Xhufi: Marrëdhëniet problematike të
kishës katolike shqiptare me shtetin

Xhufi: Marrëdhëniet problematike të<br />kishës katolike shqiptare me shtetin
Ajo çka më së pari bie në sy tek libri “Kisha Katolike në trevat shqiptare nga shek. XI-  deri në ditët e sotme”, me autor studiuesin e njohur Dr. Dom Nikë Ukgjini, është trajtimi gjithëpërfshirës që ai i bën kësaj teme, përndryshe të rrahur edhe nga ndonjë autor tjetër përpara tij.

Historia e kishës katolike dhe e komunitetit katolik shqiptar përfshin gjeografikisht të gjitha trojet shqiptare ku, duke filluar nga shek. XI, besimi katolik është dëshmuar dhe është ruajtur, në fakt me firo të ndjeshme, deri në ditët tona. Në këtë vepër, historia kishtare interferon e ndërthuret me historitë e tjera: me historinë politike, ekonomike, sociale, kulturore, duke na dhënë një rrëfim me shumë pamje, ku secila ndihmon të kuptohet tjetra dhe të gjitha së bashku formojnë një të tërë. Autori flet për marrëdhëniet e kishës katolike shqiptare me “të tjerët”, në etni ose në besim, për përballjet dramatike të saj me botën e politikës, për kontributet e saj në fushën e kulturës e të ideve, për qëndrimet e saj ndaj idesë së kombit e të shtetit kombëtar. 

Dr. Dom Nikë Ukgjini ka gjetur ekuilibrin e duhur metodik për interpretimin e historisë, duke e vendosur analizën e tij historike në shtratin e objektivitetit shkencor. Siç dihet, ideologjizimi dhe projeksioni ateist, i imponuar gjatë viteve të sundimit komunist, e dëmtuan rëndë mesazhin historik, duke e zhveshur atë nga një faktor i rëndësishëm e, në momente të veçanta, determinant i historisë, siç ishin feja dhe institucionet fetare. Por edhe këto 25 vjet në demokraci, literatura historike është invaduar shpesh herë nga pasione, paragjykime e pozicionime jashtë shkencore dhe nga shumë injorancë. Në këto kushte është kthyer thuajse në një virtyt ajo çka duhet të jetë premisa metodologjike e çdo studimi historik: parashtrimi i fakteve dhe i interpretimeve historike, pa ia nënshtruar ato parapëlqimeve e selektimeve të karakterit subjektiv. Dom Nika i qëndron fort këtij parimi. Ai nuk përjashton, nuk shmang e nuk fsheh gjë.

Kështu, nuk e anashkalon faktin e implikimit të kishës katolike me regjimin e pushtimit italian e pastaj gjerman, gjë që e bën, në një farë mënyre, ndonjë autor tjetër që ashtu si Dom Nika vjen nga radhët e klerit katolik. Sigurisht, autori ynë parashtron edhe arsyet që e shtynë klerin katolik të mbajë një pozicion të tillë, arsye që jo gjithkujt mund t’i duken të arsyeshme. Në fakt, edhe ai vetë e pohon, se iluzionet për një Shqipëri të zhvilluar, të pavarur dhe të bashkuar dhe për një Kishë katolike mbarëshqiptare nën pushtimin e huaj, si një fazë kalimtare, rezultuan mundësi jo reale për kohën. Por kjo nuk ka aq shumë rëndësi, sa çka fakti që nëpërmjet një paraqitjeje të ftohtë e korrekte të ngjarjeve, autori ia lë në dorë lexuesit të nxjerrë konkluzionet e veta, për këtë dhe për ngjarje të tjera të diskutueshme të historisë së Shqipërisë e të trojeve shqiptare, në përgjithësi.

 Po ashtu, ndërsa nënvizon frymën e bashkëpunimit e respektit reciprok që ka karakterizuar marrëdhëniet e kishës katolike me komunitetin mysliman apo me klerin ortodoks, autori nuk bie në qëndrime ahistorike e hipokrite, siç ndodh shpesh, por evidenton edhe mospërputhjet që kanë ekzistuar në momente të veçanta mes tyre, për sa i përket qëndrimit ndaj disa çështjeve ekzistenciale, siç janë ato që kanë të bëjnë me kulturën kombëtare, me shtetin kombëtar dhe me orientimin evropian të këtij të fundit.

Por Dr. Ukgjini nuk nguron, gjithashtu, të tregojë se edhe midis vetë Kishës shqiptare dhe Vatikanit nuk kanë munguar diferenca, siç është ajo e kahershme mbi emërimin e klerikëve të huaj nga ana e Selisë së Shenjtë, të cilët për mosnjohje rrethanash apo për zell të tepruar ndonjëherë kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet ndërfetare.
Një vend qendror zënë në analizën e Dr. Ukgjinit marrëdhëniet problematike të kishës katolike shqiptare me shtetin, si në Shqipëri, ashtu edhe në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni, ku ka pasur historikisht komunitete e struktura kishtare katolike shqiptare. Regjimi i Ahmet Zogut, i ardhur në pushtet me ndihmën e qeverisë serbe dhe i karakterizuar nga tendenca autoritariste e reminishenca orientale, ndeshi qysh në fillim në skepticizmin e kishës katolike, i cili më vonë mori forma të dhunshme, si në rastin e kryengritjes së Dukagjinit, ku klerikë katolikë u përfshinë si frymëzues e organizatorë të saj.

Momente të tjera të rëndësishme krize në marrëdhëniet me Zogun ishin mbyllja e shkollave dhe e institucioneve të drejtuara nga kleri katolik apo dështimi i bisedimeve midis qeverisë shqiptare dhe Vatikanit lidhur me nënshkrimin e një Konkordati. Bisedimet, siç dihet, dështuan, dhe Dr. Ukgjini tregon arsyet kryesore: nga njëra anë kërkesa e qeverisë shqiptare për njohjen e institucionalizimin e martesës civile, të së drejtës së divorcit dhe pretendimi i saj për kthimin e Kishës në një institucion “patriotik”, të cilat u refuzuan nga Vatikani. Nga ana tjetër vinte kërkesa e Selisë së Shenjtë për të emëruar e shuguruar klerikë të huaj në hierarkinë e lartë të Kishës shqiptare, që u refuzua nga shteti shqiptar. Kundërvënia Ahmet Zogu-Kishë katolike shënoi edhe momente të një armiqësie të vërtetë, siç e tregoi edhe letra që ipeshkvi i Shkodrës, Lazër Mjeda, i shkruante Lidhjes së Kombeve më 1925.

Në thelb, kjo ishte përplasja e Kishës katolike me logjikën e shtetit laik, përplasje që u përsërit me virulencë të veçantë pas vendosjes së regjimit komunist, kur shteti i armatosur me ideologjinë e ateizmit shtetëror u bë armik i betuar i besimit dhe i institucioneve fetare, veçanërisht të atyre katolike. Kalvari i kishës katolike shihet nga Dr. Ukgjini në dy pamjet e saj, në atë të konsumuar në Shqipërinë e Ahmet Zogut e të Enver Hoxhës, dhe në atë të Jugosllavisë së Karagjorgjeviçëve, të Titos e të Millosheviçit.

Në këtë të fundit, vuajtjeve e persekutimeve që buronin nga vetë natyra e diktaturës, u shtoheshin edhe shtypja e represioni me bazë nacionale, që kisha katolike në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni e vuajti bashkë me të gjithë popullin shqiptar të atyre trevave. Këtu e ka bazën angazhimi i madh i Kishës katolike dhe i klerikëve shqiptarë në afirmimin kombëtar të shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe në mbrojtjen e të drejtave të tyre civile, ku një moment kulmor përfaqëson Memorandumi mbi gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi drejtuar Lidhjes së Kombeve më 1930 nga Dom Gjon Bisaku, Dom Shtjefën Kurti e Dom Luigj Gashi, ku kleri katolik ngrihet në nivelin e përfaqësuesit e të mbrojtësit të interesave të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga besimi fetar. Këta dhe klerikë të tjerë katolikë, të njohur si paladinë të drejtave të popullit shqiptar në ish Jugosllavi, u vunë në shënjestër të autoriteteve serbe.

 Në vitet 1990, në një fazë të re kulmore të betejës së shqiptarëve për liri, demokraci e të drejta kombëtare, kleri katolik u përfshi aktivisht duke iu bashkuar luftës së popullit të vet. Këtë e bëri edhe vetë autori i këtij libri dhe familja e tij, që pësuan mbi kurrizin e tyre gjithë peshën e përndjekjeve e të represionit serb. Qëndrimin e mbajtur në ato momente dramatike, Dom Nikë Ukgjini e konsideron një distinguo edhe për çdo klerik shqiptar. Ai evidenton ata, mes tyre që më së shumti u shquan në këtë betejë vendimtare, ashtu siç nuk nguron të përmendë edhe ndonjë klerik, i cili nuk qe i gjetur sa duhet në detyrën e vet, kur këtë e kërkonin interesat e popullit të vet.
I mbështetur mbi një bazë dokumentare e bibliografike të bollshme e të larmishme, besnik ndaj principeve metodologjike shkencore, studiuesi Ukgjini që është njëherësh edhe një meshtar i përkushtuar, ka arritur të ndërtojë profilin e plotë të kishës katolike në Shqipëri e në trevat e tjera shqiptare, të përcaktojë vendin dhe rolin e saj në historinë e shqiptarëve të dhjetë shekujve të fundit. Si e tillë, vepra më e re e Dr. Dom Nikë Ukgjinit pasuron historiografinë shqiptare dhe do të zërë, siç jam i bindur, vendin e saj të merituar mes realizimeve më të spikatura të saj.




Redaksia online
A.N shqiptarja.com
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Aksident tragjik në Lushnjë, makina e marrë me qira del nga rruga dhe bëhet copash! Shoferi gjendet i vdekur në timon, ende i paidentifikuar

Aksident tragjik në Lushnjë, makina e marrë me qira del nga rruga dhe bëhet copash! Shoferi gjendet i vdekur në timon, ende i paidentifikuar