Xhensila Myrtezaj: "Fama nuk më bën të lumtur"

Xhensila Myrtezaj: "Fama nuk më bën të lumtur"
Ajo i ka ngjitur rrugët e karrierës të sigurta dhe sot është një ndër këngëtaret e reja më të vlerësuara. Xhensila Myrtezaj ka krijuar që në fillimet e karrierës një identitet të vetin si artiste. Fillimisht ishin baladat e ëmbla të dashurisë, me të cilat ajo fitoi mjaft vëmendje nga publiku, e sidomos kur më pas historia e saj me aktorin e Portokallisë, Besi u bë zyrtare e pushtoi faqet e mediave rozë. Këtë herë Xhensila vjen me një këngë më ritmike, që i shkon për shtat verës dhe fillimit të vjeshtës. Ka zgjedhur të provokojë me titullin “Liar” këtë herë, por ama vetë thotë se gënjeshtrat nuk i pëlqejnë fare, as në dashuri dhe as ato të bardhat, të cilat i ka lënë qysh nga koha e fëmijërisë. “Unë nuk jam pro gënjeshtrës as në dashuri e as në asnjë aspekt tjetër jetësor. Nëse do gënjenim në dashuri do gënjenim veten, sepse partneri ose partnerja është gjysma jote”, -thotë Xhensila, e cila këtë herë vjen më shpërthyese se kurrë. 

Xhensila sapo ka dalë klipi yt i ri “Liar”, me kë bashkëpunove këtë herë?

Kënga është kompozuar nga Elgit Doda, me të cilin vij edhe në bashkëpunim këtë herë. Teksti mban firmën e Rozana Radit dhe klipi është realizuar nga “Max production”. Ndërsa sa i përket rrymës muzikore, kjo këngë ka ritme verore hause.

Suksesi për ty ka ardhur shpejt, i menjëhershëm… a të frikëson kjo gjë?

Jo. Aspak, pastaj nuk do të thoja që ka ardhur i menjëhershëm, sepse unë kam që fëmijë që merrem me muzikën. Qysh nga “Gjeniu i vogël” e deri tek “Ethet e së premtes” e deri më sot unë kam punuar shumë gjatë gjithë këtyre viteve me gjithë forcën dhe dashurinë që kam për muzikën. Gjithmonë jam munduar gjatë këtyre viteve që të hedh hapa të ngadaltë, por të sigurtë. Nuk më tremb përderisa ky sukses që kam sot nuk më ka ardhur i menjëhershëm, por është kultivuar ndër vite.



Je identifikuar deri diku me balada të bukura dashurie. Këtë herë zgjedh të vish me një këngë për gënjeshtarët dhe gënjeshtrat. Mendon se të gjithë gënjejmë nga pak, qoftë edhe në dashuri?

Të falenderoj për fjalët. Unë nuk jam pro gënjeshtrës as në dashuri e as në asnjë aspekt tjetër jetësor. Nëse do gënjenim në dashuri do gënjenim veten, sepse partneri ose partnerja është gjysma jote.

Gënjeshtra më e madhe që ke thënë ndonjëherë, qoftë nga fëmijëria, të kujtohet?

Do të gënjeja nëqoftëse do të thoja që nuk kam gënjyer ndonjëherë. Të them të vërtetën nuk mbaj mend ndonjë specifike, megjithëse gënjeshtrat e fëmijërisë janë naïve, të pafajshme ose gënjeshtra të bardha, por që kam një hall të madh Jonida që nga fëmijëria e deri më sot nuk më kanë ecur gënjeshtrat për qamet, pasi skuqem dhe kuptohem menjëherë (qesh).

Sa rëndësi ka sinqeriteti per ty?

Ka rëndësinë më të madhe në karakterin e një individi. Është virtyti që vlerësoj më së shumti tek një person, ka rëndësinë maksimale.

Më mirë një e vërtetë e hidhur apo një gënjeshtër e bukur?

Një e vërtetë e hidhur.



Cili është çelësi i një raporti perfekt sipas teje?

Ndjenja për njëri-tjetrin, sinqeriteti dhe respekti ndaj njëri-tjetrit.

Çfarë të bezdis më shumë në përditshmërinë tënde?

Varfëria që shoh përreth, varfëria e ideve, varfëria shpirtërore, varfëria e humanizmit, varfëria matëriale.

Të bën të lumtur fama?

Më fal kënaqësi, por nuk më bën të lumtur.

Je tunduar ndonjëherë nga ideja për të bërë operacion plastik?

Jo nuk jam tunduar të paktën deri më sot.



Pushimet e kësaj vere si i kalove?

Ishin pushime të mrekullueshme, shumë energjike, shumë intensive, shumë romantike dhe shplodhëse.

Çfarë të bezdis më shumë nga fakti që je e njohur?

Asgjë nuk më bezdis. Kjo është rruga që unë kam zgjedhur. Nëse do më bezdiste nuk do e kisha nisur kurrë.

Ndihesh e shpërblyer nga ana financiare si këngëtare për gjithë investimin që ke bërë dhe po bën?

Ndihem mëse e shpërblyer. Nuk ka sadisfaksion më të madh se të jesh në skenë të vlerësohesh, të motivohesh nga duartrokitjet dhe komentet pozitive.

Je dakort që në fakt këngëtaret e skandaleve paguhen më shumë?

Nuk do doja që të flisja për këtë pjesë. Nuk dua të heq paralele me askënd. Unë jam e kënaqur me ato burime që më vijnë nga muzika.

Sa e vështirë është të kesh një stil tëndin si artiste dhe mos të përflitesh për imitime apo kopje siç ndodh rëndom në muzikën shqiptare?

Nuk është e vështirë fare. Mjafton që gjërat që ti bën të vijnë natyrshëm dhe ti të mos dalësh nga vetja. Unë gjithmonë jam munduar t’i përmbahem kornizës time dhe asnjëherë nuk kam marrë shembull askënd.
 

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të suplementit "THASH&THEM" të gazetës "Shqiptarja.com"

Redaksia Online
(Xhulia Karavella/shqiptarja.com)
 

1/3
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Protesta, militantët mblidhen në selinë blu! Pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë

Protesta, militantët mblidhen në selinë blu! Pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë