Duke iu referuar një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, zv.presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, deklaroi të enjten se sistemi shëndetësor në Shqipëri është në kolaps, Sipas saj, në spitalet publike mungojnë pajisjet funksionale dhe barnat, ndërsa diagnostikimi vonohet, duke detyruar qytetarët t’i drejtohen sektorit privat. Xhixho përmendi si raste shintigrafinë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, akseleratorin linear dhe angiografinë në Neurokirurgjinë e QSUT-së, të cilat sipas raportit janë jashtë funksionit, duke e cilësuar këtë situatë si dështim të sistemit shëndetësor.

Deklarata e plotë e Xhixhos 

"Shqiptarët paguajnë nga xhepi, ndërsa shteti nuk u garanton as shërbimin, as ilaçin, as diagnostikimin në kohë! Sot në Shqipëri, të sëmuresh do të thotë të luftosh dyfish: njëherë me sëmundjen dhe njëherë me një sistem që nuk funksionon. Në spitalet publike mungojnë pajisjet funksionale. Mungojnë barnat dhe ka probleme edhe me menaxhimin e tyre.  Diagnostikimi vonohet. Mungon ajri i kondicionuar dhe në jo pak raste edhe energjia, si rasti i Onkologjikut, që ndërpreu trajtimin e kimioterapisë për pacientët me kancer m Dhe përballë kësaj, qytetari detyrohet të paguajë privatin. Në të kundërt, rrezikon edhe shëndetin, edhe jetën. Raporti më i fundit i KLSH-së nxjerr në pah një realitet alarmant:  Shintigrafia në “Shefqet Ndroqi” është jashtë funksionit që prej 16 marsit 2020, për shkak të mungesës së lëndës radioaktive.  Akseleratori Linear në Neurokirurgjinë e QSUT-së nuk funksionon që prej 12 dhjetorit 2023 – një pajisje jetike për radioterapi dhe radiokirurgji stereotaksike në trajtimin e patologjive të trurit.  Angiografia në Neurokirurgji është jashtë funksionit.  Mikroskopët e sallave operatore janë të vjetër dhe kërkojnë zëvendësim. Ky është krim shtetëror. Kjo është fytyra e vërtetë e “shëndetësisë falas” që qeveria ka propaganduar prej vitesh"