'Xhisiela', Meta: Nuhu më dërgoi letër, nuk e besova, por të mos teprohet politikisht

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar për herë të parë për rastin e Xhisiela Malokut pas denoncimit të ish-oficerit Nuhu, që më pas u arratis duke kërkuar azil në Zvicër. Kreu i shtetit tha gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, se Nuhu e kishte vendosur në dijeni përmes një letre, por shtoi se nuk e besonte që do të ndodhnin ato gjëra. Presidenti kërkon që të mos mbrohet askush, por bën edhe një apel për opozitën që të mos teprohet me akuza politike. Gjithashtu ai kërkoi nga prokuroria dhe policia sqarim të paanshëm të odisesë.

Së pari ky është një problem mjaft serioz për shoqërinë tonë dhe kjo është një plagë e thellë dhe e gjerë shoqërore, pavarësisht se sa del në sipërfaqe dhe bëhet pjesë e debatit. Kështu që duhet të theksoj se unë personalisht, edhe në pozitën e Presidentit jam shprehur qartë në këtë çështje dhe e kam bërë të qartë që përsa kohë do të jem në këtë pozitë, nuk do të favorizoj dhe nuk do të konfirmoj asnjë amnisti apo falje për çdo person që ushtron dhunë në familje. Besoj se edhe Parlamenti dhe qeveria mbajnë të njëjtin angazhim, që të dekurajojnë cilindo që mendon se mund përfitojë në të ardhmen, pavarësisht nga dhuna e nga krimi që kryen.

Për rastin konkret, është një çështje për të cilën unë kam marrë një letër, që i drejtohej edhe kryeministrit, ministrit të Brendshëm dhe prokurores së Përgjithshme të Përkohshme në mos gabohem, përpara se të nisesha për në Shtetet e Bashkuara, nga oficeri Nuhu. Nuk kam besuar se mund të ndodhin ato çështje, por me çështjen në fjalë është marrë dhe po e ndjek ekipi im me në krye këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, zoti Bahri Shaqiri, kështu që do të më duhet, për të mbajtur një qëndrim më qartë, të kem një informacion edhe më të plotë, edhe më të besueshëm.

Siç e thatë edhe ju, është për fat të keq, që ka një polarizim në këtë çështje ku mendoj se duhet të ketë një bashkim të të gjithëve për të adresuar një fenomen që kërcënon shoqërinë tonë, familjen tonë, pa i dalë askujt në mbrojtje, aq më tepër kur bëhet fjalë për persona, të cilët kanë lidhje politike, por njëkohësisht pa e tepruar me akuza politike, duke pasur në konsideratë që është një çështje që krijon ndjeshmëri.

Ajo që unë do të nënvizoja, përveç rëndësisë që prokuroria dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit duhet të ndërmarrin të gjitha hapat e të sqarojnë të gjitha momentet e kësaj odiseje, sepse mendoj se është një odise e tërë, në mënyrën më të paanshme për të vendosur një besim të publikut te institucionet e zbatimit të ligjit, – mendoj se është shumë e rëndësishme shoqëria civile, pra të gjitha ato organizata dhe institucione, të cilat janë edhe të specializuara, janë marrë me çështjet e dhunës ndaj grave dhe çështjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, – të jenë të bashkuara për ta ndriçuar këtë çështje në interes të së vërtetës dhe të askujt tjetër, sepse përndryshe do të kemi edhe shumë raste të tjera në të ardhmen, të cilat padyshim që do të dëshmonin se jemi një vend, i cili mbetet ende larg funksionimit të ligjit dhe besimit te institucionet.

Ilir Meta

Në 10 ditët e fundit që pas denoncimit të ish-oficerit Nuhu, dosja Rraja ka qenë kryefjalë e debatit dhe akuzave mes shumicës dhe opozitës. Ish-oficeri i Krujës, që kërkoi azil në Zvicër pretendon se në datë 21 korrik është kërcënuar më armë në kokë për të mbyllur dosjen e hapur për akuzën e përdhunimit në ngarkim të djalit të deputetit të Partisë Socialiste, Rahman Rraja. Ai akuzon se në datë 21 korrik vëllai i deputetit i ka vënë pistoletën në kokë, vetë deputetin Rraja, kryebashkiakun Artur Bushi dhe Taulant Ballën se ishin në mesin e 10 personave që e kërcënuan.

