Skema e largimeve
Fenomeni po përhapet me shpejtësi të frikshme në dyert e familjeve shqiptare, ku burimet e rezervuara thonë se Shqipëria e Mesme, Korça dhe pjesë të Malësisë janë zonat më të prekura. Për të mbuluar gjurmët, kryefamiljarët, që më parë kanë pasur lidhje me OJF të ndryshme myslimane, organizojnë ikjen, duke i maskuar familjet si vullnetarë të këtyre organizatave, në ndihmë të popullsisë civile. Ky është justifikimi dhe sapo kalohet përmes Turqisë, burra, gra e fëmijë i dorëzohen “ferrit të tokës”, nga ku dalja gjallë mbetet çështje fati. Mediet e fuqishme botërore e kanë konfirmuar faktin se me të shkuar atje burrat luftojnë për të formuar shtetin e madh islamik, ku do të sundojnë ligjet e Zotit, ndërsa gratë dhe fëmijët përdoren si mbrojtje e ektremistëve kundrej sulmeve të forcave qeveritare.
1 mijë fëmijë të vrarë
Nga ana tjetër, për të pasur një ide më të qartë rreth situatës atje, mjafton të fiksohet fraza se “Më shumë se 11.000 fëmijë janë vrarë në luftën civile”. Kjo deklarohet nga grupi për kërkime në Oksford, i cili në raportin “Fate të vjedhura” thotë se shumica e 11.420 fëmijëve të raportuar të vdekur, u vranë në shpërthime dhe shumë të tjerë u qëlluan për vdekje. CNN thotë se, sipas raportit, ajo që është më shqetësuese, nuk është numri i fëmijëve të vrarë në këtë konflikt, por mënyra se si ata janë duke u vrarë.
Bashkëautorja e raportit Hana Salema tha në një deklaratë se “Më shumë se 1.000 fëmijë ose u ekzekutuan ose u vranë nga snajperët, teksa 112 foshnja janë torturuar para se të vriten. Grupi i kërkimeve të Oksfordit tha se Alepo ishte vendi më me shumë vdekje të fëmijëve, me 2.223. Gjigandi mediatik CNN thotë se statistikat janë marrë nga listat e viktimave të organizatave siriane nga marsi 2011 deri në gusht 2013. Në qershor, Kombet e Bashkuara thanë se 6.500 fëmijë janë vrarë nga fillimi i luftës.
U përdhunuan 6 mijë femra
“Rreth 6000 femra janë përdhunuar që nga fillimi i konfliktit në mars 2011”-deklaron rrjeti Euro Mesdhetar i të Drejtave të Njeriut (EMHRN). Një zëdhënëse tha se gratë janë shënjestër për snajperët dhe po përdoren si mburoja njerëzore, shpesh me fëmijët e tyre. “Ato janë duke u përdorur si privilegj", tha zëdhënësja e EMHRN, Hayet Zeghiche për BBC. Raporti thotë gjithashtu se rrëmbimi i grave është bërë strategji e shkëmbimit të të burgosurve si dhe përdoren për hakmarrje, përdhunime në grup, etj teksa bëhen të papranueshme për shoqërinë.
Ekstremizmi në rajonin tonë
Në këtë situatë, për fat të keq, i kanë vendosur familjet e tyre disa shqiptarë që janë joshur nga predikimet e ekstremistëve. Në kulmin e këtyre zhvillimeve, shqiptarët ende vijojnë të mashtrohen nga krijimi i një shteti islamik me ligjet e Sheriatit. Ditët e fundit në Kosovën fqinje u rishhfaq grupi i xhihadistëve të Kosovës që kërcënoi policinë me fjalët ““Pasha Allahun! Do të hakmerremi për torturat dhe keqtrajtimet barbare dhe monstruoze në burgun e Gjilanit. Ngrihni duart, bashkoni shuplakat dhe goditni felëshuesit. Në këtë mënyrë që terrorizmit t’i përgjigjemi me terrorizëm”.
Gazeta “Shqiptarja.com” ka publikuar apelin e Imamit Ahmet Kalaja që kërkon ndalim të vetësakrifikimeve për Xhihad në Siri, sepse që Xhiladi të jetë i plotë duhet marrë leja e prindërve, gjë e cila s’ndodh. Për fat të keq shqiptarët vijojnë të vriten në këtë luftë, ku të paktën 4 janë konfirmuar. Në Alepo më 27 dhjetor 2013 u vra shqiptari Ebu Amar, që lufonte për organizatën terroriste Al Nusra, një ndarje e Al-Kaedës. Në fund të nëntorit 2012, u vra Anri Maliqi, 34 vjeç, i martuar dhe baba i tre fëmijëve. Disa muaj më vonë, u vra gjithashtu duke luftuar në rradhët e një grupi ekstremist, Ermal Xhelo, i njohur edhe me emrin Ebu Umer. Rajoni dhe kryesisht Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bosnja, etj, janë cilësuar si “furnizues” të rregullt të Sirisë me ekstremistë që luftojnë në frontet e ashpra e tashmë marrin me vete gra e fëmijë.
ISIS, luftë e rrëmbime
Shteti Islamik në Irak dhe Levant (Isis)mori kontrollin e qytetit kufitar me Turqinë, Atimah, larg nga fraksionet më të moderuara të Ushtrisë së Lirë siriane. Tashmë atje mund të pritet vendosja e doganave strikte islamike, gratë dhe vajzat të detyrohen të mbulohen dhe vendoset Sheriati (ligji fetar). Në një artikull për “Sentinel”, gazeta që boton shkrime për Luftën Kundër Terrorizmit, Brian Fishman argumenton se Isis dhe grupe të tjera xhihadiste janë më të rrezikshme në Siri sesa në Irak. “Ata, tani përfshijnë deri në 12.000 luftëtarë të kombinuar,"- thotë Fishman, “duke përfshirë rreth 900 evropianë , shumë prej të cilëve janë të mësuar për të përdorur armë të sofistikuara”. Sakaq, për BBC, rrëfen Mohamedi, 50-vjeçari që ka qenë inxhinier në të kaluarën dhe u rrëmbye nga ISIS. "Më kanë lidhur me pranga, me sy të mbyllur, kur më dërguan në bazën e tyre. Ashtu si 6 të burgosur të tjerë, ne na rrihnin 70 herë çdo ditë”-tha ai.
Ankaraja zyrtare në Turqi ka ndërmarrë një valë dëbimesh të qytetarëve europianë të lidhur me grupe islamike ekstremiste. Por luftëtarët e huaj xhihadistë janë duke përdorur shtëpi të sigurta në Turqinë jugore për të kaluar në Siri. Këtë e ka mësuar së fundmi BBC, ku ish-komandanti FSA, Richard Galpin i tha gjigantit mediatik se në shtëpitë e qytetit Reyhanli ishin parë më shumë se 150 njerëz në 90 ditët e fundit. Rreth 2.5 milionë sirianë ndodhen në vendet kufitare, ku kanë shkuar për t'i shpëtuar luftimeve. Aktualisht, numërohen 838 mijë sirianë në Liban, 567 mijë në Jordani, 540 mijë në Turqi, 207 mijë në Irak, 129 mijë në Egjipt dhe disa dhjetëra mijëra në vende të tjera. 6,5 milionë sirianë konsiderohen aktualisht refugjatë brenda Sirisë, pasi kanë braktisur banesat e tyre të shkatërruara nga luftimet apo të ndodhura në zonat e nxehta të frontit. Më shumë se 100,000 njerëz vlerësohet të jenë vrarë në konfliktin 2-vjeçar.
Shkrimi u publikua sot (07.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)