Xi Jinping, thirrje për forcimin e ushtrisë në hapjen e Kongresit të Partisë Komuniste 

Xi Jinping, thirrje për forcimin e ushtrisë në hapjen e Kongresit të Partisë Komuniste 

Xi Jinping

Udhëheqësi kinez Xi Jinping bëri thirrje të dielën për zhvillim më të shpejtë ushtarak dhe nuk përmendi ndonjë ndryshim në politikat që kanë tensionuar marrëdhëniet me Uashingtonin dhe kanë forcuar kontrollin e Partisë Komuniste në pushtet mbi shoqërinë dhe ekonominë.

Zoti Xi, që është figura më me ndikim në Kinë prej dekadash foli në hapje të kongresit të partisë, që ndiqet nga afër për të parë shenja të mundshme të drejtimit zyrtar.

Kongresi vjen në mes të një rënieje të ndjeshme në ekonominë e dytë më të madhe në botë dhe tensioneve me Uashingtonin dhe fqinjët aziatikë mbi tregtinë, teknologjinë dhe sigurinë.

Planet e partisë parashikojnë krijimin e një shoqërie të begatë deri në mesin e shekullit dhe rikthimin e Kinës në rolin e saj historik si udhëheqëse politike, ekonomike dhe kulturore.

Pekini ka zgjeruar praninë jashtë vendit, përfshirë nismën miliarda dollarëshe "Një brez, një rrugë" për të ndërtuar porte dhe infrastrukturë në të gjithë Azinë dhe Afrikën, por ekonomistët paralajmërojnë për një frenim të mundshëm të rritjes.

"Pesë vitet e ardhshme do të jenë vendimtare," tha zoti Xi në një fjalim televiziv prej një orë e 45 minutash para rreth 2,000 delegatëve në Sallën e Madhe të Popullit.

Ai vazhdimisht përsëriti sloganin e tij për "përtëritjen e kombit kinez", që përfshin rigjallërimin e rolit të partisë si udhëheqës ekonomik dhe social në një kthim prapa në atë që Xi e konsideron si një epokë të artë pasi kjo parti mori pushtetin në 1949.

Kongresi do të caktojë udhëheqësit për pesë vitet e ardhshme. Zoti Xi, 69 vjeç, pritet të thyejë traditën dhe t'i japë vetes një mandat të tretë pesë-vjeçar si sekretar i përgjithshëm si edhe të ngrejë në pozita aleatët që ndajnë idenë e tij për mbizotërimin e partisë.

Krahu ushtarak i partisë, Ushtria Çlirimtare Popullore, duhet "të ruajë dinjitetin dhe interesat thelbësore të Kinës," tha zoti Xi, duke iu referuar një numri pretendimesh territoriale dhe çështjeve të tjera për hir të të cilave Pekini thotë se është gati të shkojë në luftë.

Kina, me buxhetin e dytë më të madh ushtarak në botë pas Shteteve të Bashkuara, po përpiqet të zgjerojë shtrirjen e saj duke zhvilluar raketa balistike, aeroplanmbajtëse dhe baza në vende të tjera.

"Ne do të punojmë më shpejt për të modernizuar teorinë ushtarake, personelin dhe armët," tha udhëheqësi kinez.

"Ne do të përmirësojmë aftësitë strategjike të ushtrisë."

Zoti Xi e cilësoi si sukses strategjinë e ashpër të qeverisë së tij "zero-COVID", e cila ka mbyllur qytetet e mëdha dhe ka ndërprerë udhëtimet dhe biznesin. Ai nuk dha ndonjë sinjal për një ndryshim të mundshëm pavarësisht zhgënjimit të publikut me koston në rritje të kësaj strategjie.

Kongresi do të emërojë një Komitet të Përhershëm që është rrethi i brendshëm i pushtetit qeverisës./VOA

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Elbasan/ Aksidentoi për vdekje me makinë një këmbësor të moshuar, arrestohet 23 vjeçari

Elbasan/ Aksidentoi për vdekje me makinë një këmbësor të moshuar, arrestohet 23 vjeçari