Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, deputetja Erisa Xhixho, i ka bërë thirrje presidentit Bajram Begaj që të mos dekretojë ndryshimet ligjore të miratuara nga Kuvendi në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”.

Ky ligj sipas saj i kthen zonat e mbrojtura në sheshe ndërtimi.

“Me këtë ligj zonat e mbrojtura, do të shndërrohen në sheshe ndërtimi për resorte, komplekse pallatesh apo biznese, shumica e të cilave do të vihen në shërbim të pastrimit të parave të krimit e korrupsionit”, tha Xhixho.

“Së pari, kompetencat i kalojnë Këshillit Kombëtar të Territorit duke iu hequr Ministrisë së Mjedisit. Së dyti, lejohen investimet strategjike dhe kategoritë e investimeve strategjike si resorte e biznese shërbimi etj. Falë ligjit të ri, nuk do të ketë më zona të mbrojtura. Pra, mund të ndërtohet në Butrint, Karavasta, Mal të Dajtit apo në Liqenin e Ohrit. Ligji largon ekspertët nga vendimmarrja dhe e kalon atë tek Këshilli i Ministrave”, sqaroi Xhixho.