Por Nuhu, kur bëri më 30 korrik kallëzimin në Komisariatin 6 të Tiranës, duke denoncuar se ishte kërcënuar pasi po hetonte çështjen e Xhisielës, nuk i referohet aspak episodit të 21 korrikut. Kufizohet vetëm të thotë se pasditen e 30 korrikut dy kushërinj të Rexhep Rrajës, Redian dhe Ramazan Rraja, e kanë kontaktuar nëpërmjet Ëhat’s up-it, duke kërkuar ta takonin në Tiranë.

Sipas policisë që heton mbi këtë çështje, këto kërcënime me armë në të vërtetë nuk kanë ekzistuar dhe Emiljano Nuhu ka vendosur t’i shpikë ato vetëm para se të arratisej, në mes të gushtit, për ta bërë më të besueshme dhe solide kërkesën për azil politik.

Intervista e plotë e Presidentit Meta te Zëri i Amerikës
Gazetari: Zoti President, para se të ndalemi te problemet e sigurisë në Ballkan, dua t’ju pyes për një zhvillim të ditëve të fundit në Shqipëri që ka të bëjë me dhunën në familje, një fenomen i përhapur në vendin tuaj. Rasti ka të bëjë me Xhisiela Malokun, vajzë e re dhe djalin e një deputeti, i cili akuzohet për dhunë ndaj saj, por duket që ky rast në Shqipëri në vend që të shërbejë për të tërhequr vëmendjen për këtë fenomen si dhe për t’i nxitur autoritetet që të marrin masa në mënyrë që këto gjëra të ndodhin sa më pak, duket se ka marrë një këndvështrim disi tjetër. Cili është komenti juaj për këtë rast?

Presidenti Meta: Së pari ky është një problem mjaft serioz për shoqërinë tonë dhe kjo është një plagë e thellë dhe e gjerë shoqërore, pavarësisht se sa del në sipërfaqe dhe bëhet pjesë e debatit. Kështu që duhet të theksoj se unë personalisht, edhe në pozitën e Presidentit jam shprehur qartë në këtë çështje dhe e kam bërë të qartë që përsa kohë do të jem në këtë pozitë, nuk do të favorizoj dhe nuk do të konfirmoj asnjë amnisti apo falje për çdo person që ushtron dhunë në familje. Besoj se edhe Parlamenti dhe qeveria mbajnë të njëjtin angazhim, që të dekurajojnë cilindo që mendon se mund përfitojë në të ardhmen, pavarësisht nga dhuna e nga krimi që kryen.

Për rastin konkret, është një çështje për të cilën unë kam marrë një letër, që i drejtohej edhe kryeministrit, ministrit të Brendshëm dhe prokurores së Përgjithshme të Përkohshme në mos gabohem, përpara se të nisesha për në Shtetet e Bashkuara, nga oficeri Nuhu. Nuk kam besuar se mund të ndodhin ato çështje, por me çështjen në fjalë është marrë dhe po e ndjek ekipi im me në krye këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, zoti Bahri Shaqiri, kështu që do të më duhet, për të mbajtur një qëndrim më qartë, të kem një informacion edhe më të plotë, edhe më të besueshëm.

Siç e thatë edhe ju, është për fat të keq, që ka një polarizim në këtë çështje ku mendoj se duhet të ketë një bashkim të të gjithëve për të adresuar një fenomen që kërcënon shoqërinë tonë, familjen tonë, pa i dalë askujt në mbrojtje, aq më tepër kur bëhet fjalë për persona, të cilët kanë lidhje politike, por njëkohësisht pa e tepruar me akuza politike, duke pasur në konsideratë që është një çështje që krijon ndjeshmëri.

Ajo që unë do të nënvizoja, përveç rëndësisë që prokuroria dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit duhet të ndërmarrin të gjitha hapat e të sqarojnë të gjitha momentet e kësaj odiseje, sepse mendoj se është një odise e tërë, në mënyrën më të paanshme për të vendosur një besim të publikut te institucionet e zbatimit të ligjit, – mendoj se është shumë e rëndësishme shoqëria civile, pra të gjitha ato organizata dhe institucione, të cilat janë edhe të specializuara, janë marrë me çështjet e dhunës ndaj grave dhe çështjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, – të jenë të bashkuara për ta ndriçuar këtë çështje në interes të së vërtetës dhe të askujt tjetër, sepse përndryshe do të kemi edhe shumë raste të tjera në të ardhmen, të cilat padyshim që do të dëshmonin se jemi një vend, i cili mbetet ende larg funksionimit të ligjit dhe besimit te institucionet.

Gazetari: Zoti Meta, në fjalën tuaj në OKB, por edhe dje këtu në Uashington, ju u shprehët kundër idesë së ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Çështja e ndryshimit të kufijve është një element i ri që ka dalë tashmë midis dy vendeve. Uashingtoni është shprehur që do të mbajë një qëndrim pritës për t’ua lënë palëve për të parë se çfarë mund të bien dakord. Komisioni Europian nuk e ka hedhur poshtë, nuk e ka kundërshtuar këtë ide. Në Kosovë kundërshtimet kanë qenë të mëdha dhe Presidenti Thaçi duket sikur kohët e fundit nuk është më edhe aq entuziast sa ç’ka qenë në fillim për këtë teori. A mendoni se kjo ide po vdes ende pa u qartësuar se çfarë përmbante ajo?
Presidenti Meta: Besoj se ka pasur një debat të gjerë dhe natyrisht edhe intepretime e spekulime nga më të ndryshmet. Ndaj kam thënë që kjo tema e ndryshimit të kufijve në rastin më të mirë është humbje kohe. Në rastin më të keq na rrezikon që të rihapim “Kutinë e Pandorës” në Ballkan.

Përsa i takon Presidentit Thaçi, mendoj se ai asnjëherë nuk ka folur për ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh. Ai ka përdorur një term të veçantë: “korrigjim” duke pretenduar apo mirëkuptuar një aspiratë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për t’u bashkuar me Kosovën. Dhe natyrisht që pas kësaj ka pasur një riaktivizm të atyre që realisht janë më të interesuar për ndryshimin e kufijve në Ballkan apo për të folur për territore, kur në fakt nuk duhet të harrojmë të gjithë përse u nis dialogu midis Serbisë dhe Kosovës dhe kur nisi ai.

Ky dialog nisi pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në përgjigje të pretendimit të Serbisë për t’u shprehur për paligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, u shpreh pikërisht se kjo pavarësi ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Pra pavarësia nga ana politike ishte legjitime, sepse ishte një pavarësi e imponuar nga genocidi që ndodhi. Dhe ishte pastaj Paketa Ahtisaari ajo që çeli rrugën e pavarësisë në bashkëpunim me komunitetin ndërkomëtar. Dhe së dyti, Kosova shumë shpejt u bë një realitet i njohur nga të gjithë, nga shumica e vendeve të OKB-së, nga të gjitha vendet fqinje, përveç Serbisë, dhe ndërkohë Serbia dëshironte të ecte përpara në procesin e integrimit europian për të hapur kapitujt e saj.

Kështu që mënyrë të natyrshme u çel dialogu me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian për t’i dhënë zgjidhje problemeve të Serbisë me fqinjët, pra problemit me Kosovën, por njëkohësisht edhe për të normalizuar marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve. Çdo përpjekje tani për të dalë në tema të tjera më duket se është humbje kohe dhe është e rrezikshme dhe nuk mendoj se duhet të spekulojmë me qëndrimin amerikan. Kam idenë se ai ka ndryshuar, sepse qëndrimi amerikan, europian dhe i kujdo tjetër, sepse nëse dikush thotë që duam të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme, e cila nuk cenon stabilitetin, që garanton zbatueshmërinë, etj., do të ishte “OK”, do të ishte shumë mirë. Dhe kjo është shumë normale, por nëqoftëse ecet në një temë të tillë, të ndryshimit të kufijve, ne e dimë se kjo hap shumë çëshjte dhe hap shumë pasiguri, sepse në kompjuter mund t’i bësh për dy minuta, por për t’i zbatuar në realitet, ne e dimë se çfarë ndodh.

Vetëm një gjë dua të them: Në Ballkan dy vende, të cilat nuk kanë problem territoresh, por kanë problem demarkacioni siç është Slovenia dhe Kroacia, të cilat janë edhe anëtare të Bashkimit Europian, dhe ato ende apo jo, ka edhe vendim gjykate, ende nuk është një çështje e përfunduar mes dy vendeve do të thoja, shumë më të emancipuara dhe në një raport shumë më të afërt.

