Të huajë, të ardhurë nga vende jashtë Shqipërijësë, nga vise ku monomentat’ të kujtimit’ dhe të bukurijësë janë me shumicë, kanë çfaqurë çudimin’ e tyre të gjejën’ ndë Tiranë ndërtesa aqë të hijëshme sa janë xhamijat’ ndë fjalë. Disa kësij’ të huajësh’ i-a bënë vehtes’ detyrë të mos fshehin’ hidhërimin’ që ndjejtën’ kur, të këthyerë pas kohe ndë Tiranë, nuk’ panë mëë Xhamijën’ e Karapicitë, e cila, ndonëse me vlejë mëë të pakë ndë punë bukurije, plotësonte dhe qeste mëë të spikaturë hejën’ e Xhamijës’ së Haxhi Et-hem Beutë.

Me ndërtimet’ që pasëken’ qënë shortiturë prej engjineri të posaqëmë munt ndofta t’i shtohet’ Xhamijës’ së Haxhi Et-hem Beut’ bukurija si pas shijës’ së sorme, po nuk’ ka për të qënë mëë ajo Xhamijë që na lanë të parët’ t’anë dhe, bashkë me ndryshimet, të trajtës’ së sajë dot’ harrohen’ pak’ nga pakë gjithë kujtimet’ që lidhin’ vark brezin’ t’ënë            dhe brezat’ që dot’ vijën’ me jetën’ e atyre që nuk’ janë mëë.

Për gjithë këto arsuja dhe mbas si për sot, dhe, kemi shpëresë se për shumë paskëtaji, as ngërmesa rangësimi rrugësh as zyra kamatimi dhe fotrësimi muresh o minaresh çfaqin’ nevojën’ për të bërë ndryshime trajte mbi këto dy monomenta kujtojëm’ se është një detyr’ e shenjtë atdhetarije të mbeten’ Xhamijat’ ashtu si ç’janë pa mos u ucenuarë as trajta e godimit’ as mënyra e xbukurimevet’ të vjetërë që kanë një hije të posaqëmë me ato ngjyra aqë të hejëshme dhe aqë bujare.

I hirësijës’ së Juajë me bindurijë dhe me nderime

Drejtori

# # #

Këto ditë po shikoja punimet restauruese që po bëhen në xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë dhe që duken të jenë në përshtatje me parimet e restaurimit dhe më lindi ideja për të shkruar këtë episod të vitit 1930.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • rrem vogli jr.: 06/01/2019 08:52

    pergjigjja e Drejtorit eshte mjafte e hijshme dhe ne perputhje me konceptet e sotme te restaurimit. Ky eshte nje vleresim edhe per Drejtorin e atehershem Sotir Kolea....qe dhe gjuha e perdorur e deshmon.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille