Me fidanë në duar, ata kanë shkuar të zëvendësojnë pemët e prera për ndërtimin e xhamisë, që e konsiderojnë vetëm një justifikim për t’i hapur rrugë ndërtimit të pallateve shumëkatëshe. Ambientalisti Sazan Guri u shpreh se “Mbjellja simbolike e pemëve është kundër elementëve urban në këtë vend.
Këtu do ndërtohet një xhami dhe dy kulla 15 katëshe” u shpreh Guri. Po sipas tij nuk ka një projekt të detajuar urban. “Ka një plan të përgjitshëm në këtë zonë ku mund të ndërtohet? Nuk ka tabelë të projektit. Çfarë marrëdhënie ka xhamia me parlamentin apo me dy kullat e larta që duan të ndërtojnë?
Xhamia në atë zonë është e montuar pa kontekst. Është një tallje që i bëhet komunitetit mysliman, ndoshta dhe nuk ndërtohet fare. Në këtë projekt fshihen pas interesa të tjera” u shpreh Guri. Ai thotë se xhami duhet të ndërtohet mbrapa Pallatit të Kulturës.
Sipas ambientalistit mbrapa Pallati të Kuturës është menduar të ndërtohet një pallat 35 katësh. “Mbrapa Pallatit të Kuturës është menduar të ndërtohet një pallat 35 katësh. Prandaj Xhamia duhet të ndërtohet mbrapa Pallatit të Kulturës kështu që nëse ndërtohet xhamia atje shmanget dhe ndërtimi i këtij 35 katëshi.
Ne nuk jemi kundër ndërtimit të saj, por ajo nuk duhet të ndërtohet këtu” tha Guri. Kështu sipas ambientalistit Guri duke evituar ndërtimin e xhamisë në zonën e Namazgjasë ke evituar dhe dy pallate 15 katësh. Më tej Guri shtron pyetjen se “Ku do shkojë ky intensitet ndërtimi në qendër?”.
Guri shton se “Xhamia nuk do bëhet me kapacitete më mëdha. 100 mijë myslimanë duan të bëjnë ritin. Ndërsa këta s’kanë as projekt, xhamia bëhet për shuma pak kapacitete”. Ndërsa Silvana Veraj një besimtare myslimane e pranishme në këtë protestë u shpreh se Xhamia nuk duhet të ndërtohet këtu, po në një vend tjetër më të qetë.
“Nuk jam kundër ndërtimit të xhamisë, por nuk dua që ajo të ngrihet këtu dhe të shkatërrohen pemët. Ajo duhet të bëhet në një vend tjetër, që të jetë më i qetë” thotë besimtarja. Ndërsa Kastriot Frashëri, përfaqësues i shoqërisë civile u shpreh “ Une i bëj thirrje kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë të ndalojnë veprimet e dhunës ndaj natyrës.
I bëjë thirrje komunitetit mysliman të dinstancohet nga politika. Komuniteti Mysliman duhet të dijë, që një vepër urbane që ngrihet mbi krimin dhe barbarinë e natyrës, kurrë nuk mund të gëzojë statusin e një vepre publike” u shpreh Frashëri. Ndërsa Kristo Goçi ambientalist, e cilësoi paradoksal punimin natën në mes të Tiranës, të një vendi që kërkon të hyjë në Europë. Ambientalistët dhe qytetarët janë shprehur se protestat do të vazhdojnë edhe ditët në vijim.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 13.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)