Kemi rastin e Malit të Zi me Kosovën. U miratua nga qeveria e mëparshme e Kosovës marrëveshja, edhe pse ishte me shumicën më të madhenë parlament që kishte dy të tretat, dhe nuk kaloi dot për tri vite. Përse? Për disa pyje ku nuk banon askush!

Gazetari: E qartë.
Presidenti Meta: Dhe kur dihet kur dihet se marrëdhëniet e Malit të Zi me Kosovën janë të shkëlqyera, janë shumë të mira. 

Gazetari: Kjo është një çështje shumë e ndërlikuar. Do të ndalemi në një çështje tjetër në Ballkan që është po kaq e mprehtë. U konsiderua si një sukses i mundshëm që politikat perëndimore mund ta arrinin në Ballkan. E kam fjalën për çështjen e ndryshimit të emrit të Maqedonisë. Pas kaq vitesh u arrit marrëveshja me Greqinë. Referendumi u zhvillua. Nuk u arrit shumica e duhur që ai të quhej apo të konsiderohej si i suksesshëm. Në fakt, mendimin tuaj? A ishte ky një dështim, edhe i Perëndimit dhe çfarë mësimi mund të nxirret nga ky rast? Pati një investim të madh nga Perëndimi në suksesin e referendumit në Maqedoni.
Presidenti Meta: Unë besoj se perëndimi bëri maksimumin për kohën në dispozicion, sepse nuk duhet të harrojmë që ka çështje të tjera më të mëdha. Madje u tregua edhe një unitet shumë i fortë i lidhjes trans-atlantike, SHBA-BE si rrallëherë për çështje të tjera - në këtë rast për çështjen e Maqedonisë - dhe mund të them se rezultati është i suksesshëm relativisht.

Kuptohet, nga ana ligjore është jo shumë i vlefshëm, sepse nuk u kalua pjesëmarrja prej 50%, por të gjithë e dimë, edhe opozita e Maqedonisë besoj se di shumë mirë, që ato janë lista fiktive, pra të bëra shumë kohë më parë, jo të përditësuara.

Ndërkohë, ajo që unë mendoj dhe që e shoh si rrezikun më të madh për momentin, është që kjo situatë të shfrytëzohet politikisht nga të dy palët. Pra njëra palë ndoshta të mos bëjë përpjekjet e duhura për një pakt të gjerë me opozitën kryesore për të zgjidhur këtë çështje tani dhe jo më vonë.

Sepse më vonë nuk i dihet, nuk ka më kohë, por ta shfrytëzojë për të shkuar në zgjedhje me shpresën që do të ketë një mazhorancë më të madhe dhe pala tjetër njëkohësisht duhet ta kuptojë që kjo është një çështje që duhet të marrë zgjidhje. Sepse VMRO-ja ishte në pushtet për gati 10 vite, nuk arriti dot t’i jepte zgjidhje kësaj çështjeje dhe duke mos i dhënë zgjidhje, nuk arriti dot të fuste Maqedoninë në NATO, kur duhet të hynte në të njëjtën kohë me Shqipërinë dhe me Kroacinë.

Procesi i integrimit europian është bllokuar dhe unë jam i bindur që edhe në VMRO-DPMNE janë shumë politikanë, të cilët dëshirojnë që Maqedonia të jetë në NATO, dëshirojnë që Maqedonia të ecë përpara në drejtim të integrimit europian dhe është momenti që të dy palët të mos e kthejnë këtë në luftë për interesa të ngushta politike, por të realizojnë një pakt kombëtar që e mbyll këtë çështje një herë e përgjithmonë. Mendoj që edhe perëndimi këtu duhet të investojë energjitë në ditët e ardhshme për të realizuar një pakt të tillë.

Gazetari: Zoti Meta në çfarë pike është dialogu me Greqinë për momentin për marrëveshjen e detit? Javën e kaluar Ministri i Jashtëm grek deklaroi se negociatat kanë ngecur sipas tij për shkak të mosmarrëveshjeve mes jush dhe qeverisë shqiptare, duke lënë të kuptohet se mes palëve është gjetur një gjuhë e përbashkët, porse jeni ju që po kundërshtoni një marrëveshje të arritur...                                      
Presidenti Meta: Unë marrëdhëniet me fqinjët i kam shumë përzemër, të tilla i kam pasur gjithmonë dhe nuk më pëlqen të hyj në polemika, por në respekt të pyetjes suaj dhe të rëndësisë së çështjes – sepse është çështje shumë e rëndësishme dhe ka gati 10 vite që nuk është zgjidhur ende dhe për të cilën ka një vendim të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë – dua të them që unë kam bërë përpjekjet e mia maksimale në mënyrën më konstruktive për t’i kontribuuar zgjidhjes së drejtë të kësaj çështjeje dhe jo ndërlikimit të mëtejshëm të saj.

Sepse kjo është një çështje delikate tek ne, por është një çështje delikate edhe në Greqi, kështu që kam bërë gjithçka. Me kryeministrin Rama kemi pasur një dakordësim të plotë. Kemi pasur disa mosmarrëveshje me Ministrin Bushati për këtë çështje. Dhe ia kam bërë të qartë kryeministrit që ai, në rast se ai është i bindur se është tërësisht e mundur për t’u finalizuar një marrëveshje e tillë ai do të ketë autorizimin nga ana ime, si kryeministër, por edhe si shef i mazhorancës, - sepse është një marrëveshje që duhet të kalojë në parlament - por natyrisht ia kam bërë të qartë dhe më duhet ta them edhe këtu, se është shumë e rëndësishme që një marrëveshje e tillë duhet të ratifikohet në parlament në një moment kur Shqipëria të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Përndryshe, kjo nuk do t’i shërbente mbarëvajtjes dhe përmbylljes përfundimtare të kësaj çështjeje në interes të dy vendeve.       

Gazetari: Zoti President, dy vitet e fundit Shqipëria po kalon një proces të thellë të reformimit të sistemit të drejtësisë, i ashtuquajtur procesi i Vetting-ut. Ish-ambasadori amerikan, Donald Lu, ka qenë motori kryesor i këtij procesi. Në intervistën e tij të fundit para se të largohej nga Shqipëria ai tha mes të tjerash se “politikanët shqiptarë kanë qenë të frikësuar nga reforma në drejtësi në 2016-n dhe janë ende të frikësuar edhe sot”. Si i përgjigjeni ju këtij konstatimi të tij, që tingëllon si një akuzë tepër e rëndë për klasën politike shqiptare? A ka të drejtë ish-ambasadori Lu?                                          
Presidenti Meta: Pa dashur për t’iu referuar ambasadorit, sepse nuk është hera e parë që zoti Lu e ka dhënë këtë konsideratë, mendoj që mund të ishte bërë shumë më tepër edhe nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe të Bashkimit Europian për të përshpejtuar zbatimin e reformës në drejtësi dhe njëkohësisht në frymën e ndryshimeve kushtetuese në mënyrë që reforma dhe zbatimi i saj të mos ishte objekt i polarizimit, që për fat të keq edhe ka sjellë një dëmtim të këtij procesi le të themi apo qoftë edhe një zvarritje të tijën. Sepse u bënë më shumë se dy vite nga votimi konsensual në Kuvend dhe ne ende nuk i kemi institucionet kryesore të drejtësisë të ngritura dhe jemi edhe pa Gjykatë Kushtetuese.

Gazetari: Kryeinspektori i ILDKPKI tha se vendi rrezikon të mbetet pa Gjykatë Apeli vitin e ardhshëm. A po mendon dikush me çfarë do të zëvendësohen këta njerëz që po “digjen” nga procesi i Vetting-ut?
Presidenti Meta: I kam bërë të gjitha përpjekjet e mia maksimale edhe në detyrën e mëparshme të Kryetarit të Kuvendit, edhe në detyrën e Presidentit të Republikës për t’i dhënë zgjidhje disa problemeve serioze në zbatimin e reformës në drejtësi. Që nga KED-ja, mënyra e hedhjes së shortit dhe krijimi i këtij institucioni që është kyç për sistemin e drejtësisë dhe do t’i bëj të gjitha përpjekjet e mia në të ardhmen për aq sa janë mundësitë e mia.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Donela: 04/10/2018 13:08

    Njeri me 100 fytyra,njeri i lig,keto thuaja llaxores qe ke ne shtepi,se u bete gazi i botes

    Përgjigju
  • Highlanderi: 03/10/2018 22:13

    Meta me keshilltar per Sigurine langaraqi Bahri Shaqiri hajduti intriganti dhe i korruptuari, kontrabandisti

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren