Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho kërkoi sqarime nga ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro për një VKM të vitit 2024, teksa thotë se mësuesit në sistemin e arsimit janë trajtuar në mënyrë të pabarabartë financiarisht si dhe nga pagat u janë marrë në mënyrë flagrante 1 milionë lekë të vjetra, që sipas Xhixhos, ende nuk janë rimbursuar.
“Janë prej 11172 punonjës mësimorë. Vendimi i qeverisë datë 26 qershor 2024 i hoqi padrejtësisht mësuesve nga 20-60 mijë lekë të vjetra në mua, duke ua mbajtur nga paga për 1 vit e gjysmë jo vetëm që nuk rritën pagat, po u ka marrë në mënyrë flagrante deri në 1 mln. Jo vetëm që nuk u kërkuar ndjesë, por edhe projektligji që u synua të korrigjonte këtë padrejtësi, ishte gjysmak. Sot mësuesit përballen dhe me njëherë krizë ekonomike, çmimet janë rritur me 50%. Është rritur dhe çmimi i naftës, po flasim për gjëra mbijetese. A keni ndërmend t’i ktheni mësuesve paratë që u keni marrë për turpin tuaj? Sot duhet t’i ktheni 1 mln të vjetra çdo mësuesi”, tha Xhixho.
Ministrja Kumbaro, duke sqaruar dhe problematikën, u shpreh se ky boshllëk ligjor është kompesuar me ndryshimet ligjore të miratuara në Kuvend në mars të këtij viti. Kumbaro u shpreh se sot janë 6761 punonjës të arsimit që përfitojnë trajtim të barabartë financiar.
“Nga kjo sallë jam përgjigjur pyetjeve që ishin pjesë kësaj sekuence parlamentare. Si ministre dhe ne si mazhorancë, nuk i jemi përgjigjur çështjeve me retorikë, por me vendime konkrete. Këto janë zgjidhur që në fillim të muajit mars kur miratuam ndryshimet në ligjin për armimin parauniversitar. Ndryshimet lidheshin me trajtimin financiar për në kategori mësuesish. Bëhet fjalë për ato që janë punësuar përpara datës 1 mars 2017 me kohë të plotë dhe pa afat, që për shkak të kohëzgjatjes së prog studimit nuk ekuivalentoheshin me 8 semestra sipas kuadrit ligjor në fuqi. Vetë organizimi ka qenë i ndryshëm. Dua të them se përmes ndryshimit ligjor, janë 6761 punonjës arsimor që përfitojnë sot trajtim të barabartë duke i dhënë fund një hendeku të padrejtë. Jo vetëm që rritëm pagat, por më pas morëm dhe përgjegjësinë që kjo rritje nxori në pah. Nuk u bë më herët se zgjidhet nuk bëhen me deklarata, por me procese ligjore të qëndrueshme”, tha Kumbaro.
Xhixho u shpreh se qeveria po abuzon me mësuesit duke u shpallur të pavlefshme diplomat e marra përpara vitit 2011. Deputetja e PL tha qeveria u kërkon dhe master për të mbushur universitetet, që po zbrazen nga studentët.
“Vini këtu e thoni sikur keni bërë heroizëm. Jen ministrja e nuk mban përgjegjësi se urdhrat i jep Edi Rama. Mësuesit po përballen me një tjetër problem, çfarë ndodh me mësuesit sot, pas 15 vitesh në sistem, sot qeveria u thotë që të diplomuar para 2011, duhet të pajisen me licencë. U mohohet përvoja 15 vjeçare, e u rriten dhe kostot. Vetëm regjistrimi për këtë provim 100 mijë lekë të vjetra. Për të marrë kartonin do paguajnë dhe 200 mijë lekë. U kërkohet dhe master me qëllim mbushjen e universiteteve që po zbrazen. Nëse sipas jush janë të paaftë, a nuk jeni ju në shkelje të ligjit që i keni mbajtur? Në vend që të gjeni zgjidhje, krijoni artifice për tua vështirësuar jetën. Në vend që të rrisni pagat, nuk bëni gjë tjetër veçse rrisni kostot e tyre”, tha Xhixho.
Lajmi kryesor:
LIVE - Kuvend/ Rrëzohen nismat e PD, refuzohet interpelanca me kryeministrin Rama! Balla: Me dhunë s’i miratojmë, nuk e hamë presionin











