TIRANE - Vendimi i gjykatës për pranimin e kërkesës së Konstandin Xhuvanit për gjykim të shkurtuar ka ngjallur një sërë reagimesh nga opozita. E fundit që ka reaguar ka qenë Ilenja Mëhilli, motra e Erla Mëhillit dhe njëkohësisht sekretarja personale e Sali Berishës. Pas një statusi të Sali Berishës në të cilin ai reagonte ashpër duke argumentuar se me anë të këtij vendimi Xhuvani shpëtonte nga dënimi me burg të përjetshëm, Mëhilli ka reaguar duke thënë se ky ishte një vendim i drejtë ligjor nga ana e gjykatës dhe se është injorancë që të mendosh se ligji nuk mund të jetë i barabartë për të gjithë dhe se intelektualët e së djathtë duhet të informohen mirë para se të shkruajnë budallallëqe.

Po ashtu Mëhilli me anë të reagimit të saj duket qartë që heq çdo akuzë të opozitës e cila ka akuzuar kryeministrin Rama se i ka bërë presion gjykatës për të marrë vendimin e gjykimit të shkurtuar ndaj Xhuvanit.

Statusi i Sali Berishes
Të dashur miq, në një akt unik në historinë e dënimeve penale, Kostandini i Partisë, xhelati i vrasjes së 4-fishtë, nuk do dënohet

përjetë. Gjykata në presionin direkt të egër të Edi Ramës ka vendosur sot të pranojë kërkesën për gjykim të shkurtuar të Kostandin

Xhuvanit që ekzekutoi 4 qytetarë në fillim të nëntorit të vitit 2014 dhe të përjashtoj kështu dënimin me përjetë”
, shkruante Berisha dy ditë më parë  pas vendimit të gjykatës për Xhuvanin.

Ilenja Mëhilli, ka thënë se akuzat e opozitës janë injorante dhe se gjykata ka vepruar konform ligjit.

Statusi i Mehillit
“Sapo lexova disa komente në lidhje me njohjen nga Gjykata të gjykimit të shkurtuar të kërkuar nga Kostandini. O intelektualë të djathtë informohuni para se të shkruani budallallëqe. Gjykata është e detyruar të pranojë gjykimin e shkurtuar, cilido të jetë ai që ta kërkojë.

Gjykata nuk ka nevojë të marri urdhra nga Edi Rama. Është e detyruar ta njohë këtë të drejtë të parashikuar nga kodi i procedurës penale. Dhe po jua thotë një që është super e djathtë.

Opozita ka rëndësi, por jo kur është injorante”
, shkruan Ilenja në Facebook.

Reagimet për gjykimin e shkurtuar të Xhuvanit selia e PD i ka bërë pothuajse me të gjithë emrat e njohur të saj përfshirë këtu edhe ish-kryeministrin Berisha.

Statusi i Mëhillit nuk ka mundur t’i shpëtojë syrit të publikut që menjëherë ka ngritur pikëpyetjet nëse kjo e fundit i referohej pikërisht Berishës në replikën e saj.
 
Redaksia online
(F.M/Shqiptarja.com)