TIRANE- Hetimi i njësisë Task-Forcë pranë prokurorisë së Tiranës, ka zbuluar se në një rast kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu ka kërcënuar me largim nga puna dy vartësit e tij, Atlis Hoti dhe Bujar Loshin, nëse bashkia nuk arrinte të fitonte gjyqin në Gjykatën e Apelit. Procesi gjyqësor për taksat arbitrare ndaj komanisë së ndërtimit “Gjoka Konstruksion” ishte humbur nga bashkia në Gjykatën e Tiranës, dhe pasi është njohur me këtë vendim, Mziu ka vendosur mbishkrimin “Urgjent për mbrojtje në shkallët e tjera. Do të jetë kusht dhe largim nga puna të të dyve nëse nuk fiton bashkia”.

Pavarëisht këtij kërcënimi, bashkia e Kamzës ka humbur gjyqin edhe në gjykatën e Apelit, duke bërë që pas kësaj kompania “Gjoka Konstruksion” të aktivizojë përmbarimin privat duke kërkuar marrjen e shumën financiare prej 50 milion lekë të vjetra nga llogaritë bankare të bashkisë së Kamzës. Nga hetimet rezultoi se shtetasi i pandehur hetim Xhelal Mziu, në bashkëpunim me shtetasin nën hetim Bujar Lloshi kanë konsumuar elementët e veprës penale të  “Shpërdorimit të detyrës”.

Nga ana objektive vepra penale është kryer me veprime ose mos veprime të kundraligjshme, të cilat konsistojnë në vendosjen e taksave në kundërshtim me ligjin si dhe në kundërshtim me vendimet gjyqësore. Nga veprimet e kundraligjshme janë dëmtuar interesat e ligjshme të dy shoqërive tregtare. Këto shoqëri janë detyruar të paguajnë taksa të kundraligjshme në vlerat 12.000.000lek “Albavia sh.p.k” dhe 5.000.000 lek “Gjoka Konstruksion sh.p.k”, ku u janë dëmtuar interesat ekonomike, si dhe siç do të shpjegohet më poshtë shoqëritë në fjalë janë përjashtuar nga një sërë proçedurash tenderimi, duke dëmtuar në këtë rast edhe interesat e shtetit.

Nga ana subjektive vepra penale është kryer me dashje direkte dhe ky fakt është mëse i evidentueshëm po t’i referohemi shënimeve të bëra nga Kryetari i Bashkisë, ku në vend të merren masa për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga veprime të paligjshme të konstatuara nga gjykata, urdhërohen rivlerësime tatimore për vitet paraardhëse.


Shkrimi u publikua sot (09.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)