Xhorxh Uilliams, ditari i ministrit
amerikan në Shqipërinë e Princ Vidit

Xhorxh Uilliams, ditari i ministrit<br />amerikan në Shqipërinë e Princ Vidit
Këto janë shënimet e një diplomati amerikan në Shqipërinë e 1914-ës. Përmbajnë gjykimin e një të huaji mbi Shqipërinë. Ai e krijoi këtë vetgjykim duke qenë një periudhë kohe të rëndësishme në kontakt me shqiptarët e duke parë me sytë e tij çdo gjë që ka shkruar.

“Shqiptarët” është një tablo mbi prejardhjen e këtij populli, mbi rrënjëjt pellazgjike, traditat dhe kultet, mbi sundimin turk në Shqipëri, i cili e nxorri Shqipërinë në gjendje tejet mjeruese në fillimshekullin e XX-të, por mbi të gjitha për atmosferën, porapaskenat, dëshmitë dhe personazhet e kohës kur në krye të Shqipërisë erdhi princ Vidi.

Autori i këtyre rreshtave Xhorxh Fred Uilliams më 1914 ishte Ministri i Amerikës në Greqi dhe në Mal të Zi dhe vëzhgues i Komisionit Ndërkombëtar në Durrës, komision i cili do të udhëhiqte dhe do të bashkëpunonte me qeverinë e Vidit. Por siç shkruan përkthyesi i këtij libri në vitin 1934 Shaban Balla, zoti Uilliams e pa të pamundur bashkëpunimin mes tyre. Ai kuptoi se punët po shkonin mbrapsht, marrëveshja e Londrës e kishte mbjellë shumë ters farën. Pas shumë mundimesh për marrëveshje sa me kryengritësit e Shqipërisë së mesme, sa me ata të Jugut, Uilliams u bind se këto punë ishin të kota dhe vendosi të marrë një masë të fundit. Shkoi në Shqipërinë e Jugut ku arriti një marrveshje mes “epirotëve” kryengritës dhe vlonjatëve që të bashkoheshin e të shpallnin pavarësinë e tyre. Ai kishte si qëllim që sapo të zhdukej qeveria  e Vidit e cila doemos nuk kishte jetë të gjatë, t’i bashkonte kësaj pavarësie edhe pjesën e sipërme të Shqipërisë. Por shumë shpejt këtë marrveshje e përmbysën diplomatët e Europës, të cilët dërguan në Vlorë dy luftanije që përmbanin anëtarë të komisionit të Durrësit. Ata e ndaluan këtë bashkim. Atëherë Uilliams e kuptoi se marrveshja e Londrës kurrësesi s’kishte qëllim të krijonte një Shqipëri të lirë. 
“Kësisoj ai vendosi ta lërë këtë skenë mëkatesh, por njëherazi edhe të shfaqë publikisht “komedinë tragjike dhe shpirtin e zi të diplomacisë  Europiane”, shkruan Balla.
Një libër i rikthyer në libraritë shqiptare para disa viteve sipas botimit të parë të ’34-ës, “Shqiptarët” është një vepër që vlen mjaft t’i rikthehesh kohë pas kohe. Sot nga ky libër do të botojmë një pjesazh nga kapitulli “Rënia e qeverisë së Vidit”.  
Ad.Pe
 
Kush është
Xhorxh Fred Uilliams (1852-1932) lindi në Dedham të Masaçusetsit. U arsimua në degën e ligjeve në Masaçusets më 1872 dhe pas studimeve të tjera u bë avokat. Gjatë viteve 1880-1887 kreu redaktime të botimeve të rëndësishme ligjore në vitet. Më 1889, ishte anëtar i legjislaturës së Masaçusetsit dhe gjatë viteve 1891-1893 ishte anëtar demokrat i Kongresit Amerikan. Gjate viteve 1913-1914 ishte Ambasador i SHBA në Greqi dhe Mal të Zi.
 
 
Pjesë nga kapitulli “Rënia e qeverisë së Vidit”
 
Mbërrita në Durrës me datën 18 Qershor. Gjatë një jave që kalova në Gjirokastër me kryetarët e kryengritësve unë pata mësuar për vrasjen e 70 mohamedanëve të pa armatosur, të cilen komisioni e kishte vërtetuar por kryengritësit e mohuan dhe e pata vurë vehten në dijeni me gjithë mosmarrëveshtjet që qëndronin në mes të “epirotasve” dhe komisionit nderkombetar per te bërë paqe. Unë jo vetëm që u habita, por edhe u tmerrova për ngatërresat që gjeta në Durrës. Secili anëtar i komisionit ishte me armë në dorë kundra tjetrit dhe në vend që të ndëgjonin lajmet e dobishme që solla une, secili e shkonte kohën duke më përshpëritur në vesh gjërat pa mend dhe keqbërjet e tjetrit. Asnjeri nuk kishte as më të voglën ide se kush e kishte sundimin ose komandën më të lartë, e cila kërkohej me një farë autoriteti nga princi, nga komisioni, nga oficerët hollandezë dhe nga kabineti. (Sepse marrëveshja e Londrës e kishte zhytur këtë punë duke ia dhënë në njërën anë komandën njërit e në një tjetër tjetrit, herë komisionit e herë Princit e herë oficerëve hollandezë – shën. përkth.).

Me i përshkruar hollësirat e ngatarresave që çdo ditë u bënë edhe më të këqija në Durrës, nuk do të ishte edhe aq e dobishme. Qeveria shkoi një herë në Vlorë dhe iu desh me u kthyer prapë në Durrës për arsye kompllotesh dhe aty gjeti kryengritjen e Esad Pashës. Një oficer italian u zu natën në Durrës duke i bërë shenjë kryengritësve e në këtë mënyrë duke iua drejtuar udhët e operacionit. Kur e arestuan u gjet se ai qe duke bashkëpunuar me oficerin që kish pas qenë ngarkuar me mision nga Princi për të mbrojtur Durrësin nga kryengritësit; atëhere misioni u pezullua. Një oficer hollandez më tha se Princit nuk mund t’i mbushej mendja kurrësesi për t’i prirë ushtrisë e as me u dukur më para luftës. Luftaniet e gjashtë fuqive rrinin në një qetësi të vdekur në port. Kur qyteti u mësye, komandantët e tyre u thirrën për të shtirë ca topa sa me trembur kryengritësit, por ato kundërshtuan duke thënë se kanë urdhëra të rrepta me vepruar vetëm për mbrojtjen e personit të princit e të familjes së tij. Kjo tregoi qartazi se fuqitë e mëdha kishin vendosur mos me shtirë asnjë top për mbrojtjen e qeverisë që kishin marrë përsipër me themeluar. Përvoja ime e fundit në Durrës qe një natë para se të largohesha, kur qeshë zgjuar prej një krisme të tmerrshme pushkësh në kënetë pothuaj nën dritaret e mia. Oficerët më lajmëruan në mëngjes se kishin dërguar nja 15 vetë nëpër kënetë për të kërkuar të vrarë e të plagosur, por njerëzit e tyre duke i kujtuar këta se ishin armiku qe po iu afrohet, shtine mbi ta dhe i vranë të gjithë.  E lashë këtë skenë mëkatesh, ngatërresash të ndyra dhe gjakderdhjesh me një zemër plot mëri kundër krimit të madh të Europës dhe plot simpati për popullin që iu desh me derdhur gjak për të mbajtur larg zgjedhen dhe një nga gabimet më skandaloze në historinë e Europës. Tre muaj pas kësaj, princi, familja e tij, oborri e kabineti i tij, komisioni ndërkombëtar, ministrat e huaj, xhandarmëria dhe luftanijet ikën nga Durrësi dhe Shqipëria u la sikurse është sot, pa qeveri.
(Domethënë në kohën e Luftës I Botërore – shën. përkth.).
Masa për shpëtim
Të nesërmen, pasi pata lënë Durrësin mbërrita në Vlorë. Kryetarët e Vlorës ishin besnike të princit Vid dhe i patën dhënë ushtarë për të luftuar kyengritësit e Shqipërisë së mesme dhe “epirotet” në Jug të Vlorës. Prandaj këta gjindeshin në një frikë të përditshme prej ndonjë mësymjeje nga vëllezërit e vet. Që mos të vazhdohej më rrënimi në mes tyre, i këshillova që të shpallin pavarësinë dhe të bëjnë paqe me vëllezërit e vet. Në emër të tyre shkova në Delvinë dhe takova kryetarin e qeverisë së perkohshme të Epirit, Zografo, i cili ishte i sëmurë në zemër pasi po kthehesh nga varrimi i 14 djelmoshave Delvinnjotë që sapo ishin vrarë në shpat të malit, ndërsa 40 burra shtriheshin të plagosur. Ai qe gati me bërë paqe me vlonjatët dhe kur ky lajm mbërriti Vlorën u prit me shumë kënaqësi dhe duartrokitje. Atë mbasdreke dy luftanije të fuqive të mëdha që bënin pjesë në komisionin ndërkombetar, u ngulën në port dhe nën hijen e topave të Europës nuk lejuan bashkimin që unë kisha parashtruar. Ata e dinin mirë që qeveria e tyre po kotesh mbi fronin e saj dhe se do të binte. Po ashtu e dinin që përmbajtja e veprave të tyre do të shkaktonte edhe më shumë gjakderdhje vllazërore. Prej asaj kohe e mbrapa fuqitë “epirote” dhe kryengritsit e Shqipërisë së mesme përparuan. Më tepër se 100 000 barinj dhe bujq, gra, burra, fëmijë dhe foshnje lanë shtëpijat e tyre, të cilat ua dogjën e ua shkatërruan dhe këta vetë emigruan në Vlorë. Kur unë u largova nga Greqia, sëmundja e lisë po përhapej nëpër këta emigrantë që pa ndihma dhe pa shpresë vdisnin në qarkun e Vlorës. Pak mbas largimit tim, u raportua se nga këta 100’000 emigrantë 30’000 kishin vdekur urie dhe s’kishin as mbulesë e as kasolle ku me shtirë kryet. Jam informuar që nëpër gjithë Shqipërinë ka zi. Në pranverë nuk ka me patur misër për farë për ata që do të shpetojnë.
Zbulimi i padrejtësisë

Mirë do ishte po ta kishte përshkruar gazeta Times e Londrës skenën e Durrësit si një komedi tragjike, që brenda pallatit mbretëror luheshin shakatë cinike më të mëdha, që mbrapa maskave buzëqeshëse të diplomatëve të Europës fshiheshin fytyrat e errta e kriminele, shkaktare të vdekjes së këtyre njerëzve, se jashtë në kënetë shtriheshin qindra Shqiptare mbrojtes të vatrave të veta, të fortë e të ngrirë, me sytë e tyre dhimbisurisht të drejtuar kah qielli i cili dukej e pamëshirshëm per ta. Dukesh një detyrë njerëzore, haptazi, me shqyer maskën që mbulonte diplomacinë Europiane e me nxjerr fytyrën e saj të lyer me gjak atdhetarësh dhe shikimin e dobët të saj mbi dëshirat e zjarrta për liri të një race të fortë. U ktheva në Athinë dhe pasi qeshë i shtrënguar e tregova këtë panjerzi dhe këtë padrejtësi të fuqive Europiane dhe dhashë dorëheqjen si ministër i Amerikës në Greqi e në Mal të Zi, sikurse patjeter qeshë i shtrënguar me bërë. Drejtesia dhe e vërteta nuk janë mbrojtje në sallat e dipllomacisë!

Qe shorti im me ngritur perden që t’i jepja dritë kësaj komedie, e cila qe loja më tragjike që është vu në skenë prej duarve të njerëzve. Ky veprim qe ai që me ka hapur rrugën me iu lutur popullit të lirë të Amerikes të ndihmojë Shqiptarët që po mundohen me luftë e me vdekje për lirinë dhe pavarësinë e tyre. Kur Europa, e përgjakosur, e mjeruar, e shfarosur, e falimentuar dhe e këputur do të hyjë duke çaluar në një periudhë të re qytetërimi, atëhere le të mësojë prej vuajtjeve të veta mëshirën që duhet të ketë për kombin e vogël malësor; e cila dëfrehesh me shtërngimet e shpirtit e me britmat e vdekjes së tij dhe vepronte paturpësisht duke i quajtur asgjë tmerret dhe vuajtjet e këtij populli për liri dhe humbjen e lirisë të një populli e quante një sakrificë të zakonshme për qejfin e tyre



dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi