Yield-et e obligacioneve 10-vjeçare pësuan rënie në ankandin e parë të vitit 2026. Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, yield-i uniform i pranuar zbriti në 5.15%, nga 5.25% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Interesimi i investitorëve në ankand ishte përsëri mjaft i lartë. Nga 4 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim, kërkesat totale në ankand arritën në 6.6 miliardë lekë.

Mbështetur në kërkesën e lartë dhe çmimet e vlerësuara si të favorshme, Ministria e Financave vendosi ta rrisë shumën e emetimit në vlerën e 4.6 miliardë lekëve.

Pro rata apo pjesa e pranuar e kërkesave konkurruese rezultoi 36.83%.

Fillimi i këtij viti ka sjellë një rikthim të uljes së yield-eve të instrumenteve afatgjatë të borxhit. Një gjë e tillë ndodhi edhe me obligacionet 20-vjeçare, në ankandin e datës 6 janar.

Yield-i uniform i pranuar dhe kuponi ranë në 6.72%, nga 6.88% që kishte qenë yield-i në ankandin e mëparshëm të këtyre instrumenteve, të zhvilluar në shtator të vitit të kaluar.

Tregun i titujve qeveritarë vazhdon të karakterizohet nga një kërkesë e bollshme dhe likuiditet i lartë. Kjo ka bërë që yield-et për të gjitha maturitetet të zhvendosen në nivelet më të ulëta, madje pranë niveleve më të ulëta historike, në raport me normën bazë të interesit.

Yield-et e instrumenteve afatgjata në gjysmën e dytë të vitit të kaluar kaluan një cikjël korrektimi të lehtë në rritje, pasi kishin zbritur në nivelet tejet të ulëta deri në mesin e 2025. Por, fillimi i vitit 2026 ka sjellë përsëri ulje të yield-eve, e diktuar kryesisht nga një interes i madh të tregut për të investuar në këto instrumente.

Në tremujorin e parë të vitit, huamarrja e qeverisë në shqiptare në tregun e brendshëm financiar ka përqendrimin më të lartë vjetor. Ministria e Financave ka planifikuar më shumë se 35% e vlerës totale vjetore të emetimeve të parashikuara për periudhën janar-mars të këtij viti.

Pjesërisht, kjo mund të ushtrojë disa presione të lehta për rritjen e yield-eve, në maturitete të veçanta. Por, nga ana tjetër, edhe kërkesa e investitorëve ka tendencën të ndjekë ritmin e programuar të huamarrjes së brendshme të qeverisë dhe në veçanti investitorët institucionalë, kryesisht bankat, kanë tendencën të rrisin pjesëmarrjen në këtë periudhë, për të realizuar alokimin e buxheteve të parashikuara.

Për momentin, sinjalet e tregut shfaqin tendencën e vijimësisë së yield-eve të ulëta. Kjo përkthehet jo vetëm në çmim më të lirë të huamarrjes për qeverinë shqiptare, por përcillet edhe në kostot e kredisë për sektorin privat në monedhën vendase. Edhe gjatë vitit 2025 kredia për ekonominë shfaqi ritme të larta të rritjes, e mbështetur pjesërisht edhe nga normat e ulëta të interesit./Monitor