TIRANË - Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Nevila Xhindi duke folur sot në konferencën kombëtare “Partneriteti për qeverisje të hapur”, ka deklaruar se, vendimmarrja e qytetarëve është prioritet i institucionit.
 
Qëllimi i konferencës kishte të bënte me rolin që duhet të luaj qeverisja lokale dhe ajo qendrore, si dhe promovimi i transparencës, fuqizimi i qytetarëve dhe lufta kudër korrupsionit duke e përdorur teknologjinë e informacionit për forcimin e qeverisjes.
 
Në fjalën e mbajtur Xhindi theksoi rolin që Bashkia e Tiranës ka dhënë në këtë kuadër gjatë këtyre dy viteve të saj në drejtim të komunikimit me qytetarët nëpërmjet ngritjes së drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun, ku nëpërmjet “One Stop Shop”, kjo zyrë ka arritur të jetë më pranë qytetarit për t’i dhënë zgjidhje halleve dhe problemeve të tyre.
 
“Bashkia e Tiranës ka në vizionin e saj të promovojë një qeverisje të hapur, krijuese dhe të përgjegjshme. Unë do të ndalem në disa, nga veprimet e kryera nga Bashkia e Tiranës për të qenë sa më afër qytetarëve, duke komunikuar nëpërmjet teknologjisë së informacionit. Qytetarët kanë mundësi të raportojnë çdo problem vetëm me një klik në portalin e dedikuar “Rregulloj Qytetin tim”, i cili është një portal që funksionon prej një viti e gjysëm.
 
Njëkohësisht prej dy vitesh bëhet konsultimi i buxhetit, konsultimi i hapur me të gjithë qytetarët, të gjithë kemi qenë dëshmitarë të konsultimit më të gjerë, të mundshëm të planit urbanistikë. Prej katër muajsh është vënë në funksionim, portali për punësimin, i cili sjellë së bashku qytetarët e Tiranës dhe sipërmarrësit në marrëdhënien e tyre kërkesë-ofertë. Është një ndërmjetësim në kuadër të politikave që ndjek Bashkia e Tiranës për nxitjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik,” ka deklaruar Xhindi.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)