TIRANË - Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu është duke kërkuar lirinë. Për këtë qëllim, avokati i Mziut ka regjistruar sot në Gjykatën e Apelit në Tiranë, kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë për klientin e tij.
 
Lajmi është bërë i ditur nga gjykata, sipas së cilës, kjo çështje do të trajtohet në datën 13 janar të këtij viti dhe do të merret një vendim për kryebashkiakun e Kamzës, Xhelal Mziu, i cili është arrestuar në datën 20 dhjetor 23013 për akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkelje të barazisë në tendera”.
 
Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, kishte dhënë masën e sigurisë, “arrest me burg”, për Xhelal Mziun. Ky i fundit nuk i ka pranuar akuzat, ndërsa ka deklaruar se, do të përballet me drejtësinë pasi është i pafajshëm.
 
DENONCIMI NDAJ MZIUT PER RIKONSTRUKSIONIN E RRUGES SE VALIASIT
Sipas njoftimit zyrtar nga Task Forcë e Prokurorisë së Tiranës, ky organ ka arritur në konkluzionin se dy shtetasit kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë procedurës së prokurimit publik për ndërtimin e rrugës “Valias i Ri-Varrezat Laknas. Sipas hetimeve, ka rezultuar se autoriteti kontraktor, bashkia Kamëz, pas përfundimit të plotë të procedurave ka shpallur fitues shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.p.k.
 
Megjithatë, dy zyrtarët nuk kanë pranuar të nënshkruajnë kontratën me këtë shoqëri brenda afatit ligjor (30 ditë). Në përfundim të këtij afati, autoriteti kontraktor-Bashkia Kamëz, e ka skualifikuar shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.p.k, me arsyen se nuk ishte paraqitur për nënshkrimin e kontratës. Ndërkohë, rezulton se shoqëria fituese ka bërë të gjitha përpjekjet nga ana e saj për të realizuar nënshkrimin e kësaj kontrate për ndërtimin e rrugës, por që është refuzuar nëpërmjet formave të ndryshme nga ana e titullarëve të autoritetit kontraktor-bashkia Kamëz.
 
Nisur nga neglizhenca e zyrtarëve të bashkisë Kamëz, përfaqësuesi i shoqërisë “Gjoka Konstruksion” sh.p.k ka kryer vëzhgime në terren dhe ka konstatuar se në rrugën objekt prokurorimi publik kishte nisur punimet për ndërtimin e saj nga ana e një shoqërie tjetër, “Everest” sh.p.k, e cila nuk ishte shpallur fituese, por mësohet se posedohej nga njerëz të afërt pranë kryebashkiakut Mziu.
 
Në këto kushte, shoqëria “Gjoka Konstruksion” ka dorëzuar kallëzimin penal nga hetimi i të cilit, prokuroria ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit Xhelal Mziu dhe Atli Hoti kanë kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
 
KUSH ESHTE XHELAL MZIU
Mziu u emërua në detyrën e kryetarit të bashkisë Kamzë në 18 shkurt 2007. Aktualisht po kryente mandatin e tij të dytë në këtë detyrë si përfaqësues i Partisë Demokratike..
 
Lindur në vitin 1967, në Peshkopi, Xhelal Mziu u diplomua në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në vitin 1993.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)