SHBA - Shqipëria radhitet mes tre vendeve të Ballkanit Perëndimor si burim thelbësor i luftëtarëve të huaj që i bashkohen betejave në Siri dhe në Irak, veçanërisht kur merret parasysh proporcioni për kokë banori në raport me popullatën.

Kështu deklaroi zëvendësndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee, gjatë një seance dëgjimore në të mbajtur më 29 prill në Komitetin e Kongresit të Shteteve të Bashkuara për Marrëdhënie me Jashtë, mbi Ballkanin Perëndimor.

Yee tha se faktorët që po ndikojnë në motivimin e tyre janë rënia jo vetëm rënia ekonomike dhe mungesa epunësimit, por edhe tek mungesa e besimit tek qeveritë e tyre.

“Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, janë posaçërisht vende burimi të personave që shkojnë për të luftuar në Siri e Irak. Individë të caktuar janë duke u radikalizuar dhe motivuar për të luftuar në Siri dhe Irak nga një numër faktorësh. Rënia ekonomike dhe mungesa e opsioneve të punësimit janë faktorë i bashkimit të tyre në luftë. Kësaj i shtohet edhe skepticizmi që qytetarët kanë në raport me qeveritë e tyre”, tha në dëshminë e tij zoti Hoyt Brian Yee.

Diplomati amerikan tha se Shtetet e Bashkuara po ofrojnë ndihmën e tyre në luftimin e këtij fenomeni, e veçanërisht në Shqipëri. Yee bëri të ditur se në ambasadën amerikanë në Tiranë, SHBA ka emëruar një prokuror amerikan si këshilltar kundër terrorizmit.

“Janë duke ofruar ndihmë thelbësore përmes këshillimeve teknike, trajnimeve në ndërtimin e kapaciteteve për rastet që ndërlidhen me terrorizmin dhe forcimin e bazës ligjore. Madje, Shtetet e Bashkuara kanë emëruar së fundmi një prokuror amerikan në ambasadën amerikane në Tiranë, në cilësinë e një Këshilltari Ligjor Kundër-terrorizmi, me përgjegjësi rajonale”, tha zoti Hoyt Brian Yee, në seancën dëgjimore, të kryesuar nga kongresisti amerikan, Dana Rohrabacher.

Në këndvështrimin e tij, Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, e kanë marrë shumë seriozisht këtë kërcënim, ku kanë miratuar tashmë ligjin që sanksionon luftëtarët e huaj dhe ata që i mbështesin këta luftëtarë.